Dekoratat e kufomave V.S. barkut të t’gjallëve
Nga Ben Andoni/
Kanë qenë të frikshme shifrat e paraqitura tre ditë më parë në një aktivitet, sa i përket jetës së fëmijëve jetimë. Dhe, jo shumë kohë para tyre, një shqetësim po kaq të madh për vendin, e paraqiti komuniteti rom për strehimin. Por ndërsa komisionet përgjegjëse të parlamentit, që merren me çështjet sociale, e justifikuan se për romët nuk mund të angazhoheshin, për shkak të zërit kaotik të tyre, nuk mund të thuhet kështu për jetimët.
I gjithë mjedisi, ku ngrihet ky shqetësim, vjen kur kuvendi shqiptar është mbledhur dhe vazhdon parodinë dypalëshe të akuzave reciproke. Kështu, seancën e fundit plenare për këtë sesion parlamentar, Opozita depozitoi një projekt rezolutë për heqjen e dekoratave, titujve dhe medaljeve për ish-zyrtarë të komunizmit, etiketuar si xhelatët e diktaturës, kurse ish-kryeministri Rama iu përgjigj me propozimin e disa amendamenteve për heqjen e medaljeve edhe për ish-anëtarët e byrosë politike.
Kuptohet se nuk ka asgjë të keqe dhe duhet vlerësuar. Përveç faktit se të dy partitë, që e kanë drejtuar vendin në këto 25-vjet, kanë pasur mundësi ta bënin këtë ligj prej kohësh, kur shumë prej objekteve të tyre ishin gjallë, kurse ky angazhim është nga gjërat më skajore që i shkon ndërmend vendit dhe të rinjve shqiptarë, që as nuk e dinë dhe nuk u intereson se cilët ishin njerëzit e Byrosë Politike.
Aman, po të kthehesh në problemin e jetimëve është vërtetë trishtuese, kur dëgjon se Shqipëria me 2.8 milionë banorë ka 184.000 fëmijë në nevojë , të cilët përfshihen në skemën e ndihmës ekonomike shtetërore, ku 31.000 fëmijë janë të kategorisë së jetimeve. Theksojmë se vetëm një pjesë e vogël prej tyre marrin asistencë sociale, që mbulon as më pak e as më shumë sesa 5 % të nevojave minimale të jetesës. Por s’mbaron këtu: kur mendon se një pjesë të konsiderueshme të 100.000 personave me aftësi të kufizuara, e përbën një numër i madh jetimësh dhe romësh, që gjenden sot në zgrip të varfërisë.
E sa për shifrat e romëve janë edhe më të frikshme, por mbase nuk është vendi dhe koha për t’i përmendur këtu, pasi kakofonia që përcjell zërin e tyre dhe mbi të gjitha OJQ-të e ndryshme i kanë dëmtuar pa masë.
Ndaj, në vend që parlamenti shqiptar të merret realisht me përmirësimin e kuadrit ligjor por edhe me kontrollin e skemave sesi abuzohet me romët dhe jetimët, energjia më e madhe humbet për sherre dhe komunizmin, që realisht ka vdekur prej kohësh mes shqiptarësh.
Kjo e shpjegon thjesht sepse njerëzit s’kanë besim dhe vetëm sodisin gjithçka flitet në atë parlament, sepse megjithëse gjendja është parashtruar vazhdimisht, skemat e abuzimit me jetimët vetëm sa sofistikohen, dhe nuk marrin fund. E të mendosh se për rastet e veprimeve kriminale me fëmijët jetimë, me abuzimet në emër të tyre, ka shërbyer edhe apeli i një armate të tërë aktorësh seriozë që nga UNICEF-i, Save the Children, apo dhe Amnisty International, atëherë e kupton vetë seriozitetin e parlamentit tonë. Dhe, nuk mbaron këtu, sepse strukturat dhe deputetët e parlamentit të rreshtojnë pa fund argumente sesi kanë ngritur njësi, sesi po përmirësojnë kuadro ligjore, por nuk dinë të të thonë të thjeshtën: pse jetimët dhe romët janë gjithnjë e më keq. Madje, shumë më keq, sesa ata që do të dorëzojnë dekoratat dhe që e bënë dhe njëherë parlamentin të harxhojë energjinë për kufomat në vend të ishte pak më njerëzor për barkun e skamnorëve shqiptarë të shekullit XXI (Java).