Celibashi shpall rezultatin në 5 bashkitë: Inteligjenca Artificiale mund të përdoret në zgjedhjet e ardhshme
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të djeshme në 5 bashkitë e vendit. Celibashi foli edhe për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në numërimin e votave në Tepelenë, ku tha se rezultoi me sukses.
“Në Tepelenë testuam përdorimin e AI në numërimin dhe vlerësimin e votave. Kjo mënyrë e numërimit asesi nuk kishte për qëllim të zëvendësonte mënyrën manuale që përcakton Kodi Zgjedhor. Përdorimi i AI ishte test teknik, nëpërmjet të cilit ne si KQZ donim të shihnim sesa e dobishme mund të jetë në të ardhmen përdorimi i kësaj risie”, tha Celibashi.
Kryekomisioneri nuk e ka shmangur mundësinë që të ardhmen inteligjenca artificiale të implementohet në procesin zgjedhor, por pa saktësuar aspektin, përfshirjen apo dhe kohën se kur mund të ndodhë.
“Ndoshta për të gjithë duhet sqaruar se AI në rastin e zgjedhjeve, mund të përdoret për shumë aspekte. Ne e pamë si me dobi pa përdorur për numërim dhe vlerësim të fletëve të votimit. Përdorimi i AI nuk shmang nga pikëpamja teknike komisionerët apo numëruesit se duhet të jetë dikush që i shfaq fletët e votimit përpara kamerës.
Në kuptim të kohës dhe saktësisë, për gjykimin tonë, do të ishte e udhës që të përdorej në të ardhmen. Nëse përdorim pajisje elektronike të numërimit dhe vlerësimit, këtë proces e kryen vetë pajisja përkatëse. Për sa kohë që AI po përdoret në shumë aspekte të jetës globale, nuk ka asnjë arsye pse dhe në proceset zgjedhore të mos përdoret. Pastaj në cilin moment apo aspekt do të diskutohet. E bëmë këtë test, as të nxitur dhe as të frymëzuar nga praktikat e të 3-tëve. E ka sjellë zhvillimi global si mundësi për ta përdorur këtë risi. S’ka asnjë arsye që të kishim droje për të hezituar për ta testuar përdorimin e AI. Tej qasjeve sarkastike të dikujt, ne vlerësojmë që do t’ia vlejë në të ardhmen”, tha Celibashi.
KOHA JONË SONDAZH

