Certifikata e pronësisë së automjetit/ Ja procedurat që duhet të ndiqni, çmimi dhe dokumentet e nevojshme

Të gjithë qytetarët dhe bizneset mund të marrin certifikatën e pronësisë për mjetin e tyre, duke aplikur on-line sipas disa procedurave të caktuara, të sqaruara në portalin unik të shërbimeve qeveritare

“Portali unik qeveritar E-Albania ofron shërbimin elektronik ‘Aplikim për certifikatë pronësie mjeti’ përmes të cilit çdo i interesuar mund të aplikojë dhe të kryejë pagesat përkatëse online. Nuk ka nevojë për ngarkim dokumentacioni, por vetëm për identifikim/regjistrim në portal. Duhet të paraqiteni vetëm njëherë në sportelet e drejtorive rajonale të transportit: për të tërhequr certifikatën”, thuhet në “E-Albania”.

Dokumentacioni dhe hapat e procedurës

Të gjithë personat që duan të marrin këtë shërbim duhet të kenë dokumentin e identifikimit; kartë identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portalin e-Albania). Për të marrë shërbimin online duhet të:

– Regjistroheni si qytetar ose si biznes në portal.

– Zgjidhni shërbimin “Publikimi i certifikatës së pronësisë së mjetit”.

– Klikoni butonin “Përdor”.

– Zgjidhni mjetin për të cilin do të aplikoni për certifikatë pronësie dhe klikoni butonin “Apliko”.

– Kryeni pagesën e aplikimit, duke ndjekur hapat për të kryer pagesën online.

– Paraqituni pranë sportelit të drejtorive rajonale për tërheqjen certifikatës së pronësisë.

Shërbimi merret menjëherë dhe kostoja e tij është 2.000 lekë të reja.

SHKARKO APP