Deputeti Muçi: SPAK po godet politikanët e korruptuar, duhet përmbysur sistemi i vjetër

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”, Redi Muçi thotë se shqiptarët duhet të kërkojnë një vizion përtej figurës së kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Sali Berisha. Duke analizuar frontin opozitar, Muçi theksoi se nëse nuk shkohet përtej këtyre dy figurave politike atëherë gjithçka mbetet te retorika politike; “që të bëhemi bashkë me Saliun të rrëzojmë Ramën, të bëhemi bashkë me Ramën të rrëzojmë Saliun që ka ndodhur në 35 vjet”.

“Çështja nuk është që ne jemi duke pritur që SPAK-u t’i arrestojë të dy, çështja është që vetë shqiptarët të mendojnë dhe të fillojnë të shikojnë një vizion përtej këtyre dy figurave sepse vetëm në këtë mënyrë do të shohin nga e ardhmja. Duke mbetur te retorika që të bëhemi bashkë me Saliun të rrëzojmë Ramën, të bëhemi bashkë me Ramën të rrëzojmë Saliun që ka ndodhur në 35 vjet që e ka zhytur Shqipërinë në mjerim, kemi ngelur në vend numëro”, tha Muçi.

Nga ana tjetër, Muçi tha se ngjarjet e fundit në vend tregojnë se Shqipëria ndodhet në një moment mjaft të rëndësishëm teksa SPAK-u po godet politikanët e korruptuar dhe tashmë nevojitet shembja e sistemit të vjetër. ”Ngjarjet e fundit politik po dëshmojnë se jemi në një moment epokal ku sistemi i drejtësisë po godet politikanët e korruptuar, politikanët që këtij vendi e kanë vjedhur e kanë plaçkitur, i kanë bërë të gjitha të ligat dhe këta politikanë kanë qeverisur edhe Berisha, edhe Rama, edhe Rama. Në pozitën e Lëvizjes Bashkë ftoj të gjithë qytetarët në protesta masive për të shprehur vullnetin e përmbysjes, por jo përmbysje që të ikë Rama e të vijë Berisha, e përmbysjes e sistemit të vjetër që të hapim një faqe të re në historinë e vendit tonë”, tha Muçi.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?