Deputetja e PD, Tabaku: Të mos cenohet hapësira e opozitës për kontroll parlamentar
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi se rekomandimet dhe rezolutat e Parlamentit Europian duhet të shërbejnë si udhërrëfyes konkret për punën e institucioneve shqiptare dhe të reflektohen në veprimtarinë e përditshme të Parlamentit. Gjatë takimit të 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, Tabaku, e cila drejton Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, tha se opozita ka ngritur shqetësime pranë institucioneve europiane për të paktën 17 ligje.
Sipas saj, ndër çështjet e evidentuara janë kompania KAYO, tenderat në teknologjinë e informacionit, zhvillimet që i paraprijnë procedurave të prokurimit në shëndetësi, si dhe krijimi i Bankës së Zhvillimit dhe Korporatës së Investimeve. “Nuk janë raste të pakta kur Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar ligje të cilat kanë qenë jo vetëm në shkelje të marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, por njëkohësisht në shkelje edhe të disa prej kapitujve që ne jemi duke negociuar”, u shpreh Tabaku.
Duke u ndalur te rasti i KAYO-s, deputetja demokrate tha se bëhet fjalë për një rast ku, sipas saj, është kufizuar kontrolli parlamentar dhe janë ngritur problematika edhe në sektorin e mbrojtjes. Tabaku përmendi gjithashtu ligjin për investimet strategjike, për të cilin tha se është trajtuar edhe në rezolutën e fundit të Parlamentit Europian. “Kemi ligjin për zonat e mbrojtura, Paketën e Maleve dhe shumë ligje të tjera që Parlamenti Europian i ka përmendur në rezolutën e tij. Rezolutat e Parlamentit Europian duhet të kthehen në plane pune për Shqipërinë. Pozicionet negociuese të qeverisë shqiptare nuk janë deklarata politike, por duhet të jenë pjesë e punës së përditshme të komisioneve parlamentare”, deklaroi ajo.
Një tjetër pikë e ngritur nga Tabaku ishte roli i opozitës në ushtrimin e kontrollit parlamentar. Ajo tha se reformat institucionale duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të përfshijnë të dyja palët politike. Në këtë kuadër, Tabaku iu referua edhe refuzimit të kërkesës së opozitës për ngritjen e një komisioni parlamentar hetimor për çështjen KAYO. “Ky nuk është rasti i parë ku hapësira e opozitës për komisione hetimore parlamentare refuzohet”, tha ajo.
Sa i përket reformave që po zhvillohen në Kuvend, Tabaku kritikoi procesin për reformën zgjedhore dhe atë territoriale, duke pretenduar se ato po zhvillohen pa konsensus politik. “Parlamenti i Shqipërisë sot ka miratuar një kalendar për një reformë të njëanshme territoriale nga ana e qeverisë, një reformë që pa konsultim në dëm të interesit publik”, u shpreh Tabaku. Sipas saj, përmbushja e angazhimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit europian kërkon që qëndrimet dhe rekomandimet e institucioneve të BE-së të përkthehen në hapa konkretë brenda punës së Kuvendit dhe institucioneve shqiptare.
A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?
Results
Vota totale: 4086

