Çmimi “Pashko”, 10 mijë dollarë për doktoraturën më të mirë liberale
Gramoz Pashko është cilësuar si mendimtari liberal më i rëndësishëm në Shqipërinë postkomuniste. Idetë, vizionet dhe qartësitë e të cilit vështirë se janë kapërcyer deri në ditët e sotme, përgjatë tranzicionit shqiptar drejt demokracisë.
Për të nderuar veprën, mendimin dhe emrin e profesor Pashkos, Fondacioni për Liri Ekonomike ka emërtuar çmimin “Pashko”, i cili do të jepet më datë 16 dhjetor 2014. Drejtori Ekzekutiv i FLE-së tha për MAPO-n se mbështetja financiare e çmimit “Pashko” do të jetë 10 mijë dollarë për punimin shkencor më të mirë me frymëzim liberal.
Promovimi i ideve liberale në ekonomi për herë të parë do të marrë një përmasë të tillë për ta kthyer më pas organizimin e këtij konkursi në një traditë të përvitshme, ku studiuesit e rinj në këtë fushë të nxiten dhe të promovohen edhe me botime në mbështetje të frymës së liberalizmit, ku flamurin e iniciatorit dhe mbështetësit të parë të saj e mban pa dyshim profesor Pashko.
“Ne inkurajojmë doktorantë apo doktorë të shkencave ekonomike që të dërgojnë punimin e tyre deri më datë 10 dhjetor në adresën e Fondacionit për Liri Ekonomike. Pas përzgjedhjes nga juria, që do të jetë e përbërë nga profesorë e akademike të njohur shqiptarë, punimi i çmimit “Pashko” do të promovohet më tej me anë të publikimit nga ana e Fondacionit për ta ndarë atë me politikëbërësit e publikun shqiptar. Duhet theksuar se fituesi i parë i çmimit “Pashko” do të shpallet më datë 16 dhjetor dhe do të mbështetet me një shumë stimuluese prej 10 mijë dollarësh. Në të ardhmen e afërt, Fondacioni për Liri Ekonomike do të ketë edhe dy çmime të tjera edhe për fushat e tjera, si letërsi dhe shkenca sociale”, – thekson Kadia
. Konkursi i lançuar që më 11 shkurt të këtij viti, në ditën e lindjes së ekonomistit Pashko, pritej të jepej në vjeshtë.
Shpallja e tij u shty për në dhjetor, pasi kriteri i pranimit të punimeve shkencore do të jetë vetëm në nivel doktoral, studentë në doktoraturë apo që kanë titullin doktor në fushën e ekonomisë.
FLE fton studentët shqiptarë që studiojnë brenda apo jashtë vendit, në fushën e ekonomisë, të sjellin punimet e tyre shkencore deri më 10 dhjetor pranë FLE-së.
"Mapo"