Degradimi pafund i gjuhës politike!

 

Nga Ben Andoni

Ka një cep në Hyde Park në Londër ku seicili mund të ngjitet në një podium t’vockël dhe të flas që andej duke shpalosur hapur idetë e tij. Nëse qëllon atypari, apo që të ketë njerëz dhe personazhi të jetë bindës, do ketë gjithnjë një luzmë që e ndjekin me kërshëri ose qoftë dhe të fitojnë diçka nga akumulimi i mendimit të folësit.

Sikur të ndodhte kështu, pak qindra kilometra më tej, folësit e parlamentit shqiptar, do të ishin vërtetë të devotshëm, nëse do të shpalosnin diçka të vyer dhe brenda një etike..

Vetëm se rrallë herë dëgjon argumente realë, përveç fjalimeve të parapërgatitura bezdisëse, apo fjalorin e përdorur nga deputetët shqiptarë që është jo vetëm banal, por edhe tejet agresiv. Dy eksponentë të vazhdueshëm të kësaj salle Taulant Balla dhe Edi Paloka, por jo më pak dhe kryeministri Rama dhe ish-kryeministri Berisha janë bërë pasqyra ku mund të shihet degradimi deri në fund i gjuhës politike shqiptare. Në një vështrim, të themi retrospektiv, gjuha politike ka rrëshqitur në kufijtë më të ulët historikë të përdorimit të saj. Dita e Enjte është kthyer pa asnjë mëdyshje në ditën e argëtimit kombëtar, kur politikanët nga foltorja e pretenduar si më e fismja e vendit, shajnë pa teklif kurse me lloj-lloj metaforash banale akuzojnë deri në vdekje njëri-tjetrin.  Dhe, sapo kjo gjuhë apo sintaksë “hyn në përdorim, ajo ka prirjen për t’u riprodhuar pafundësisht, sepse njeri kod gjuhësor sjell tjetrin që i vjen për shtat atij”, citojmë Fugën. Sot, ky kod ka shtrirje të pafund në shtresat e shoqërisë shqiptare.

Në fakt, sociologët edhe këtu e shohin një qëllim. Njësoj si shumë nga individët e huaj që nxijnë vazhdimisht në raportet e tyre Shqipërinë, debati fiktiv që pason këtë retorikë, por që mbetet i dhunshëm do të na tregojë se këta janë njerëzit e vetëm që punojnë dhe mbajnë hallet e të gjithë neve popullit. Ky spektakël me të gjithë elementet butaforikë që mban sot të mbërthyer shumë shqiptarë të etur për thashethemnajat, është rruga e vetme që e bën publikun të interesohet për politikën! Madje, në gjuhën e tyre të urrejtjes që shpesh s’njeh asnjë kufi etik, deputetët politikanë e përdorin në dy kahet (edhe kur e marrin dhe kur e japin) si mbrojtëse të identitetit të tyre real, pasi rrallë herë individi denigrohet për problemin, në më të shumat e herës ata bërtasin thjesht për gjëra fare anësore. “Gjithsesi, poshtë gjuhës së ashpër fyese diçka qarkullon si informacion për qytetarin. Prandaj paradoksalisht, aktualisht, në kushtet specifike të kohës dhe vendit ku jetojmë, qytetari më shumë ka interes që kjo gjuhë të jetë e pranishme sesa gjithçka të bëhet opake dhe politika të mbyllet krejtësisht në vetvete”, citojmë në një shkrim të tijin Artan Fuga. Duke e lënë të hapur idenë, që të ngrihen njëherë, të paktën njëherë, në një bankë hipotetike dhe të thonë se çfarë mund të shërojnë në vendin tonë, pa nëpërkëmbur të tjerët.

SHKARKO APP