Demokracia në Shqipëri dhe ndërkombëtarët…

 

KOMENT

Nga Bedri Çoku

Pas epërsisë së padiskutueshme të pushtetit të së majtës në Shqipëri, në këto 24 vjet pluralizëm, për ata që e kanë kundërshtuar qeverisjen e partisë demokratike qysh në fillimet e pushtetit të saj, sot u lind e drejta e zotit të deklarohen hapur largpamës dhe demokratë të vërtetë, që e parashikuan rrezikun e marrjes së pushtetit, si dikur, në komunizëm, nga të rinjtë e “ Partisë së Rilindur Socialiste”. Pa shume filozofi dhe aftësi analitike, çdonjeri i ndërgjegjësuar në fillimet e viteve njëmijë e nëntëqind e nëntëdhjetë, për pluralizmin politik në Shqipëri, e ka të lehtë ta bëjë retrospektivën e ngjarjeve gjatë një çerek shekulli të shkuar. Dikush mund të buzëqesh kur them se shqiptarët e morën me mendje të lehtë pluralizmin. Nuk mund të ndodhte ndryshe kur atë e sollën vetë komunistët me “dëshirën” e tyre për të “lëvruar edhe antikomunzmin”. S’mund të kuptohet ndryshe kur ata u larguan paqësisht nga pushteti, pasi në krye të “opozitës antikomuniste”, u infiltruan njerëzit më të besuar nga radhët e tyre… të cilët më vonë u tallën me shtresat e “burgaxhinjëve” e të ”malokëve”, ngaqë e patën  “marrë pushtetin” pa zbrazur asnjë pushkë… Ndërsa shtresat e të burgosurve dhe të internuarve politikë, të cilët pas vitit 1991, dolën nga katakombet e komunizmit jo vetëm të lodhur e të rraskapitur, por edhe të paaftë për të ndërtuar e drejtuar një shtet të varfër ekonomikisht, me njerëz të indoktrinuar skajshmërisht me ideologjinë e tmerrshme të luftës së klasave dhe primitivizmin e ideologjisë enveriste, që thoshte se: “Për të mbajtur pushtetin sa më gjatë të jetë e mundur, duhet forcuar sa më shumë lufta e pamëshirshme e klasave, përballë cilitdo kundërshtari !”… Në këto kushte ata u detyruan t’i dorëzoheshin adhurimit që kishin për vendet perëndimore demokratike, dashamirësisë së tyre për shqiptarët… veçanërisht antikomunizmit dhe pranisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri…

Kalimi paqësor i pushtetit nga komunistët tek “opozita”, në vitin 1992, për hir të pluralizmit në Shqipëri, fatkeqësisht u pagëzua edhe nga ndërkombëtarët. Shtresave të ndëshkuara egërsisht për dyzetë e pesë vjet”, me këtë rast iu la të kuptohet se edhe për ca kohë ata do të drejtoheshin sërish nga ish – komunistët, nën garancinë e ndërkombëtarëve, deri në vendosjen e Shteti Ligjor në Shqipëri, i cili, me siguri do të dënonte krimet dhe kriminelët e diktaturës…

Mirëpo, kjo gjë jo vetëm nuk ndodhi përgjatë këtyre dy dekadave, por s’u lejua në asnjë rast të ndodhte pa pëlqimin e tyre. Nuk kam dëgjuar ende asnjë politikan, apo analist të politikave në Shqipëri, të cilitdo krahu politik qoftë, të hedh për diskutim, me shkrim apo në emisionet “debat”, që zhvillohen në panelet e televizive kombëtare, për të shpjeguar pse ndërkombëtarët nuk e kanë lejuar dhe s’e lejojnë ende Shtetin Ligjor në Shqipëri, nëpërmjet të cilit populli shqiptar do të realizonte një nga ngjarjet madhore të zhvillimit të tij, Pajtimin Kombëtar, duke realizuar realisht kalimin e vështirë të “kapercyellit të ndërgjegjes” aq të rëndësishëm për të ardhmen e tij…

Shtetet perëndimore asistojnë në Shqipëri jo vetëm në rang ambasadorësh, por të angazhuar në shumë raste gati me performancën e një Protektori. Sa herë kanë dashur të mos dështojnë në një aktivitet, sipas tyre, me rëndësi kombëtare për Shqipërinë, ata përveshin krahët vetë dhe zgjidhja, me patjetër do të shkojë atje ku e dëshirojnë. Mjafton të kujtojmë rastet e zgjedhjeve, kur, domosdoshmërisht, sipas tyre, duhej të kryhet cikli i rotacionit politikë, kjo pa ndërhyrjen e tyre s’ka pasë çare të ndodhte. Rasti më kuptimplotë, pas fitores së të majtëve në 2013, kur komunistët filluan të demonstrojnë në mes të ditës dhe në prani të pushtetarëve të forcës fituese portretet e diktatorit Enver Hoxha, qortimi i ambasadorit amerikan se “Diktatori ishte një monstër”, i fashiti menjëherë nga skena politike portretet e tij. Ndaj më lind e drejta të them se zgjidhjet e çështjeve madhore për të ardhmen e shqiptarëve, siç është dënimi i krimeve të komunizmit, me ç’rast do të bëhej dhe Pajtimi Kombëtarë, do të ishte me inertes të jashtëzakonshëm, jo vetëm për popullin që vuajti mizoritë e diktaturës, por edhe për persekutorët vetë dhe familjarët e tyre, do të ishte një arritje e madhe për t’u çliruar njëherë e përgjithmonë nga barra e rëndë e së kaluarës së ngarkuar me probleme të mëdha morale e ligjore…Nuk mund të ketë përparim në një vend si Shqipëria ku, Drejtësia, elementi më i rëndësishëm për harmoninë e një shoqërie, mungon:…Si mundet të ketë standarde morale dhe demokratike në një shoqëri posdiktaturiale, të egër staliniste, kur ajo, edhe pas një çerek shekulli, nuk ka bërë ende divorcin me të kaluarën e vet kriminale? Vazhdon ende të qeveriset po nga e njëjta klasë politike e indoktrinuar dhe me komplekset e egra të së kaluarës, me nostalgjinë e “udhëheqësve të lavdishëm”, që frymëzonin urrejtjen dhe përçarjen e shtresave të shoqërisë sonë, vetëm e vetëm për të sunduar mbi bashkëkombësit e vet?… Që ndau dhe armiqësoi shqiptarët me njëri – tjetrin, me doktrinën çnjerëzore të luftës së klasave, me teorinë banale : “Njerëz të mirë e njerëz të këqij ”: “Të mirë”, për ata që i shërbenin diktaturës dhe  “ Të këqij”, ata që nuk e mbështesnin atë regjim gjakatar ?

 Pra, shqiptarët dolën nga diktatura të ndarë më dysh: Ata që sunduan dhe ata që vuajtën nga sundimi i tyre… Por, edhe ata që mbështetën me hir ose me pahir diktaturën, dolën nga regjimi i tyre të lodhur e të rraskapitur, ndoshta me dëshirën e madhe për të jetuar në paqe dhe harmoni…në një shtet të së drejtës, por vazhdimësia në pushtet edhe në pluralizëm, me të mirat që u solli liria dhe ekonomia tashmë e decentralizuar, i bëri më të pasur e më tamahqar për të fshehur të kaluarën e për t’i sunduar si më parë bashkëkombësit e vet, falë edhe tolerancës së ndërkombëtarëve…

Ndaj, të zhgënjyer, shqiptarët u turrën dhe vazhdojnë të turren drejt Perëndimit me çdo sakrificë për të parë lirinë e vërtetë dhe mirëqenien, për të mësuar demokracinë dhe mirësinë njerëzore… Ndodhi vërtetë sipas një barcalete të përhapur në diktaturë, në fillim në Shkodër, pastaj në të gjithë Shqipërinë, se një pjesë e shqiptarëve do të vdisnin në kufi nga turra e njerëzve për të ikur sa më parë nga Shqipëria, sapo të shembej kloni i diktaturës… Ata që mbërritën atje u mahnitën nga rregulli dhe disiplina e njerëzve ndaj ligjeve të shtetit demokratik, nga mirëqenia e njerëzve të kulturuar dhe human… Disa thirrën të gëzuar : “JA KËSHTU DO TË BËHET DHE SHQIPËRIA E JONË !”…

Fitorja e bujshme e pushtetit të së majtës në Shqipëri, pas 24 vjetësh në pluralizëm…me të drejtë ka ngritur pyetjen e frikshme: “Kjo që po ndodh në Shqipëri është dështimi i Partisë Demokratike, apo i ndërkombëtarëve? A e dini pse? Sepse Partia Demokratike nuk e vuri në asnjë rast në zbatim strategjinë e saj kinse antikomuniste, për të integruar shtresat kundërshtare të komunizmit dhe për t’u kthyer pronarëve të ligjshëm pronat e grabitura… Përkundrazi, ajo i largoi dhe i denigroi mbështetësit e vërtetë antikomunistë, ngaqë ata kërkonin reforma të thella për të përmbysur realisht ideologjinë komuniste dhe forcën sygjestionuese të saj në politikë, ekonomi dhe drejtësi… Ajo iu largua origjinës me të cilën erdhi në pushtet. Ndryshe nga të majtët që nuk e braktisën kurrë dhe në asnjë rast origjinën e tyre të marrjes së pushtetit me çdo mënyrë… Ndërsa, garantët për krijimin e Shtetit Ligjor dhe pajtimin kombëtar, aq të domosdoshëm në Shqipëri, ndërkombëtarët, mbledhin buzët të pakënaqur teksa shohin të ndërtohet dinastia e të pasurve me njerëzit e diktaturës dhe pinjojtë e tyre në Shqipëri… Ngrenë supet herë pas here nga dështimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe na ngushëllojnë : “Megjithatë, këto zgjedhje janë më të mira se të parat!”

SHKARKO APP