Debate në Kuvend mes opozitës e maxhorancës për huanë 300 milionë dollarë SHBA – Shqipëri
Jashtë Kuvendit protestë, brenda debate mes opozitës dhe maxhorancës lidhur me projektligjin në fushën e mbrojtjes me SHBA-në për huanë prej 302 milionë dollarësh.
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tha se marrëveshja është dëshmi e besimit të SHBA-ve ndaj Shqipërisë. Ajo parashikon investime për mbrojtjen edhe në kuadër të angazhimit që Shqipëria ka ndaj NATO-s. Vendi ka 48 muaj kohë për të aktivizuar fondet dhe 12 vjet për ta shlyer.
“Kjo është një marrëveshje historike për Shqipërinë, me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare të vendit, që konfirmon fuqishëm marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo është dëshmi konkrete e besimit që SHBA-ja ka ndaj Shqipërisë.
Shqipëria ka rritur angazhimin e saj për shtimin e shpenzimeve në mbrojtje dhe mbështet objektivin e ri të NATO-s për të arritur nivelin 5% të shpenzimeve për mbrojtjen. Siguria dhe mbrojtja janë prioritete strategjike për vendin.
Ky financim do të përdoret ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura, për pajisje dhe shërbime të mbrojtjes sipas standardeve më të larta të NATO-s. Fondet do të disbursohen gradualisht, në përputhje me nevojat konkrete të Ministrisë së Mbrojtjes.
Shqipëria do të ketë 48 muaj për aktivizimin e fondeve, ndërsa afati i financimit do të jetë deri në 12 vjet. Çdo përdorim i fondeve do të miratohet nga Agjencia Amerikane e Mbrojtjes, duke garantuar transparencë të plotë”, tha Balla.
Gazment Bardhi tha se opozita nuk është vënë në dijeni të marrëveshjes dhe se procedura e ndjekur është në shkelje të Kushtetutës. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së u shpreh se marrëveshja është e mirëpritur, por theksoi se qeveria nuk ka përmbushur angazhimet e saj për sigurinë si vend anëtar i NATO-s.
“Kushtetuta për ju është firma e Edi Ramës, për ne është kontrata që kemi lidhur me qytetarët shqiptarë. Na folët për një marrëveshje historike, por keni pasur 14 vite kohë për të përmbushur angazhimet në buxhetin e mbrojtjes. Na thoni ne që nuk e kuptojmë marrëveshjen? Kur ju e quajtët NATO-n ‘natë’, ky grup firmoste anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Buxheti i mbrojtjes së Shqipërisë është ende më pak se 2% e PBB-së, në kundërshtim me angazhimet e marra në NATO, ndërkohë që Rama mburret publikisht duke gënjyer. Qeveria po përpiqet të korrigjojë me nxitim dëmin që i ka shkaktuar besueshmërisë së Shqipërisë.
Ne nuk e disponojmë marrëveshjen dhe ajo nuk na është vënë në dispozicion. Marrëveshja është e mirëpritur, sepse Shqipërisë i duhen investime të tilla. Megjithatë, reagimi është i vonuar”, tha Bardhi.
Ndërkohë, Kryetari i Kuvendit i ka ftuar ata të shkojnë ta lexojnë marrëveshjen pasi të firmosin për konfidencialitetin e saj.
KOHA JONË SONDAZH

