Demokracia – produkt i zhvillimit të shoqërisë
Nga Ferit Baça
Ndonëse në thelb praktika dhe përmbajtja e termit “Demokraci” ka të bëje me vlerat, virtytet dhe praktikat e zbatimit të saj, etimologjia e fjalës demokraci vjen nga fjala demos – popull, dhe nga fjala tjetër, kratos – forcë, pushtet. Pra, qeverisje e popullit. Demokracia si “pushtet i popullit” është një ideal i lashtë dhe me kohështrirje të gjatë historike. Ndërkohë, parimet dhe vlerat që përbëjnë themelet e institucioneve moderne që e shoqërojnë atë, si liria politike, votimi i përgjithshëm, pluralizmi politik dhe asambleja përfaqësuese nuk kanë veç një ose dy shekuj që janë krijuar. Jo vetëm nga përcaktimi i Linkolnit mbi demokracinë, si “Një qeverisje e popullit, nga populli dhe për popullin”, por edhe nga trashëgimia e vyer mijëravjeçare si edhe ata bashkëkohorë, dalin në pah rrënjët ushqyese të saj; filozofikë, politikë, juridikë, por edhe si një sistem real e funksional.
Njëlloj si vlera e diellit për universin, janë edhe aspiratat për liri dhe demokraci të popujve për zhvillimin e shoqërisë njerëzore. Në këtë kuptim, pohojmë se të gjitha sistemet politiko-shoqërore u duhet të kalojnë patjetër në “radioskopinë” e kërkesave për liri dhe demokraci të popujve, thënë më shkurt; këto sisteme politiko-shoqërore dallohen nga njëri-tjetri nga shkalla e zotërimit të lirisë dhe demokracisë. Sikurse çdo fenomen tjetër jetik edhe liria e demokracia përjetojnë dëshirën e natyrshme të popujve, një prirje kjo, që i duhet të përballojë “armiqtë” e saj të përjetshëm, etjen për sundim, pabarazinë sociale, ndryshimet dhe diferencat kulturore, sociale, ekonomike, etj.
Me pak fjalë, demokracia mbetet zbatimi dhe mishërimi i lirisë në jetën demokratike të një populli. Mbi bazën e këtyre dy shtyllave themelore të një shoqërie ngrihen sistemet politike të pushteteve; ekzekutivit, legjislativit dhe ai i drejtësisë, pa të cilat një shoqëri nuk mund të quhet demokratike. Demokracia është sistemi që garanton dhe harmonizon detyrat dhe të drejtat e individit me ato të shoqërisë. Të drejtat përbëjnë elementet më themelorë dhe ndërtues të një qeverisjeje demokratike. Përballë kërkesave për të drejta më të mëdha në jetën e përditshme si dhe për një pjesëmarrje më aktive e vendimmarrëse në organet e sistemit ligjvenës, qeverisës, dhe atë të drejtësisë, shoqëria njerëzore e çdo vendi shtron nevojën e përmirësimit të tyre të pandërprerë. Demokracia lulëzon atëherë kur për të kujdesen qytetarë që janë të gatshëm që me lirinë e fituar me sakrifica, të marrin pjesë në jetën shoqërore duke shprehur mendimet e tyre në debate; duke zgjedhur përfaqësues që e kanë treguar veten të denjë me veprimet e tyre; dhe duke pranuar nevojën e tolerancës dhe të kompromisit në jetën shoqërore.
Duke u njohur me konceptet e hershme mbi demokracinë dhe të regjimeve të aplikuara në qytetet – shtete të Greqisë së lashtë, vërehen me lehtësi ndryshimet thelbësore që ajo ka pësuar në formë dhe përmbajtje. Demokracia është pasuruar, rishikuar dhe përpunuar në përputhje me kërkesat e kohës dhe të vetë popujve. Sot, termi demokraci përdoret jo vetëm për të karakterizuar marrëdhëniet politike në një shoqëri të caktuar, por edhe për të gjykuar dhe për të përcaktuar formën e qeverisjes, karakteristikat e tij si dhe sistemin politik. Pra nocioni demokraci ngrihet mbi parimin, se njerëzit në tërësinë e tyre përbëjnë bazën, themelin mbi të cilin ngrihet e tërë jeta politike e shoqërisë. Ata janë burimi i vetëm i pushtetit, ndërsa interesat dhe mirëqënia e tyre përbëjnë qëllimin përfundimtarë të qeverisjes. Në demokraci, pushteti politik bëhet i ligjshëm vetëm kur ai buron nga populli. Pushteti mund të jetë rrjedhojë e vullnetit të lirë të popullit si një i tërë, ku çdo individ është i lirë të bëjë zgjedhjen politike që i intereson. Demokracia përfshin sundimin e shumicës dhe respektimin e pakicave për faktin, që ato janë pjesë e popullsisë dhe për këtë arsye duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë. Ose më mirë të themi, demokracia është sistemi që u siguron barazinë pakicave. Nga kjo pikëpamje, demokracia shihet si forma e organizimit politik, që siguron sundimin e shumicës dhe respektimin e pakicës, duke krijuar dhe hapësirat për konkurrencën e lirë të alternativave politike. Demokracia është ajo formë e organizimit politik, që mundëson konkurrencën politike për alternativat e ndryshme të zhvillimit ekonomik, që siguron nismën e lirë dhe pronën private. Por mjaft qarqe të caktuara e përdorin konceptin e demokracisë për të maskuar qëllimet e tyre të mbrapshta duke goditur apo reduktuar të drejtat themelore të njeriut, për të shtrembëruar thelbin e demokracisë me anë të zbatimit vetëm të disa elementëve të saj, për të keqinterpretuar interesat e një pjese si interesa të të gjithë shoqërisë.