Der Spiegel pasqyron planet për ndërtimin e një dige në Vjosë
E përjavshmja gjermane Der Spiegel i kushtoi një shkrim Luginës së Vjosës ku projektohet të ndërtohet një digë e re. Artikulli me titullin “Mrekullia e Fundit Blu e Europës” sjell një pasqyrim të bukurive të Vjosës si dhe arsyet për mbrojtjen e këtij habitati natyror, ndër të fundit të këtij lloji që mund të gjenden në Europë.
Revista e përjavshme gjermane ‘Der Spiegel’ i ka kushtuar një shkrim ndërtimit të digave të reja në lumënjtë e Shqipërisë.
Nën titullin “Mrekullia e Fundit Blu e Europës”, Der Spiegel udhëton në Luginën e Vjosës, të cilën e përshkruan si një parajsë, një idil të padëmtuar nga rrugët apo urat.
Por planet për ndërtimin e një dige pranë hidrocentralit në Poçem, kërcënojnë florën dhe faunën e pasur që jeton në këtë luginë.
Studiues nga Shqipëria, Austria dhe Gjermania janë duke ekzaminuar speciet dhe po zbulojnë habitate unike, një biotop që do të shkatërrohej tërësisht nga ndërtimi i një rezervuari.
Friedrich Schiemer, profesor i zoologjisë në Universitetin e Vienës thotë se vazhdimësia shtratit të lumit e bën Vjosën unike.
Gurët që vijnë nga malet dhe transportohen në Vjosë, përfundojnë si rërë në Adriatik.
Ky proces i patrazuar sipas Schiemer nuk ekziston askund tjetër në Europë, prandaj ndërtimi i një dige do të ndërpriste këtë lëvizje të materialeve, një proces që vijon prej miliona vitesh.
Shkrimi i ‘Der Spiegel’ ngre pyetjen nëse më e rëndësishme është që të hapen disa vende të reja pune dhe të fitohen miliona në të ardhurat nga hidrocentrali apo që të ruhet një natyrë që është burim jete për qindra njerëz.
Banorët në fshatin e afërt të Kutës ia kanë dalë me sukses të ndërpresin punimet për ndërtimin e një dige, falë vendimit të Gjykatës Administrative të Tiranës në maj, që e shpalli vlerësimin aktual të ndikimit të mjedis të projektit si të paplotë.
Si një vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian, Shqipëria duhet të respektojë rregullat e unionit për mos-cënimin e të tilla habitateve që BE i mbron nën rrjetin Natura 2000.
Dhe për profesorin Schiemer, Vjosa është si një dhuratë nga Zoti, ku studiuesit mund të vëzhgojnë përbërjen e një lumi të egër, diçka e pamundur për t’u bërë në të tjera vende të Europës.