Çfarë duhet të dimë për OSBE?

Fjalori diplomatik

Nga Dr. Jorgji Kote

E ka zanafillën te “Konferenca mbi Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian”(KSBE) që ishte rrjedhojë e bisedimeve të zhvilluara në Gjenevë gjatë periudhës korrik 1973 – korrik 1975. Në përfundim të tyre, më 1 Gusht 1975, të 35 kryetarët e shtetit/qeverive të gjithë Evropës, SHBA dhe Kanada nënshkruan në Helsinki dokumentin themelor të saj – Aktin Final të Helsinkit. Në vitin 1995, kjo “Konferencë”u kthye në “Organizatë”duke u quajtur “OSBE.” Krijimi i saj erdhi si reagim pas frymës së re të  detantës të mishëruar në disa akte madhore të asaj kohe:  “Ostpolitika”e famshme e ish-kancelarit gjerman Villy Brandt synonte afrimin dhe bashkëpunimin me vendet lindore, në vend të ballafaqimit dhe pushtimit të tyre ; vizita e Presidentit Nikson në Kinë  më 1971 hapi një epokë të re në marrëdhëniet kino-amerikane; sapo kishte përfunduar Lufta në Vietnam, etj.

Swiss Digital Desktop Reklama

SHBA u bë pjesë përbërëse e “ Procesit të Helsinkit “me kërkesë të BE-së, falë rolit të saj parësor në demokracinë, bashkëpunimin dhe sigurimin evropian e më gjerë. I vetmi vend që refuzoi ftesën zyrtare për t’u bërë pjesë e Helsinkit ishte  Shqipëria, regjimi i atëhershëm i së cilës e konsideroi atë zyrtarisht si “ konferenca e mossigurimit evropian”.  Ajo u bë anëtare me të drejta të plota pas shumë demarshesh pas ardhjes së demokracisë në qershor 1991.

Swiss Digital Mobile Reklama

“ Akti Final ose “Karta e Helsinkit” përbëhet nga tre »shporta” ose dimensione, siç njihen sot – demokracia me theks të veçantë të respektimi i të drejtave të njeriut, liria e shprehjes dhe zgjedhjet e lira e pluraliste, bashkëpunimi ekonomik dhe siguria ndërkombëtare. Për këtë të fundit, rëndësi vendimtare pati dispozita madhore për “moscënimin e integritetit territorial dhe mosndryshimin e kufijve me forcë »

Meqenëse me kalimin e kohës bashkëpunimi ekonomik, tregtia dhe investimet kaluan në portofolin e organizmave të tjera, sidomos BE-së që kishte dhe “ qesen” përkatëse, OSBE e vuri theksin në dy shportat e tjera “ demokracia/të drejtat e njeriut” dhe “ sigurimin ndërkombëtar” në bashkëpunim  me Këshillin e Evropës dhe NATO. Kjo për faktin se OSBE ka një anëtarësi shumë më të madhe, duke përfshirë 57 vende nga gjithë Evropa. 

Për të vëzhguar dhe raportuar mbi ecurinë e realizimit të zgjedhjeve sipas standardeve më të përparuara ndërkombëtare në Varshavë është vendosur “Zyra e Institucioneve Demokratike dhe e të Drejtave të Njeriu(anglisht- ODIHR) Gjatë 25 viteve të fundit ODIHR është bërë shumë e njohur edhe në vendet ish- komuniste. Për nevoja pune, ajo aktivizon edhe vëzhgues afat-shkurtër dhe afat-gjatë nga vendet antare. Raportet e ODIHR shërbejnë  si bazë dhe pika më e rëndësishme referuese edhe  për institucionet e tjera ndërkombëtare. Aktualisht në vendin tonë ndodhet Misioni Ndërkombëtar i Vëzhguesve të Zgjedhjeve Lokale të 21 Qershorit, i  kryesuar nga Ambasadorja Glover.

Gjithashtu, për shkak të pranisë shumë më të madhe të vendeve të tilla si Rusia, etj, OSBE ka një rol në rritje lidhur me garantimin e sigurisë dhe zgjidhjen e krizave të ndryshme në vatrat e nxehta. Për këtë qëllim ajo dërgon atje grupe ekspertësh, veprimtaria e të cilëve njihet nga të gjitha palët. Nisur nga autoriteti i saj, OSBE dërgon si përfaqësues apo të dërguar special personalitete të shquara, ish-drejtues të lartë shteti dhe qeverie, që kanë besueshmëri të madhe politike dhe profesionale. Selia qëndrore e  OSBE-së ndodhet në Pallatin e Hofburgut, në qendër të Vjenës. Në forumet kryesore të OSBE-së janë Këshilli i Përhershëm që përbëhet nga ambasadorët e 57 vendeve antare, që mblidhet çdo javë në Vjenë. Sekretariati i Përgjithshëm i OSBE-së që drejton veprimtarinë e  përditshme, Ansamblenë Parlamentare me deputetë nga vendet anëtare, Takimet periodike të  Ministrave të Jashtëm dhe Samitet vjetore. OSBE  ka dhe një numër komitetesh e shërbimesh, duke përfshirë Komisionerët për pakicat dhe për median.

 

Në numrin tjetër do të lexoni “Diplomacia Parlamentare”

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?