Cilët janë liderët dhe ambasadorët më me ndikim në BE
Nga Albana Bano/Portali i njohur politico.eu publikoi renditjen e shteteve të Europës (BE+vende kandidate) sipas fuqisë relative të kombinuar të liderëve dhe ambasadorëve të vendeve përkatëse në Bashkimin Europian, si dhe pritshmërisë së ndikimit të tyre në të ardhmen.
Në këtë renditje Gjermania zë vendin e parë për nga fuqia e lideres Angela Merkel, ndërsa Franca ka ambasadorin më të fuqishëm në Bruksel, Pierre Sellal. Gjithsesi, ndikimi i Gjermanisë nuk pritet të luhatet në muajt e ardhshëm, ndërsa fuqia e presidentit Hollande paraqitet si “më e ulët se kurrë”. Kjo rënie pritet të zvogëlojë ndikimin e Francës brenda BE-së.
Shqipëria renditet e fundit në listë (në vendin e 33-të). Nuk priten ndryshime në marrëdhëniet tona me BE-në, por vërehet se do vendi ynë “do të presë gjatë në radhë për t`u anëtarësuar” në Union. Për Malin e Zi (vendi 31) vlerësohet se shteti “është i dukshëm nga pikëpamja diplomatike, po pret të anëtarësohet në NATO dhe dominohet nga interesat e Rusisë”. Kurse për Serbinë (vendi 19) thuhet se “Vuçiç e ka treguar veten se është një lider të cilit mund t`i besohet”, por që “integrimi i Serbisë pengohet nga Kroacia”. Maqedonia zë vendin e 32-të dhe pas vendimit të presidentit Ivanov për faljen e disa të akuzuarve për korrupsion, nuk priten marrëdhënie të mira me Brukselin.
Sa për Turqinë, ajo është një nga vendet më me ndikim në BE, pavarësisht faktit se nuk është anëtare e Bashkimit Europian. Turqia zë vendin e pestë (5) në renditje, dhe nënvizohet se “kohët e fundit ia ka lidhur duart Unionit si pasojë e krizës së refugjatëve”.
Kriteret për përcaktimin e fuqisë relative të liderit përfshinë: stabilitetin e qeverive, kontrollin e plotë në drejtimin e vendit sipas një axhende të qartë politike, ndjekja e një strategjie të qëndrueshme, statusi i vendit në tryezën e BE-së, problemet që sjell në Union apo ngritja e çështjeve pikante, të qenurit aktiv në diskutime dhe iniciativa, fuqia bruto në varësi të përmasave të shtetit etj.
Ndërsa në përcaktimin e fuqisë relative të ambasadorëve, kriteret ishin të tilla si: zotësia e tyre në krijimin e aleancave me kolegët, sa eksperiencë kanë dhe çfarë sjellin si diplomatë në tryezë; a janë ata përfaqësues të shërbimit të jashtëm apo të partive politike; janë të parët apo të fundit që e marrin vesh një zhvillim të ri; janë të pavarur në vendimmarrje apo udhëhiqen gjithnjë nga qendra?
Bazuar në këto kritere, bie në sy fakti se në këtë kuadratin e tretë të matricës ku pozicionohen vendet e Ballkanit Perëndimor, ka dhe shtete anëtare të BE-së si Sllovakia, Sllovenia (25), Kroacia (vendi 30), Luksemburgu, Rumania (27), Bullgaria (28) etj.