Depresioni pas lindjes, sëmundja që nuk kurohet nga paragjykimi
Në Shqipëri nuk ka një statistikë për këtë sëmundje shumë të përhapur tek nënat e reja. Studime të pjesshme flasin për shifra që arrijnë në 23%, mbi dyfishin e mesatares botërore. Mjekët dhe psikologët pohojnë se femrat me probleme të shëndetit mendor kanë shumë frikë nga paragjykimi, ndërsa mungon kultura e ndihmës psikologjike nga bashkëshorti apo familjarët
Alket Aliu
Depresioni pas lindjes është një ndër sëmundjet më të përhapura sot në botë dhe Shqipëri. Prek një pjesë të madhe të nënave të reja, pa dallim moshe. Edhe në vende të zhvilluara, shpeshherë kjo është një sëmundje e nënvlerësuar. Por në Shqipëri shumë më tepër. Jo vetëm në zonat rurale, por edhe në kryeqytet.
Rrëfimi i Linditës
Lindita S. është një 25-vjeçare nga periferia e Tiranës që ka sjellë në jetë foshnjën e saj rreth një vit më parë. Ajo thotë se ka patur shumë probleme pas lindjes. Ka menduar edhe të vrasë veten. “Sot jam më mirë, por nuk e imagjinoni dot si isha përpara disa muajve. Isha vazhdimisht e lodhur dhe e mërzitur, me një ndjenjë ankthi të vazhdueshme. Mendoja se nuk do arrija dot ta doja ndonjëherë vajzën time. Më vjen zor ta them, por e shikoja me urrejtje kur i jepja për të pirë. Bashkëshorti im më thoshte vazhdimisht se një fëmijë nuk na duhej me këto halle që kemi, pasi në familje vetëm unë isha në punë. Ndërsa vjehrra më kërkonte orë e çast të ngrihesha për të bërë punët e shtëpisë dhe më përplaste në fytyrë faktin se e kishte lindur djalin e saj në arë dhe dy ditë më pas ishte rikthyer për të punuar tokën. Kjo sikur më shtonte ankthin. Turp është ta them, por fillova të urreja të gjithë: Vajzën time të porsalindur, vjehrrën, bashkëshortin, kunatën, prindërit e mi, madje edhe veten time”.
Lindita thotë se në Shqipëri nuk vizitohej dot tek mjeku. Kishte frikë se mos familjarët mësonin se kishte probleme psikike dhe mund ta shikonin si të çmendur. “Kisha frikë mos më mbyllnin në ndonjë spital psikiatrik. Fola me motrën në Itali, ajo bisedoi me një mjek dhe më dërgoi një ilaç që quhej Cipralex”.
Frika nga opinioni
Frika nga mjeku apo psikologu është e ndjeshme në Shqipëri për nënat që kanë frikë mos i etiketojnë për problemet psikike. “Shpeshherë nënat e reja e kalojnë pa asnjë trajtim, thotë mjekja e maternitetit “Koço Gliozheni”, Sonila Pashaj. Por mungesa e këtij trajtimi mund të shkaktojë degradimin e gjendjes shëndetësore”.
Në të vërtetë, janë probleme shëndetësore që vijnë për arsye të ndryshimeve fiziologjike dhe nuk ka asgjë për të patur frikë.
“Gjatё shtatzënisё, lindjes dhe pas lindjes, gratё pёrjetojnё ndryshime tё natyrës, biologjike, psikologjike dhe sociale si rrjedhojë e ndryshimeve fiziologjike dhe kërkesave tё shtuara që ushtrohen pёr rritjen e fёmijёs”, shpjegon psikologia Daniela Meçe, zv/dekane e Fakultetit të Edukimit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Meçe ka kryer një studim pikërisht për çështjen e depresionit pas lindjes.
“Rreth 85% e grave pas lindjes së fëmijës përjetojnë atë që quhet “baby blues”, një term që përdoret për të përshkruar një sërë ndryshimesh emocionale që përjetojnë nënat në ditët e para të pas lindjes dhe mund të zgjasë nga disa ditë deri në dy javë pas lindjes”, thotë psikologia.
Nëse kalojnë këto javë dhe problemet vijojnë, sipas të gjitha gjasave, nëna ka nevojë për trajtim mjekësor. Është e prekur nga sëmundja.
Sa janë gratë e prekura?
Statistikat në vendet perëndimore tregojnë se 11-15% e nënave të reja e kalojnë periudhën pas lindjes me simptomat e depresionit. Por në Shqipëri nuk ka statistika të sakta. Përgjegjësja e Sektorit të Shëndetit Mendor në Institutin e Shëndetit Publik, Jonida Haxhiu, thotë se nuk ka shifra për përhapjen e kësaj sëmundjeje te nënat e reja në Shqipëri.
Ajo që dihet është se, në vendet në zhvillim, shifra lëviz nga 15-19%. Por psikologia Daniela Meçe, që ka realizuar një studim pikërisht për këtë temë, thotë se në konsultoret e Tiranës ka konstatuar se kjo shifër arrin në rreth 23%. Në zonat rurale mendohet edhe më e lartë.
Problemet e shëndetit mendor janë shtuar sot në gjithë botën. Edhe depresioni pas lindjes. Por problemi më i madh duket edhe gjëja më e thjeshtë: Të mirëkuptosh.
Mjekja Sonila Pashaj: Mungesa e trajtimit mund të degradojë sëmundjen
Cilat janë problemet që shoqërojnë nënat e reja dhe sa të predispozuara janë për të kaluar në gjendje depresive pas lindjes? Sa e njohin këtë sëmundje nënat dhe familjarët e tyre dhe pse nuk kërkojnë ndihmën e mjekut? Cila është kura më e mirë? Për të gjitha këto përgjigjet mjekja e maternitetit “Koço Gliozheni”, Sonila Pashaj. Ajo shpjegon se mungesa e trajtimit mund të pasohet nga një rëndim i situatës shëndetësore
Intervistoi për Albanian Free Press: Alket Aliu
Sa i përhapur është te nënat e reja depresioni pas lindjes?
Depresioni post partum prek rreth 13 % të nënave, pas përfundimit të një shtatzënie është një ndër sëmundjet me denduri më të madhe por që shpeshherë nënat e reja e kalojnë pa asnjë trajtim. Janë të shumta rastet kur e mbartin këtë sëmundje, por nuk e kuptojnë se çfarë kanë dhe as familjarët e tyre nuk i kuptojnë. Në dijeninë time, ka studime të pjesshme, por nuk ka statistika të plota për të kuptuar dimensionet e kësaj sëmundjeje dhe, për më tepër, për të bërë krahasime edhe me vende të tjera.
Në çfarë mënyrash shfaqet dhe sa kohë pas lindjes?
Simptomat më të shpeshta përfshijnë: takikardinë (rrahje të shpeshta të zemrës), mungesën e oreksit, gjendje ankthi, dhimbje stomaku, dhimbje koke, humbje e dëshirës për aktivitetit seksual, qarje të zgjatur pa periudha pushimi, mungesë orientimi etj.
Cilat kategori shoqërore grash dhe vajzash prek më shumë dhe në cilat grupmosha?
Ka shumë shkaqe që e shkaktojnë, por më së shumti kanë të bëjnë me aspekte të gjendjes ekonomiko-shoqërore dhe mënyrës se si nënat e përjetojnë shtatzëninë. Një nënë që e përballon një situatë të tillë e vetme apo pa mbështetje nga familjarët është më e rrezikuar. Po ashtu edhe nëse është në vështirësi ekonomike. Situatat e stresit janë një faktor shumë i rëndësishëm.
Nuk ka ndonjë dallim të madh as në grupmosha. Të rrezikuara janë si vajzat dhe gratë në moshë të re, ashtu edhe në moshë të pjekur. Janë të rrezikuara si femrat intelektuale, ashtu edhe ato që vijnë nga zonat rurale, pasi shkaqet janë të ndryshme dhe përfshijnë si faktorë të jashtëm, edhe të brendshëm.
Gratë më të prekura janë ato që kanë pasur episode të mëparshme të çrregullimit të humorit, simptoma të forta të sindromat premenstrual, probleme martesore, mungesë të marrëdhënies së besimit, episode stresante në jetën e mëparshme si dhe gratë me histori të sëmundjeve psikiatrike.
Sa e njohin gratë shqiptare këtë problematikë që shoqëron periudhën paslindjes dhe a janë bashkëshortët dhe familjarët të përgatitur për atë që mund të ndodhë?
Ka një njohje shumë të pakët dhe një mungesë të theksuar informacioni për këtë sëmundje. Kjo demonstrohet edhe në nivelin e lartë të vërejtur të kërkimit të ndihmës mjekësore. Përgjithësisht femrat tentojnë ta fshehin problemin dhe jo të përballen.
A paraqet kjo sëmundje rrezik për të degraduar në faza më të rënda dhe të përhershme?
Po. Sidomos kur simptomat përkeqësohen, rreth muajit të tretë pas lindjes. Këto njihen si psikoza postpartum, e cila kërkon trajtim mjekësor. Mungesa e këtij trajtimi mund të shkaktojë degradimin e gjendjes shëndetësore.
Nga eksperienca juaj, si përjetohet depresioni pas lindjes nga nënat dhe familjarët e tyre?
Mënyra e përjetimit varet mjaft nga shtresa sociale e kulturore ku nëna bën pjesë. Nga pranimi i një problemi që duhet marrë seriozisht e duhet trajtuar, deri në neglizhimin, qoftë edhe nga trupi, me pasoja për gjithë familjen. Ne kemi konstatuar se në përgjithësi, gratë e mbërritura nga zona rurale apo të pazhvilluara nga aspekti ekonomiko-shoqëror, kanë tendencën ta fshehin sëmundjen. Edhe kur flasin për simptomat, shpesh mundohen që kjo situatë të mbetet mes tyre dhe mjekut, pasi kanë frikë se as bashkëshorti dhe as familjarët nuk do t’i kuptojnë.
Në të tilla sëmundje, kura më e mirë janë barnat apo trajtimi psikologjik?
Trajtimi ndahet në dy pjesë ku fillimisht bëhet një mbështetje në kujdesin ndaj të porsalindurit, periudha pushimi sa më gjatë që të jetë e mundur, heqja nga përgjegjësitë e tjera familjare. Nëse këto nuk funksionojnë, atëherë rekomandohet një medikament, doza e të cilit duhet mbajtur në minimumin e tij. Gjithashtu rekomandohet evitimi i lëndëve narkotike, alkoolit dhe ushqyerje sa më e shëndetshme.
Dy javët vendimtare
Daniela Meçe*
Edhe pse lindja e një fëmije zakonisht shihet si një periudhë gëzimi, jo të gjitha nënat e përjetojnë në këtë mënyrë. Për nënën kjo mund të jetë edhe një periudhë frike, konfuzioni, ankthi, dhimbje, lodhje, pakënaqësie, zhgënjimi, trishtimi etj. Gjatё shtatzënisё, lindjes dhe pas lindjes, gratё pёrjetojnё ndryshime tё natyrës, biologjike, psikologjike dhe sociale si rrjedhojë e ndryshimeve fiziologjike dhe kërkesave tё shtuara që ushtrohen pёr rritjen e fёmijёs dhe qё mund tё shtojnё stresin e prindёrimit.
Rreth 85% e grave pas lindjes së fëmijës përjetojnë atë që quhet baby blues, një term i cili përdoret për të përshkruar një sërë ndryshimesh emocionale që përjetojnë nënat në ditët e para të pas lindjes dhe mund të zgjasë nga disa ditë deri në dy javë pas lindjes. Simptomat që shfaqen janë: mungesa e kënaqësisë, ndryshime të humorit, ankth, të qara, pagjumësi, mungesë oreksi, nervozizëm, etj. Nëse simptomat zgjasin më tepër se dy javë atëherë gruaja mund të jetë duke përjetuar depresionin pas lindjes
Depresioni pas lindjes është një term që përdoret për të përmbledhur një sërë simptomash të depresionit të lidhura me lindjen e fëmijës. Karakteristikat e depresionit pas lindjes mund të jenë: paqëndrueshmëri humori, irritueshmëri dhe sjellje armiqësore (e drejtuar kryesisht ndaj bashkëshortit), mungesë përqendrimi, simptoma të ankthit, mungesë shprese, ndjenja faji, mungesa e dëshirës për t’u kujdesur për fëmijën, mungesa e dëshirës për të qëndruar vetëm me foshnjën, pagjumësi, mungesë oreksi ose oreks i tepruar, dhe në raste më të rralla mendime vetëvrasëse ose plane për vetëvrasje. Në studimet e kryera kryesisht në perëndim raportohen rreth 11%- 15% gra me depresion pas lindjes.
Depresioni pas lindjes lë pasoja serioze për vetë gruan, fëmijën dhe gjithë familjen. Gratë të cilat përjetojnë depresionin pas lindjes përjetojnë probleme të funksionimit personal dhe social. Ato ndjehen të vetmuara dhe të zhgënjyera, pritshmëritë të lidhura me foshnjën dhe jetën familjare nuk përputhen me realitetin e pas lindjes dhe gjithashtu raportohen vlera të dyfishuara të divorcit në periudhën e dy viteve pas lindjes. Depresioni pas lindjes mund të ketë ndikim në zhvillimin afatgjatë mendor, emocional dhe atë të sjelljes së fëmijës.
Situata në Shqipëri
Kur bëhet fjalë për kujdesin ndaj nënës kryesisht fokusi ёshtё vendosur tek kujdesi mjekësor dhe pak ёshtё bёrё pёr tё plotёsuar nevojat psikologjike dhe sociale tё grave në periudhën e pas lindjes. Edhe studimet në vlerësimin e situatës së depresionit pas lindjes në Shqipëri janë të pakta. Në një studim të kryer në vitin 2013 në konsultoret e fëmijës në e qytetin e Tiranës në lidhje me depresionin pas lindjes dhe faktorëve psikosocial të lidhur me të u vu re se rreth 23% e pjesëmarrëseve në studim raportonin shenja të depresionit pas lindjes (kjo shifër e përhapjes së depresionit pas lindjes është një parashikim, pasi një diagnozë klinike është e nevojshme), shifër kjo e cila që tregon se depresioni pas lindjes është një çështje që kërkon vëmendje të mëtejshme. Depresioni gjatë shtatzënisë, mbështetja sociale, marrëdhënia me bashkëshortin, temperamenti i foshnjës dhe të ardhurat familjare rezultuan të ishin faktor të lidhur me depresionin pas lindjes.
Vlerësimi i depresionit pas lindjes mund të bëhet i vështirë pasi simptomat tipike që shoqërojnë lindjen e një fëmije janë gjithashtu simptoma të depresionit, për shembull çrregullimet e gjumit dhe të ushqyerjes, zvogëlimi i dëshirës seksuale dhe mungesa e energjisë. Gratë shpesh i shohin vështirësitë që përjetojnë si një pjesë normale e rritjes së fëmijës.
Një tjetër aspekt mjaft domethёnёs i depresionit pas lindjes ёshtё stisma, mënyra e sjelljes ndaj depresionit dhe problemeve të shëndetit mendor. Shumë gra hezitojnë të kërkojnë ndihmë nga shërbime të specializuara si rrjedhojë e paragjykimeve që ekzistojnë në popullatën e gjerë rreth këtyre problemeve. Pёr mё tej, stigma e shoqëruar me mungesën e informacionit rreth depresionit pas lindjes e bёn tё vёshtirё kërkimin e ndihmës nga ana e grave.
Si mund të ndihmohen?
Orientimi i grave me simptoma të depresionit në kërkimin e ndihmës tek një specialist i shëndetit mendor është e rëndësishme. Informimi i grave gjatë shtatzënisë në konsultorin e nënës për ndryshimet që ndodhin në periudhën e pas lindjes do të ndihmonte për të kuptuar ndryshimet që ndodhin në jetën e tyre pas lindjes së foshnjës, të kërkonin mbështetje nga të afërmit si dhe të kërkonin ndihmën e specialistit kur është e nevojshme. Informimi i bashkëshortit rreth simptomave të depresionit është e rëndësishme pasi vetë gratë shpesh e kanë të vështirë të identifikojnë simptomat e depresionit. Bashkëshorti dhe të afërm të tjerë janë burim i mbështetjes sociale që nëna e ka të domosdoshme në këtë periudhë të jetës së saj.
Diskutime të hapura me familjarët, shoqet apo nëna të tjera, kërkimi i mbështetjes për kujdesin për fëmijën, shëtitjet në ajër të pastër mund t’u vijnë në ndihmë grave në periudhën e pas lindjes së fëmijës.
*Psikologe, Zv/Dekane e Fakultetit të Edukimit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës
Kur dhe si shfaqen simptomat
Simptomat mund të shfaqen:
Gjatë shtatzënisë
- Me shqetësimin nëse fëmija i tyre është normal
- Tek fetuset ku rreziku është i madh për malformime të lindura
Në fund të shtatzënisë
- Ankth për kujdesen ndaj të porsalindurit
- Ankth për dhimbjet e lindjes
- Ankth për ndryshimin e stilit të jetës pas lindjes
- Shtatzëni të komplikuara nga gjendja shëndetësore e nënës dhe komplikacione obstetrikale
- Pas lindjes.
Simptomat mund të fillojnë menjëherë e mund të zgjasin deri në 1 vit pas lindjes.
Cilët faktorë e shkaktojnë
Ndër shkaqet më të shpeshta që mund të shkaktojnë depresionin pas lindjes përfshihen:
- Mungesa e mbështetjes sociale
- Fatkeqësi familjare gjatë shtatzënisë
- Qëndrim negativ gjatë shtatzënisë
- Shtazëni e paplanifikuar ose e parë
- Diskonfort fizik (p.sh nauze)
- Histori të ngarkuar obstetrikale
- Mardhënie të ngarkuara familjare
- Kujdes i ulët shëndetësor
- Hipertensioni në shtatzëni
“Statistika nuk kemi, por ofrojmë shërbim psikologjik”
Përgjegjësja e Sektorit të Shëndetit Mendor në Institutin e Shëndetit Publik, Jonida Haxhiu, thotë se nuk ka shifra për përhapjen e kësaj sëmundjeje te nënat e reja në Shqipëri. Por gjithsesi problemi është i njohur dhe janë marrë disa masa për të ndihmuar femrat e rrezikuara. Në disa maternitete ofrohet shërbimi i psikologut, ndërsa funksionojnë konsultoret dhe qendrat komunitare të shëndetit mendor.
Cilat janë shkaqet kryesore të depresionit pas lindjes?
Nuk ka një shkak të vetëm të lidhur me depresionin pas lindjes. Disa nga shkaqet me përhapura, janë të grupuar në tre kategori kryesore:
Ndryshimet hormonale. Pas lindjes ndodhin disa ndryshime fizike, sidomos një rënie dramatike e hormoneve (estrogjen dhe progesteron), të cilat mund të kontribuojnë në depresionin postpartum. Po ashtu, rënie pëson edhe prodhimi i hormoneve të tjera, përfshirë gjëndrën tiroide, të cilat mund të shkaktojnë një ndjesi lodhjeje, mërzitjeje, ankthi etj.
Ndryshime fizike. Në përgjithësi, përmasat e trupit, pësojnë ndryshime të dukshme, duke shtuar në peshë.
Probleme emocionale Pagjumësia, një aspekt shoqërues i femrave që sapo kanë sjellë në jetë një foshnjë, mund të shkaktojë probleme edhe në menaxhimin e problemeve të vogla. Po ashtu, këto femra mund të ndjehen më pak tërheqëse, mund të kenë probleme identiteti, apo të ndjejnë se kanë humbur kontrollin mbi jetën e tyre.
Ka edhe shkaqe të tjera si ndryshimet sociale, përfshirë ndryshimet në marrëdhënie, pune, shqetësimi nëse është dhe do të jetë një nënë e mirë, etj
Nga të dhënat që ju dispononi, cilat kategori nënash janë më të rrezikuara?
Faktorë risku, konsiderohen ato faktorë të cilët shtojnë shanset për shfaqjen e një problemi të caktuar. Faktorët e rrezikut për depresionin postpartum përfshijnë: Një histori e mëparshme depresioni postpartum. Kjo e vendos femrën në risk të lartë për ta patur përsëri. Mbështetje e varfër nga partneri, familja dhe shoqëria. Nivel i lartë stresi, përfshirë probleme financiare, probleme familjare, etj. Kufizime fizike ose probleme fizike pas lindjes. Depresion gjatë të njëjtës shtatzëni. Histori të mëparshme depresioni. Histori depresioni në familje. Ka edhe faktorë të tjerë, por këta konsiderohen si më kryesorët.
A keni të dhëna për frekuencën me të cilën haset kjo dukuri?
Në vendin tonë, aktualisht, nuk disponojmë statistika lidhur me përhapjen e kësaj sëmundjeje. Gjithsesi po punohet për të patur të dhënat konkrete lidhur me këtë problem, në mënyrë që të ofrohen edhe ndërhyrjet efektive. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në rang botëror, rreth 10% e femrave shtatzëna dhe 13% e femrave që kanë sjellë në jetë një foshnjë, përjetojnë një problem të shëndetit mendor, në shumicën e rasteve depresion. Në vendet në zhvillim, këto shifra janë edhe më të larta, me 15.6% gjatë shtatzënisë dhe 19.8% pas lindjes. Ne raste ekstreme, problemet mund të rëndohen deri në vetëvrasje. Gjithsesi, të gjitha femrat e prekura kanë probleme te dukshme në funksionim. Si rezultat, rritja dhe zhvillimi i fëmijës ndikohen negativisht për shkak të pranisë së këtyre problemeve.
Çfarë shërbimi ofron shteti për nënat që mund të preken nga kjo sëmundje?
Në disa maternitete të vendit, aktualisht ofrohen shërbime psikologjike, ku një psikologe, vlerëson situatën e femrës pas lindjes, përfshirë edhe rrezikun për depresion postpartum.
Gjithashtu, edhe në konsultore, të cilat funksionojnë në të gjithë vendin, përgjithësisht vlerësohet rreziku për probleme te nëna dhe, kur pikasen të tilla, behet referimi tek specialisti.
Në qendrat komunitare të shëndetit mendor gjithashtu, ofrohen shërbime psikologjike për të gjitha problemet e shëndetit mendor, ku patjetër që mund të trajtohen edhe raste të depresionit postpartum.
Marre nga Albanian Free Press