Çezari, Krishti dhe Donald Trumpi

Nga Albana Bano/Debati mbi prezantimin e një lënde të re me njohuri për kulturën fetare në shkollat tona, ngre për diskutim tre çështje kryesore:

Laiciteti: si vlera më e vyer që kemi ditur të kultivojmë dhe ruajmë gjatë 104 vite shtet i pavarur shtron dy pyetje të rëndësishme: a. A preket laiciteti nga futja e një lënde me njohuri për kulturën fetare në sistemin arsimor në Shqipëri? Shumë vende në botë, duke përfshirë dhe demokraci nga më të avancuarat, kanë në kurrikulat e tyre akademike lëndë, ku nxënësit marrin njohuri mbi fetë, të cilave u përkasin, pa cenuar laicitetin, pa nxitur urrejtje, në përputhje me vlerat universale dhe liritë themelore të njeriut. Vendet demokratike zakonisht rezervojnë dhe një opsion për ateistët/asnjanësit duke ofruar lëndën e edukimit moral, si alternativë ndaj mësimit të religjionit. Nga ana tjetër, studimi i fesë në shkolla perëndimore nuk është i rastësishëm: ai rrjedh si domosdoshmëri nga roli i rëndësishëm që disa religjione luajnë aktualisht apo kanë luajtur në të shkuarën në formimin ose zhvillimin e identitetit shpirtëror e kombëtar të këtyre popujve. Pra, përmes fesë, ata njohin veten, ose një pjesë të qenësishme të saj, gjë që mungon në Shqipëri pasi asnjë nga fetë që praktikohen sot në vend nuk identifikohet me të qenurit shqiptar[1]. Në këtë situatë, lënda e re që Kryeministri Rama beson se do të na nxjerrë nga injoranca në dritë dhe do të na mbrojë nga ekstremizmi, përveçse është një artificë e bezdisshme që me zor ngjit në konstelacionin shqiptar, rrezikon të kthehet në një shkëndijë jo për të na ndriçuar, por për të ndezur ndasitë mbi baza fetare e për të na përçarë si komb. Pse ky rrezik, kur shqiptarët nuk kanë një bosht fetar që të shkundë strukturën e tyre shpirtërore e sociale? Pikërisht, duke qenë se Shqipëria ka një boshllëk të theksuar njohurish, tradite dhe ekspertize në drejtim të kulturës dhe edukimit fetar, do të jenë influencat e huaja (sikurse ka qenë rasti deri më tani) ato që do të tentojnë të mbushin këtë boshllëk, duke sjellë idetë, interpretimet dhe praktikat e tyre që jo rrallë irritojnë shqiptarët. Nga ana tjetër dhe pa influencat e huaja, kush na garanton se dijet që do merren nga mësimi i kulturës fetare nuk do rezultojnë kundërproduktive dhe në vend që të bashkojnë, do të na ndajnë sipas përkatësisë fetare? b. Së dyti, çfarë duhet të kuptojmë me  termin kulturë fetare?-Dijet dhe interpretimet mbi rrymat dhe ideologjitë religjioze? Të përbashkëtat dhe dallimet midis besimeve të ndryshme? Historinë e lindjes, zhvillimit dhe përhapjes së feve? Apo njohuri për ritet, traditat, festat, ushtrimin praktik, etj? Të gjitha këto pyetje në një mënyrë apo në një tjetër krijojnë premisat për debate dhe diskutime tërësisht të panevojshme, që dhe në qofshin të shkujdesura e të shtendosura në fillim, rrezikojnë të ngarkohen emocionalisht dhe të kthehen në kërcënim real për problemin që po mundohemi ta shmangim që në embrion: radikalizëm e më pas ekstremizëm.

Natyra e lëndës së re “dritëdhënëse”. Deri më tash e vetmja gjë e sigurt  që dimë për lëndën e re është  përcaktimi i ministres Nikolla se ajo (lënda e re pra) do t`u japë nxënësve mësime për kulturën fetare. Disa analistë mbase më të informuar se të tjerët, përkrahin integrimin e kësaj lënde në programin shkollor me argumentin se nxënësit gjatë këtyre orëve nuk do të mësojnë për fenë së cilës i përkasin personalisht, por për fenë e të tjerëve! Pavarësisht natyrës paradoksale të këtij konstatimi, ai na ndihmon për të kuptuar se do të ketë një lëndë të vetme që do t`u servirët fëmijëve tanë në shkolla pa  i ndarë në klasa të veçanta si myslimanë, apo të krishterë. Ndarja në klasa të veçanta e të rinjve shqiptarë, do të ishte një fatkeqësi që nuk do mund të korrigjohet lehtë në rast dështimi të projektit për “daljen nga injoranca” përmes kulturës fetare.

“Demagogët, sharlatanët” dhe Trumpi. Në fakt njoftimi për këtë risi në sistemin tonë arsimor, erdhi si surprizë për publikun nga kryeministri Rama gjatë fjalës së tij me rastin e ditëlindjes së profetit Muhamed, ku u njoftua futja e një lënde mësimore që do të “armatosë çdo fëmijë me instrumentet e dijes” që të mos bjerë pre e ekstremistëve por njëkohësisht dhe “e demagogëve, sharlatanëve” që përpiqen të nxisin konflikte dhe të përfitojnë nga përgjakja. Në pamje të parë, kjo “surprizë” e shumëdebatuar, u duk se u frymëzua dhe mori shkas nga qëndrimet kontraverse të kandidatit për president në SHBA, Donald Trump, për të cilin, Kryeministri ynë nuk i ka kursyer sulmet dhe cilësimet negative si pasojë e qëndrimeve anti-myslimane të të parit. Pavarësisht se dhe personalisht jam ndjerë e prekur nga retorika e kandidatit republikan, unë sërish mendoj se të rinjtë tanë së pari duhet të kuptojnë se sa i rrezikshëm, absurd dhe çnjerëzor është terrorizmi, se mbi ç`baza errësire, injorance dhe dhune ngrihet ai. Në këtë pikëpamje, barazia që vendos Kryeministri Rama midis terroristëve dhe demagogëve sharlatanë, nuk është e as drejtë, as e sinqertë.

Si përfundim, a mund të jetë lënda me mësime mbi kulturën fetare  “instrument dije” që do të na ndihmonte në kundër ekstremizmit? A do na ndriçojë ajo më shumë se sa rritja e cilësisë në mësimdhënie, kultivimi i vetëdijes për të drejtat dhe zgjedhjen e lirë të njeriut, apo rritja substanciale ekonomike? Unë mendoj se në rastin e Shqipërisë, jo. Para mësimit të kulturës fetare, shqiptarët duhet të praktikojnë plotësisht lirinë e fjalës, të respektojnë, mbrojnë dhe inkurajojnë diversitetin e mendimit si thesar që ushqen zhvillimin cilësor të vendit dhe na imunizon nga “vatrat e infeksionit”, të cilat për fat të keq, i kemi shumë pranë edhe fizikisht.

[1] “Jam mysliman, pra jam shqiptar? Jam i krishterë, pra jam shqiptar?” apo “Jam shqiptar, pra jam mysliman? Jam shqiptar, pra jam  krishterë?”

SHKARKO APP