Çfarë do ndodh me 15 bashkitë që shkrihen? Bardhi ngre akuza të forta ndaj qeverisë
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka kundërshtuar projektligjin e mazhorancës për reformën territoriale, duke e akuzuar qeverinë se synon të forcojë kontrollin mbi pushtetin vendor. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, Bardhi tha se në Kuvend janë përballë dy modele të ndryshme për organizimin territorial të vendit. Sipas tij, mazhoranca propozon një hartë me 46 bashki, ndërsa PD-ja kërkon krijimin e 100 bashkive.
Bardhi argumentoi se propozimi i PS-së nuk i përgjigjet nevojave të komuniteteve, por interesave elektorale të kryeministrit Edi Rama. Ai tha se alternativa e opozitës synon t’i afrojë shërbimet dhe vendimmarrjen më pranë qytetarëve. Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, qeveria ka kufizuar gradualisht kompetencat e bashkive, përfshirë sektorë si furnizimi me ujë dhe menaxhimi i mbetjeve, ndërsa tashmë kërkon edhe zgjerimin e mëtejshëm të njësive vendore.
“Koncepti i Ramës për pushtetin është centralizimi. Bashkive u janë marrë kompetenca me ligje dhe vendime të qeverisë, ndërsa tani kërkohen bashki edhe më të mëdha, pa iu kthyer atyre kompetencat dhe fondet e nevojshme”, deklaroi Bardhi.
Ai u ndal edhe te reforma territoriale e vitit 2014, duke pretenduar se bashkimi i njësive vendore ka sjellë pasoja negative në disa zona të vendit. Sipas tij, në shumë komunitete ka pasur rënie të investimeve, mbyllje të shkollave dhe qendrave shëndetësore, si dhe largim të shërbimeve nga banorët.
Bardhi akuzoi mazhorancën se me propozimin e ri synon ta thellojë këtë situatë, duke parashikuar shkrirjen e 15 bashkive të tjera. “Modeli i PD-së synon të kundërtën: bashki pranë qytetarit, me më shumë pushtet, fonde dhe mundësi për të investuar”, u shpreh ai.

