Çmimi i naftës do të vazhdojë të bjerë gjatë gjithë vitit 2015
Ministri saudit i naftës, Ali Al Naimi ka thënë se çmimet e ulëta të naftës do ta stimulojnë ekonominë botërore. Ai ka thënë se Arabia Saudite nuk do ta shkurtojë prodhimin, edhe sikur çmimi për një fuçi të bjerë në 20 dollarë. Një politikë e tillë është duke e dëmtuar jashtë mase ekonominë ruse dhe po ndihmon vendet në zhvillim, siç është Kosova.
Në muajin qershor çmimi i naftës për një fuçi ka qenë 116 dollarë. Prej atëherë e deri më tani, i njëjti ka shënuar një zbritje prej -46%, ose 60 dollarë fuçia.
"Nuk është në interesin e OPEC-ut që të shkurtojmë prodhimin, në mënyrë që të rritet çmimi. Nuk ka lidhje nëse çmimi është 20, 30 ose 40 dollarë për fuçi. Ne do të vazhdojmë të prodhojmë me sasi të njëjtë", ka thënë Al Naimi.
"Bota mund të mos e shoh më çmimin prej 100 dollarë për fuçi", ka thënë ai.
Aktualisht çmimi i litrit të naftës dhe benzinës në Kosovë është afruar tek 1 euro për litër, ndonëse do të duhej të ishte edhe më lirë, marrë parasysh trendet globale.
Ndërsa në planin ndërkombëtar këto çmime më së shumti e godasin ekonominë ruse. Rusia është një faktor i rëndësishëm në prodhimin e naftës, mirëpo puset e naftës në Rusi janë shumë më të komplikuara se sa ato në botën arabe.
Rusia, sipas analistëve perëndimor, nuk ka benefit ekonomik të shes naftës e saj nën 80 dollar për fuçi. Kostoja e prodhimit të naftës në Rusi është shumë më e lartë se sa ajo në Arabi Saudite.
Vendet arabe, në anën e tyre, kanë leverdi ekonomike, edhe me çmimin e naftës për barel deri në 10 dollarë. Në këto vende nafta eksploatohet nëpër puse shumë të cekëta, derisa në Rusi, i njëjti proces është shumë më i ndjeshëm.
Sido që të jetë, këto janë lajme shumë të mira për ekonominë e vendeve në zhvillim, siç është rasti me Kosovës.
Një përfaqësues i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i ka thënë BBC-së se këto çmime të lira të naftës janë një infuzion i jashtëzakonshëm për ekonominë botërore.