Celibashi: Votimi dhe numërimin elektronik, duhet vendimmarrje e dakordësuar politike që të mundësohet
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi sot se politika duhet të shprehet qartazi nëse është apo jo e interesuar për të përdorur gjerësisht votimin dhe numërimin elektronik në zgjedhje.
Në një komunikim me mediet, Celibashi theksoi se në zgjedhjet e pjesshme vendore në 5 bashki nuk u aplikua votimi dhe numërimi elektronik për shkak të mungesës së kohës dhe pjesës tjetër të logjistikës.
Por sipas tij, “nëse do të kishte zgjedhje në bashkinë e Tiranës votimi dhe numërimi elektronik do të ripilotohej”.
“Duhet të ketë një vendimmarrje përfundimtare nga politika. Kanë apo jo interes që ta zgjerojnë më shumë votimin dhe numërimin elektronik. Në gjykimin tim do të ishte me dobi, por ne akoma nuk e kemi një përgjigje të qartë për të gjitha aspektet e këtij procesi. Sepse edhe kur e kemi aplikuar e kemi bërë nxjerrjen e rezultatit orë më vonë ndërkohë që sistemi ta jep mundësinë ta bësh në pak minuta pas mbylljes së orarit të votimit”, tha Celibashi.
I pyetur nëse duhet të njihen zgjedhjet kur pjesëmarrja në votime është e ulët, Celibashi tha se “ka vende që aplikojnë një minimum pjesëmarrje për t’i konsiderur zgjedhjet të vlefshme”.
“Nuk i përkas këtij mendimi, sepse kjo është vullneti i votuesve. Është në të drejtën e tyre të marrin apo jo pjesë në zgjedhje. Por është çështje e politikës dhe e shoqërisë për ta bërë këtë diskutim”, tha ai.
ATSH
KOHA JONË SONDAZH

