Deputeti i PS, Erion Braçe denoncon rastin e një banori në Selitë: UKT i kërkoi të paguante 1.5 milionë lekë
Deputeti i PS-së, Erion Braçe, ka reaguar për rastin e një banori të zonës së Selitës, i cili është rikthyer në Shqipëri pas 25 vitesh emigrim. Braçe shkruan se banesa e qytetarit ka qëndruar e mbyllur gjatë viteve të emigrimit dhe se, për këtë arsye, nuk është realizuar lidhja me rrjetin e ujësjellësit në kohën kur është kryer investimi.
Sipas deputetit socialist, pas kthimit në Shqipëri, qytetari është informuar nga UKT se kishte një borxh të faturuar prej 5 milionë lekësh. Braçe pretendon se banori nuk ka qenë në Shqipëri gjatë kësaj periudhe dhe se kjo, sipas tij, “provohet lehtësisht”.
“Nejse, e detyruan të paguajë 1.5 milionë lekë dhe këtë ma tha të premten, duke ma përplasur në fytyrë”, shkruan Braçe, duke shtuar se pagesa ishte kusht për realizimin e lidhjes së ujit. Deputeti thotë gjithashtu se qytetarit i është komunikuar se lidhja e ujit mund të realizohet pas rreth 45 ditësh, “diku nga nëntori; mbase dhe në janar”.
Në reagimin e tij, Braçe shprehet kritik ndaj mënyrës së trajtimit të rasteve të tilla nga UKT-ja dhe thotë se ka raste kur qytetarëve u faturohen detyrime, ndërsa kërkon që problematika të sqarohet.
Postimi i plotë
TIRANA E MADHE
TIRANA/5 SA
#EMARTE, SI ÇDO DITË NË #TERRITOR, SI DEPUTET I ZGJEDHUR ME VOTË, PËR NJERËZIT
SHKËLQIM CEKA ËSHTË BANOR NË SELITË, KTHYER PAS 25 VITESH EMIGRIM!
Shtëpia e tij për 25 vite ka qenë e mbyllur, e reflekton dhe shtëpia e tij, gjendja e saj; në vitin kur u bë ujësjellësi, Shkëlqimi ka qenë në emigrim, shtëpia ka qenë e mbyllur dhe, për këtë arsye, NUK KA LIDHJE UJI, nuk u bë atëkohë. Për mirëseardhje, UKT i bëri me dije se ka një borxh të faturuar prej 5 MILIONË LEKËSH; ai s’ka qenë këtu dhe kjo provohet lehtësisht.
Nejse, e detyruan të paguajë 1.5 MILIONË LEKË dhe këtë ma tha të premten, duke ma përplasur në fytyrë. Ky ishte kushti i UKT-së për t’i bërë lidhjen e ujit.
PUNA ËSHTË SE I KA THËNË QË LIDHJA E UJIT DO NJË 45 DITË, PRA DIKU NGA NËNTORI; MBASE DHE NË JANAR, i kishin thënë. Shikoni që ka raste si ky që ju ia bëni borxh njerëzve, e kam të qartë; por që po meritoni gjithçka që po kërkoni me ngulm, duke u tallur me njerëzit, shpresoj t’ju bëhet e qartë shpejt.

