Çminuesit e Serbisë ‘vjelin’ një fushë vdekjeprurëse

Një granatë e pashpërthyer e gjetur në një vend ndërtimi në Beograd hodhi dritë mbi rrezikut me të cilin përballet ende Serbia – bombat e pazbuluara dhe minat e mbetura nga një shekull luftëra.

Nga Ivana Nikolic, BIRN

 

Mediat raportuan se pasi një granatë e kohës së Luftës së Dytë Botërore u gjet në fundjavë në një vend ndërtimi në lagjen Cucarica në Beograd, vendasit janë ende të shqetësuar se mund të ketë më shumë municion të pashpërthyera në zonën e pazbuluar përreth.

Zbulimi i granatës në Cukarica nuk është një incident i izoluar. Në vitet e fundit, sidomos që nga bombardimet e NATO-s në vend në vitin 1999, në Serbi janë gjetur shumë mina të pashpërthyera dhe bomba.

Një nga incidentet më famëkeqe ishte ai i vitit 2012 në Pasuljanske Livade pranë qytetit qendror serb të Cuprijas, kur dy kadetë nga Akademia Ushtarake Serbe vdiqën dhe shtatë të tjerë u plagosën pasi një granatë e mbetur shpërtheu.

Municionet e pashpërthyera, bombat dhe minat në të gjithë Serbinë kanë mbetur nga Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore, lufta në Kroaci në vitet 1991-1995, bombardimet e NATO-s dhe konflikti me kryengritësit shqiptarë në Serbinë jugore në vitin 2001.

Sot, 14 vjet pas konfliktit të fundit, 24 për qind e territorit të vendit mbetet në një lloj rreziku, tha Branislav Jovanovic nga Qendra e Aksionit të Minave, i vetmi organ shtetëror që ka të bëjë me operacionet e çminimit në Serbi.

Jovanovic tha se është bërë shumë që ky problem të trajtohet – të gjitha fushat e minuara nga vitet 1991-1995 në kufirin me Kroacinë janë pastruar, ndërkohë që mina të tjera dhe bomba thërrmuese mendohen të hiqen në dy ose tre vitet në vazhdim.

“Për momentin, te vetmet mina në Serbi janë ato në qytetin jugor të Bujanovacit, ndërsa atje ka edhe municion thërrmuese ndodhen atje, por edhe në Sjenicë, Rashkë dhe Tutin,” tha Jovanovic.

Ai shtoi se të gjitha vendet ku dihet se ka ende municione të pashpërthyera janë shënuar si duhet.

 ‘Një punë si çdo punë tjetër’

Një nga këto vende të shënuara është një ish-depo ushtarake në qytetin Paracin, në Serbinë qendrore, dhe aty ka municione të pashpërthyera, vend të cilin BIRN e vizitoi.

“Në Serbi ka rreth 14 vende ku depot shpërthyen, disa prej tyre datojnë prej Luftës së Dytë Botërore, dhe Paracini është një prej tyre,” shpjegoi Jovanovic ndërsa qëndronte para kazermave të Qendrës së Aksionit të Minave.

Një depo municionesh e Ushtrisë Serbe e ndodhur në rrethinat e Paracinit shpërtheu më 19 tetor 2006. “Deri tani, kemi gjetur rreth 13,000 copë municione të pashpërthyera nga depot,” tha Jovanovic.

Fushat aty pranë janë ende plot me pajisje të pashpërthyera dhe rreth 30 çminues serbë dhe rusë nga agjencia shtetërore e Emerkom e Moskës po punojnë aktualisht për pastrimin e tyre.

“Tani po hyjmë në një zonë të rrezikshme,” tha shoferi rus teksa i largoheshim kazermave dhe ndoqëm një rrugë të ngushtë drejt fushës. Ishte e pamundur të dilje nga makina, përveçse në disa zona të shënuara me litar të bardhë si zona të sigurta.

Në fusha, çminuesit e veshur në helmeta dhe kostume mbrojtëse punoni me detektues metali, tepër të përqendruar në detyrën e tyre.

“Kjo është një punë si çdo punë tjetër. Disa njerëz janë mësues, të tjerë janë doktorë. Disa janë çminues,” tha shoferi rus.

Goran Ilic, një nga drejtuesit e ekipit, tha se ai ka rreth 22 vjet që merret me çminime.

“Fillova në fushat e minuara në Bosnjë menjëherë pas luftës,” tha 50 vjeçari. Por puna në Bosnjë ishte më e vështirë sepse kishte shumë më tepër fusha të minuara. Ilic tha se 40 çminues vdiqën në Bosnjë para se ai të largohej për të pranuar punën që bën aktualisht në Serbi gjashtë vjet më parë.

Ai kujton se si një nga miqtë e tij vdiq gjithashtu nga një minë në Malin e Kopaonikut në Serbi në vitin 2013 – një aksident që theksoi qëllimin vdekjeprurës të pajisjeve të tilla shpërthyese. “Ajo minë po priste thjesht të vriste dikë, për këtë qëllim ishte vendosur,” tha ai.

Jovanovic shpjegoi se aty pranë ndodhen me dhjetëra pajije të pashpërthyera të cilat janë gjetur këtë vit – por këto janë thjesht një pjesë e vogël e numrit total me të cilin duhet të përballen në Serbi.

“Kur të mbarojmë me të gjitha këto, kemi edhe 150 bomba ajrore të cilat janë shumë më të vështira,” tha ai. “Përfundimi i punës mund të zgjasë deri në 20-30 vjet.”

SHKARKO APP