Dallkaukët

Nga Mitro Çela

Në publicistikën e Nolit dhe Konicës, ndër fjalët e përdorura pa doganë është “Dallkauk”. Duke pasur të pamundur të nxjerr shkakun pse ka hyrë si “pykë” kjo fjalë në replikat me “kripë dhe piper” të dy kolonjarëve të mëdhenj, hapa fjalorin e gjuhës shqipe. Fjala ka tre kuptime. Njeri lajkatar. Milet i pabesë. Mësallë me dy faqe.

Në vitet ’30-të. Një personazh i Konicës, lë Evropën ku ka bërë skoli për dhjatrua dhe vendos të punojë në Mamurras. Doktor zbret nga pampori në portin e Durrësit. Hyn në doganë. Doganieri më shumë delikatesë i thotë të hapi valixhe. Gjen brenda 7 palë këmishë. Po kaq këmishë…Pse kaq shumë? Pyeti doganier, duke rrudhur buzët…I ndërroj shpesh…Kujt do t’ja hedhësh,-tha me qesëndi doganieri. Unë ja dal me një këmishë…Të kapa…Do të bësh kontrabandë…Por këtu ka shtet!…Doganier dallkauk,- mendoi doktori që futi tre herë dorën në xhep: Për shtetin. Për doganierin dhe shefin e doganierit?!

Lëshova nga durt librin”Doktor Gjilpëra” dhe ju ktheva habereve të ditës.Disa taksidarë kanë deklaruar pasurinë. Mes të tjerave kanë shkruar e zeza mbi të bardhë, se kanë marrë para borxh, disa milionë lekë, nga miq e shokë. Gjë normale për miletin. Para e bardhë e mikut, për ditë të zeza të miletit. Por kur mileti bëhet taksidar, ndryshon meseleja. Kush janë miqtë që “hapin qesenë” për taksidarin? Kuptohet bizesmenë. Por bizesmenët paguajnë taksa e tatime. Po mori para borxh taksidari, kur vjen kontrolli, bën një vesh shurdh e një sy qorr. Ose siç llafoste sovrani në diktaturë: Raki e fortë, kontroll I butë!

Në listat e nëpunësve dallkaukë që “lypin” para borxh, janë edhe një takëm deputetësh! Ruana zot! Babai i kombi ka rrogë me yndyrë. 2 milionë lekë bashke me bonuset. Merr dieta. Rrëmben honorare po mori pjesë në mbledhje komisionesh. Importon pa doganë një makinë. Merr kredi për shtëpi, me interesa të “buta”! Del në pension 55 vjeç. Po të qëndroi katër vjet në parlament, merr si pensionist 30 përqind të rrogës së deputetit. Llogaritë e pensionit i bëhen mbi rrogën e pa tatuar të deputetit. Kur i ngrihet rroga deputetit, automatikisht i ngihet edhe pensionistit ish deputet.

Të gjitha hallall! Babait të kombit ja jep statusi, që vetë e kanë votuar në parlament. Por paratë borxh nga miqtë, pa interesa a nuk janë thelë mbi bisht? Kush na siguron, larg qoftë se këto para borxh, nuk janë “graso” për të lyer qerren e deputetit, për të bërë paudhësi, domethënë ndere e favore? Ja ku na doli edhe deputeti dallkauk…

Para borxh nga miqtë, marrin edhe prokurorët?! Çudi e mesme! Prokurori është gardian i igjit. E di më mirë se kushdo, se kodi i lejon të marri para me fajde. Por ligji kërkon një mik të tretë. Ky miku i tretë quhet noter, dhe çdo huamarrje bëhet më firmën dhe vulën e noterit…Kështu na dalin edhe disa prokurorë dallkaukë…

SHKARKO APP