Celibashi: Administrata zgjedhore nuk duhet të dominohet nga partitë politike

Në Tiranë u prezantua sot projekti i ri i Këshillit të Evropës, “Mbështetje për Ciklin e Procesit Zgjedhor në Shqipëri (SECA)”, që synon të forcojë transparencën, gjithëpërfshirjen dhe integritetin e procesit zgjedhor në vend.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, e cilësoi këtë si një moment të rëndësishëm për reformimin dhe profesionalizimin e administratës zgjedhore, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Administrata zgjedhore në Shqipëri, pavarësisht përpjekjeve, nuk i ka përmbushur pritshmëritë e votuesve për një proces profesional dhe transparent”, tha Celibashi.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas tij, dominimi i plotë i partive politike në administrimin e zgjedhjeve ka krijuar mangësi të mëdha në standardet profesionale të procesit. Ai kërkoi që reforma e ardhshme zgjedhore të trajtojë këtë çështje me përparësi.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Nuk po them që partitë politike të përjashtohen, por jo sikurse është sot, ku 100% e procesit administrohet prej tyre”, u shpreh ai.

Celibashi theksoi se rreth 40 mijë komisionerë angazhohen në zgjedhje, por vetëm 30% e tyre trajnohen nga KQZ, ndërsa një pjesë e madhe ndryshohet pak ditë para votimit.

“Kjo situatë tregon nevojën për një trupë më të qëndrueshme dhe të trajnuar në mënyrë të vazhdueshme”, shtoi ai.

Komisioneri njoftoi se me mbështetjen e BE-së, KQZ synon ngritjen e një qendre të trajnimit për administratën zgjedhore, e cila do të garantojë profesionalizëm dhe vazhdimësi në standardet e punës së komisioneve zgjedhore.

“Ky është projekti më i rëndësishëm i KQZ-së dhe do të ndryshojë ndjeshëm mënyrën e administrimit të zgjedhjeve në Shqipëri”, deklaroi Celibashi.

Ai bëri thirrje për mbështetjen e shoqërisë civile dhe partive politike në zbatimin e projektit SECA, që pritet të shënojë një hap të ri drejt forcimit të besimit në procesin zgjedhor.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?