Cigaret nuk do shiten në markete, vetëm në pika të licensuara

Cigaret nuk do të shiten më në markete apo dyqanet e lagjeve. Një projektligj i hartuar nga Ministria e Shëndetësisë kërkon që pikat e shitjeve të duhanit të pajisen me një licensë të veçantë. Ministrja Manastirliu tha se procesi është ende në fazë konsultimi, duke synuar forcimin e masave kundër duhanpirjes në ambientet publike.

Aktualisht produktet e duhanit shiten kudo, në supermarkete, bare apo dhe restorante, duke e bërë lehtësisht të aksesueshme për duhanpirësit blerjen e cigareve kudo ku ata ndodhen.

Por, së shpejti një paketë cigare nuk do të mund të blihet më në markete, dyqanet e lagjeve apo supermarkete.

Një projektligj i hartuar nga Ministria e Shëndetësisë për ndryshimin e ligjit të duhanit kërkon që pikat e shitjes së produkteve të duhanit të kenë një licensë të veçantë.

Drafti për ndryshimin e këtij ligji synon që të kufizojë numrin e pikave të shitjes së këtyre produkteve në vend.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu nga pediatria e Durrësit ku inspektoi punimet tha se ky projekligj është ende në konsultim.

Ogerta Manastirliu: Do të ketë ashpërsim të masave sa i përket atyre subjekteve që pas vendosjes së disa gjobave vijojnë të thyejnë ligjin. Për këto raste do të propozohet deri në heqje të licencës.

Por projekltigji parashikon që të ndalojë edhe shitjen e paketave me 10 cigare apo më pak.

Roland Shuperka, ekspert i duhanit dhe pjesëmarrës në konsultime tregon se ky nen i draftit synon që cigaret të blihen më pak nga  qytetarët.

Roland Shuperka: Qëllimi është që mos të nxjerrin produkte në shitje me një çmim më të lirë që të bëhet i aksesueshëm për ata me të ardhura më të pakta.

Ora News - Cigaret nuk do shiten në markete, vetëm në pika të licensuara

SHKARKO APP