Çfarë do të bëhet Izraeli?
Nga Roger Cohen
Izraeli është pushtuar nga një siklet, nga një re që qëndron mbi sipërfaqen e shndritshme. Në një Lindje të Mesme të dhunshme, të përbërë nga shtete të cunguara, kjo ndoshta është e pashmangshme, por izraelitët po i thërrasin ndërgjegjes së kombit të tyre dhe së ardhmes së tij me një këmbëngulje të veçantë. Sapo të nisë fushata për zgjedhjet e marsit, ky ankth duket se do të jetë pararoja e një ndryshimi politik.
Status quo-ja, me periudhën e saj gjakatare dhe të pambarimtë është bërë e padurueshme. Dhe mbi të gjitha ka një emër: Benjamin Netanjahu, i cili po mbyll mandatin e tij të tretë si kryeministër. Alternativa, dhe pse është edhe më e paqartë, nuk është më e pamendueshme.
“Ka një pakënaqësi në rritje, sociale, politike, ekonomike”, – më tha gjatë një interviste romancieri Amos Oz. “Ka një ndjesi në rritje se Izraeli po bëhet një geto e izoluar, çka është saktësisht ajo që baballarët dhe mamatë themeluese shpresuan të linin pas shpinës së tyre përgjithnjë në momentin kur krijuan shtetin e Izraelit”.
Shkrimtari, i njohur gjerësisht si ndërgjegjja e një Izraeli liberal dhe anti-mesianik, vijoi duke thënë se: “Në rast se nuk do të ketë dy shtete – Izraeli përkrah Palestinës, – së shpejti do të ketë një shtet të vetëm. Nëse do të ketë një shtet, ai do të jetë një shtet arab. Opsioni tjetër është një Izrael diktatorial, ndoshta një diktaturë nacionalisto-fetare, që do të shtypë palestinezët dhe kundërshtarët e saj hebrenj”.
Në rast se kjo tingëllon paksa e ashpër, një gjë e tillë ndodh sepse morsa po shtrëngohet. Me sa duket, çdo ditë nga një qeveri apo parlament europian po mbështet njohjen e shtetit të Palestinës. Një nismë e mbështetur nga Palestina në OKB, e cila është kundërshtuar në formën e asaj aktuale nga SHBA-të, synon që ta shtyjë Izraelin të tërhiqet nga Bregu Lindor brenda 2017-s. Lufta e fundit në Gaza, me rezultatet e saj të zymta, nuk ndryshoi asgjë.
Hamasi dhe urrejtja e tij kronike kanë lulëzuar sërish dhe janë ende në të njëjtin vend duke treguar armët. Tensioni në pjesën e sipërme të Jerusalemit është i lartë pas disa incidentesh të dhunshme. Besueshmëria e Netanjahut është në rënie, si në frontin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
“Zgjohemi çdo mëngjes me ndonjë kërcënim të ri që ka zbuluar ai” – tha politologu Shlomo Avineri. “Na ka ardhur në majë të hundës një gjë e tillë.”
Por një siklet i tillë mund të shndërrohet në ndryshim vetëm në rast se do të ketë ndonjë sfidues. Kohët e fundit nuk ka patur asnjë të tillë. Por brenda harkut kohor prej disa javësh diçka ka ndryshuar. Kreu i Partisë së Punës, Isaac Herzog,është kthyer nga një studioz i pavotueshëm në një patriot të mundshëm. Sondazhet tregojnë se ai është kokë më kokë me rivalin historik.
Përmes një aleance të lidhur këtë muaj me Tzipi Livni, ministrin e drejtësisë së dorëhequr së fundmi dhe ish-negociues me palestinezët, udhëheqësi i Partisë së Punës ka krijuar një ndjesi se qendra e majtë mund t’ia dalë mbanë. Një Izrael post-Bibi nuk duket të jetë më një fantazi.
“Kjo nuk mund të vazhdojë më,” – më tha Herzog, një njeri i matur i cili po punon për të shfaqur anën e tij të hekurt. “Ka një shqetësim të thellë dhe të vazhdueshëm lidhur me të ardhmen dhe mirëqenien e vendit. Netanjahu na ka çuar drejt një fundi vdekjeprurës, drejt një humnere”. Duke folur për burgosjet e tij Herzogu deklaroi se: “Ne jemi kampi Zionist. Ata janë kampi ekstremist”.
Tani të hyjmë në brendësinë e zgjedhjeve. Ka nisur një betejë për frymën e Izraelit. Karta e themelimit të vendit në vitin 1948 deklaronte se shteti i ri do të bazohej te “liria, drejtësia, dhe paqja sikurse e kishin përfytyruar profetët e Izraelit; ai do të garantojë barazi të plotë të të drejtave sociale dhe politike për të gjithë banorët e tij pa dallim feje, race, apo seksi”.
Këto janë parimet e Zionizmit të Herzogut dhe të Livnit. Ata janë që të dy trashëgimtarë figurash të rëndësishme të krijimit të Izraelit – Chaim Herzogut, ish-president simpatizant i së majtës, dhe Eitan Livnit, një ish-komandant i milicëve të djathtë Irgun. Me gjithë ndryshimet e tyre, Puna dhe Likud, e majta dhe e djathta, ata nuk ndryshojnë për sa i përket lirive themelore demokratike për të gjithë qytetarët, hebrenjtë dhe arabët, që Izraeli duhet të mbrojë. Aleanca e re Herzog-Livni duket si një riafirmim elokuent i idesë së mësipërme.
Sot është ende një de e brishtë. Toleranca është nën sulm për shkak të valës në rritje të nacionalizmit izraelit, i mishëruar në zhvendosjen dhe ndërtimin e banesave për kolonët në Bregun Perëndimor. Mendësia e rreptë se hebrenjtë vijnë të parët ka sjellë kohët e fundit një vendim që njihet si ligji i kombësisë, i cili do të heqë të drejtën arabishtes për të qenë gjuhë zyrtare, çka ka rezultuar vendimtar të rënien e qeverisë së Netanjahut.
Kjo gjen shprehi gjithashtu te abuzimi që bëhet ndaj kujtdo, duke përfshirë edhe presidentin e Izraelit, Reuven Rivlin, që del në mbrojtje të të drejtave të arabëve. Fjala “tradhtar” është kthyer në një ulërimë të kollajtë.
Deni Danon, ish-Ministër i Mbrojtjes i cili po e sfidon Netanjahun për kreun e partisë Likud, më tha vizionin e tij afatgjatë për Bregun Perëndimor, apo Judea dhe Samaria sikurse e quajti ai, “bëhet fjalë për të patur sovranitet mbi pjesën më të madhe të tokës, me sa më pak palestinezë”. Danon tha se ideja e dy shteteve “ka përfunduar dhe shumica e izraelitëve e kuptojnë këtë”.
Në fakt ideja e dy shteteve është ende e gjallë edhe pse është bërë gjithnjë e më e dobët. Ajo është në përputhje me parimet e vërteta të themelimit të Izraelit. Ajo nuk është në përputhje me një Izrael të mbështetur te supremacia e hebrenjve dhe tek aneksimi i pjesës më të madhe apo e të gjithë territorit midis Detit Mesdhe dhe Lumit të Jordanisë.
Kjo ide mund të ringjallet, sepse nuk ka asnjë alternativë tjetër më të besueshme, pavarësisht faktit të thuajse gjysmë shekulli sundim mbi një popull tjetër që ka prodhuar dëmin më të madh të bërë ndonjëherë, mosbesimin dhe përçarjen. Ideja mund të varroset vetëm në rast se Izraeli e sakrifikon të qenin një vend hebre dhe demokratik, për jo-demokracinë dhe kontrollin e pafundmë të jetëve të miliona njerëzve pa të drejtë vote, ashtu sikurse janë në fakt shumë palestinezë.
“Këto zgjedhje përbëjnë një moment kyç,” – tha analisti politik Ofer Kenig.“Ne duhet të zgjedhim ndërmjet të qenit një vend Zionist dhe liberal dhe të kthyerit në një shtet etnocentrik dhe nacionalist. Jam i shqetësuar për drejtimin që po merr kjo demokraci delikate”.
Zgjedhjet e ardhshme janë jetike. Herzogu më tha: “Ne refuzojmë ta pranojmë se prindërit në kahun tjetër nuk e duan paqen. Ata e duan po aq sa ne, dhe unë e kuptoj se ata kanë një mungesë shprese sikurse edhe këtu”. Ai buzëqeshi teksa një mendim i përshkoi mendjen. “E ke parasysh, do të më pëlqente shumë ta vizitoja vendlindjen e mamasë sime në Egjipt si kryeministër”.
The New York Times