Debate në Kuvend për paralajmërimin e SHBA. Opozita: Të mblidhet Këshilli i Sigurisë! Qeveria: S’ka rrezik
Seanca e sotme në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur me debate sa i përket paralajmërimit të bërë dje nga Ambasada Amerikane në Tiranë për sulme të mundshme që Irani mund të ndërmarrë ndaj vendit tonë.
Opozita e ka cilësuar si një paralajmërim serioz dhe kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ndërsa mazhoranca nga ana tjetër thotë se nuk ka vend për panik dhe aktualisht ndaj Shqipërisë nuk kanoset asnjë rrezik.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka kërkuar në Kuvend prezencën e kryeministrit Edi Rama, për të cilin thotë se duhet të japë llogari se çfarë masash janë marrë për të garantuar sigurinë në vend.
“Ne kërkojmë që Rama të paraqitet në seancë dhe të japë shpjegime për deputetët për 3 çështje, pse e cilësoi hamendeshim paralajmërim e SHBA për synimet me vullnet të keq me Iranin, a ka koordinim mes partnerëve ndërkombëtarë për çështjen dhe çfarë informacionesh ka shkëmbyer qeveria shqiptare me SHBA? A ka një vlerësim zyrtar të institucioneve shqiptare për situatën e sigurisë në lidhje me çështjen e Iranit dhe çfarë masash parandaluese janë marrë dhe cilat janë strukturat e angazhuara në këtë çështje?”, tha Bardhi.
Bardhit iu përgjigj Taulant Balla, i cili tha se Shqipëria është një aleate e palëkundur e SHBA dhe se ka pasur mbështetjen e tyre sa herë Shqipëria ka qenë shënjestër e Iranit.
“SHBA e ka mbështetur Shqipërinë kur ne kemi qenë shënjestër e sulmeve të regjimit iranian, jemi shumë krenarë që në Kuvend kemi miratuar një deklaratë që për turpin tuaj nuk morët pjesë he pastaj për turpin tuaj dolët e i shpallët lutë Iranit”, tha Balla.
Fjalën e mori dhe ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, i cili tha se Shqipëria është në kontakt të vazhdueshëm me SHBA dhe NATO dhe se nuk ka asnjë arsye për të ngritur alarm apo për të përhapur panik te qytetarët.
“Janë çështje që Ministria e Jashtme merreT më mënyrë të posaçme, siguroj që ne i ndjekim me shumë vëmendje deklaratat e partnerëve tanë, jemi në kontakt me ata këtu dhe në Uashtington, jemi në kontakt me NATO-n. Dua të them që nuk ka asnjë arsye për të qenë të alarmuar”, tha Hoxha.
KOHA JONË SONDAZH

