Çfarë nuk shkon me tregjet e punës?

 

Nga Mauro F Guillen 

Kudo në botë, tregjet e punës janë të çrregullta. Papunësia është e lartë në shumë vende, veçanërisht mes të rinjve. Njëkohësisht, shumë kompani raportojnë telashe në gjetjen e punonjësve të kualifikuar.

Një numër rekord njerëzish po dalin në pension, por shumë preferojnë të punojnë, të paktën me kohë të pjesshme. Teknologjia e informacionit ka zhvendosur punonjësit edhe teksa ka krijuar vende të reja pune.

Këto sinjale konfliktuale dhe trende janë një simptomë e një serie mospërputhjesh themelore mes asaj që punëdhënësit kanë nevojë dhe talenteve të atyre që do të donin të punësonin. Nuk ka pasur kurrë kaq shumë njerëz të edukuar mirë në botë; megjithatë kriza në Europë, rikuperimi i ngadaltë në Shtetet e Bashkuara, dhe rritja e ekonomive në zhvillim po zbulon të meta më parë të fshehura në tregun e punës. Zgjidhja e tyre kërkon një varietet të gjerë ndërhyrjesh në politika.

Problemi fillon me sistemin e edukimit, që dikur ishte më efektiv jo vetëm në edukimin dhe trajnimin e brezave të rinj, por gjithashtu në futjen e tyre në rrugë premtuese të karrierës. Fatkeqësisht, shkollat dhe universitetet nuk kanë ndryshuar shumë në 30 vitet e fundit, edhe pse bota e punës ka kaluar trazira të mëdha. Edukimi dhe trajnimi online kanë marrë jetë, por universitetet vazhdojnë t’i rezistojnë. Inflacioni i kostos gjithashtu po prek aksesin në edukimin e lartë të shumicës së popullatës.

Të rinjtë prezantojnë dy grupe të ndryshme sfidash. Në shumicën e vendeve, popullata midis moshës 16 dhe 30 është e ndarë në dy grupe të ndryshme. Disa janë shumë të edukuar, por, e kanë të vështirë të gjejnë punë konform aftësive të tyre, dhe i bashkohen atyre që punësohen në punë më të ulëta sesa kualifikimi. Të tjerë nuk kanë mundësi të edukohen ose e kanë lënë shkollën. Në disa vende, një brez i tërë të rinjsh mund të humbasë sepse politikëbërësit dhe kompanitë janë shumë të turpshme që të eksperimentojnë me ide të reja, koncepte dhe skema.

Ndërkohë, ndryshimi i shpejt teknologjik, përfshirë biznesin e shpërndarjes së prodhimit dhe atë dixhital, ka nxjerrë nga puna moshat 50-65 vjeç. Teksa kompanitë kacavirren që t’i përshtaten rrethanave në ndryshim të tregut të punës, ata po përpiqen të rikrijojnë veten, shpesh duke punësuar të rinj me aftësi të ndryshme. Pas humbjes së vendeve të punës që i paguanin relativisht mirë, shumë punëtorë më të vjetër ose kanë dalë në pension para kohe ose kanë marrë vende pune më pak tërheqëse.

Kjo përfaqëson një sfidë të jashtëzakonshme, sepse nuk është e lehtë të trajnohen numri i madh i njerëzve që janë zhvendosur nga teknologjia e re. Si qeveritë, dhe kompanitë kanë një përgjegjësi të prodhojnë zgjidhje, që do të përfshinë shpenzimin mbi edukimin dhe trajnimin dhe ridizenjimin e punëve që të përputhen me aftësitë ekzistuese.

Së fundmi, një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballen shoqëritë bashkëkohore është të kuptojnë se çfarë duhet të bëjnë me dhjetëra miliona të dalë në pension teksa jetëgjatësia vazhdon të rritet. Njerëzit më të vjetër se 65 vjeç ndonjëherë mund të preken nga ulja e aftësisë për të mësuar, por ata shpesh kanë aftësi të dobishme dhe një eksperiencë të pasur. Financiarisht, shoqërisht dhe ekonomikisht nuk ka kuptim të përjashtohen nga forca punëtore – veçanërisht kur shumë prej tyre pëlqejnë të punojnë me kohë të pjesshme. Qeveritë duhet të miratojnë ligje dhe rregullore të reja për të përfituar nga ky grup force punëtore me eksperiencë dhe kompanitë duhet të mendojnë me kreativitet si të përdorin punonjësit me kohë të pjesshme më me efektivitet. Nuk ka nevojë të thuhet, zgjidhja e këtij problemi do të lehtësojë disi edhe presionin mbi sistemet e pensionit.

Imigracioni është një tjetër fenomen që duhet të menaxhohet me kujdes. Është për të ardhur keq se pikërisht kur ulja e kufizimeve mbi imigracionin do të ndihmonte tregjet e punës, bota po përjeton një rritje të sjelljeve dhe politikave ksenofobike. Qeveritë dhe organizatat e qeverisë civile duhet të tregojnë lidership dhe të ndihmojnë publikun të kuptojë se si imigracioni mund dhe nxit progresin social dhe ekonomik. Në një ekonomi globale gjithnjë e pa kufij, sistemi shtetëror që kemi trashëguar imponon shumë kufizime mbi lirinë e lëvizjes së njerëzve, shumë prej të cilave janë antiproduktive.

Një zhvillim pozitiv është se revolucioni femonist më së fundmi po fillon të ketë një pasojë mbi tregun e punës. Diskriminimi gjinor vazhdon të jetë një problem, por shihet një rritje e grave që kanë pozicione pune të rëndësishme. Në SHBA gratë janë ato që fitojnë më shumë ose të vetmet burim parash në 40 për qind të familjeve me dy prindër dhe me të paktën një fëmijë nën moshën 18 vjeç. Është e rëndësishme të vazhdohet kapitalizimi i këtij trendi. Një forcë pune më e ndryshme dhe më e talentuar është çelësi i zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.

Kaosi në tregun e punës nuk do të zvogëlohet derisa qeveritë dhe kompanitë të zgjidhin një grup të frikshëm çështjesh mbi edukimin, mundësitë e të rinjve dhe të moshuarve, virtytet dhe sfidat e migrimit dhe aspiratat e grave. Fatkeqësisht, këto çështje janë shpesh polemike me politikat. Kjo është arsyeja përse tregjet e punës që funksionojnë mirë kërkojnë vazhdimisht lidership të vendosur dhe mendje të hapura.

Project Sindicate

SHKARKO APP