Debat i ashpër mes Vokshit dhe Gjiknurit. Opozita kërkon kreun e Policisë në Komisionin e Zgjedhores
Është shoqëruar me debate mes opozitës dhe mazhorancës mbledhja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Opozita ka kërkuar që i pranishëm në sallë të ishte kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Albana Vokshi dhe Damian Gjiknuri u përfshinë në debate, pasi deputetja demokrate ka kërkuar shtyrjen e mbledhjes në një moment kur drejtori i i Policisë do të jetë i pranishëm.
Pjesë nga debati:
Vokshi: Unë propozoj që kjo mbledhje të mos zhvillohet me zëvendësdrejtuesit. Mund ta dinim më përpara, sepse duhet të kishte pasur një komunikim paraprak. Nuk ka gjë më të rëndësishme se Komisioni i Reformës Zgjedhore.
Gjiknuri: E mira do të ishte të ishte prezent drejtuesi i Policisë. Mos t’i ngatërrojmë rolet. Nuk kemi rolin të bëjmë Komision Hetimor; nuk po verifikojmë ngjarje këtu. Patjetër që për të gjitha eksperiencat tuaja negative do të flasim këtu, por ne jemi mbledhur për të marrë mendime se çfarë nuk ka shkuar mirë. Këtë gjë mund ta bëjë edhe nëndrejtori. Duro, se unë po të jap një diapazon më të gjerë. Nuk është jeta bardh e zi, e dashur.
Vokshi: Mua “e dashur” mos më thuaj.
Gjiknuri: Mirë, zonjë. Si të të them? E dashur armike?
Vokshi: Jam këtu anëtare e komisionit.
Gjiknuri: O, Albanë, të lutem. Ti je bardh e zi në mendjen tënde. S’ta ndërtoj unë jetën, s’ta bëj dot me ngjyra.
Vokshi: Mos u merr me jetën time personale, private. Je mësuar ta sfumosh rëndësinë e çështjes. Me mua, herë tjetër, mos e bëj.
Gjiknuri: Ishin batuta për të të shtensionuar.
KOHA JONË SONDAZH

