Deutsche Welle në Shqip dhe “Fake News”
Nga Dr. Arben MUKA
Brenda një muaji transmetuesi i famshëm ndërkombëtar i Gjermanisë, Deutsche Welle, ishte prezent në Tiranë për debatin mediatik aq shumë në modë aktualisht: “Fake News”.
Më 2 tetor 2017, në konferencën me titull “Fake News dhe sfida për të vërtetën në media”, organizuar nga Këshilli i Ankesave në Autoritetin e Medias Audiovizive, AMA, ishte ftuar në rolin e ekspertes nga Këshilli i Europës drejtorja për Europën në Deutsche Welle, zonja A. Feilcke. Krahas kumtesave shkencore shumë cilësore që kishin përgatitur pedagogët e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, si dhe ekspertët shqiptarë të pranishëm, zonja A. Feilcke, themeluese e programit shqip të Deutsche Welles, 25 vite më parë, mbajti një fjalim rreth 10 minuta duke treguar eksperiencën gjermane përballë “fake”-izimit mediatik.
Më 3 nëntor 2017, ditën e premte në mbrëmje, Deutsche Welle në shqip në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunimit në Universitetin e Tiranës organizuan një diskutim publik me titull: “Gazetaria cilësore versus ‘Fake News’”. Auditori ishte plot me studentë të të gjitha niveleve të diplomimit, pedagogë, gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, nga trupi diplomatik e organizatat ndërkombëtare të akredituara në Shqipëri etj. Gjëja e duhur (temë interesante), në vendin e duhur (auditor gazetarësh) dhe me protagonistët e duhur (merrej si shembull i cilësisë gazetareske një ikonë e medias botërore, Deutsche Welle, që si një platformë multimediale shpërndan përmbajtje në 30 gjuhë).
Me moderimin energjik dhe shumë ndëraktiv të profesor Artan Fugës, Akademik, por dhe me parashtrimet e godituara që bënë në fillim të diskutimit, kryeredaktorja e Deutsche Welles, Ines Pohl, shefi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në UT, Prof. Asc. Mark Marku, kryetari i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, drejtori i BIRN Albania, Besart Likmeta dhe këshilltari i Prezencës së OSBE-së për Zhvillimin e Medias, Vojislav Raonic – të gjitha këto e ndihmuan atmosferën debatuese në auditor.
Esencialisht nga panelistët dhe pjesëmarrësit në diskutim u evidentuan aspekte të ndryshme të dinamikës mediatike në kohët e sotme, lëshimi pa fre i informatave gjitfarë, pa asnjë konsultim a verifikim të burimeve dhe fakteve, si dhe roli dhe ndikimi i redaksive në këtë fluks të jashtëzakonshëm të informimit. Ruajtja e standardeve profesionale, u përshkrua si një sfidë e të bërit gazetari, si “ilaçi” më i mirë kundër efektit të “Fake News”-eve në opinion publik. Disa herë me të drejtë u mor si referencë pozitive produkti cilësor dhe i besueshëm i Deutsche Welle-s.
E quajta me rëndësi në ndërhyrjen time gjatë diskutimit , që të evidentoja përsëpari kujdesin për ruajtjen e standardeve. Pasi, dhe një media me reputacion, mund të afektohet nga “fake”-izimi. Për të qenë konkret solla në auditor rastin më të fundit të Deutsche Welle-s në shqip, një histori gati e pabesueshme për mua që në dy dekada kam bashkëpunuar me këtë program.
E treguar shkurt rasti në fjalë mund të përmblidhet:
Deutsche Welle publikoi një artikull mbi tolerancën fetare në qytetin e Elbasanit në fillim të muajit qershor 2017, në versionin shqip, si dhe në versionin gjermanisht. Rreth dy javë më pas Zyra e Shtypit e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë ankohet, duke e quajtur gabim që në artikull Kisha ishte përfaqësuar nga një person që nuk njihej fare prej saj. Gjithashtu, ky person që ishte intervistuar gjoja si përfaqësues i tyre, nuk bënte fare pjesë në një qendër ndërfetare të krijuar në Elbasan. Në ankesën me email Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë kishte bashkëngjitur dhe dokumentet që vërtetonin përmbajtjen e ankesës.
Për fat, kjo ankesë u përmend dhe gjatë një takimi pune që u zhvillua po atë ditë në Tiranë ku ishin pjesëmarrës veç bashkëpunëtorëve të Deutsche Welle-s në shqip dhe Drejtorja e Programit, zonja Gerda Meuer dhe zonja Feilcke. Megjithëse u tha se ankesa do të shqyrtohej sipas standardeve të Deutsche Welle-s, kaluan rreth tre muaj e gjysmë dhe nuk lëvizi asgjë.(?!)
Zyra e Shtypit e Kishës Ortodokse e çuditur që neglizhenca për shqyrtimin e ankesës i vinte nga një media ndërkombëtare, me durim ripërsëriti ankesën. Vetëm atëherë, pas rreth tre muaj e gjysmë Deutsche Welle në shqip u vu në lëvizje. Përfaqësuesja e saj, Vilma Filaj –Ballvora hyri në kontakt telefonik me Zyrën e Shtypit të Kishës dhe efekti i parë u duk kur nga faqja e internetit të Deutsche Welle-s në shqip u hoq artikulli në gjuhën shqipe. Rreth 3 javë më pas, me padurimin që kjo çështje të zgjidhej sa më parë, Zyra e Shtypit të Kishës kujtoi se artikulli në versionin gjermanisht (Albanien: Religionen bauen Brücken) ende pas katër muaj e gjysmë nuk kishte asnjë reflektim për pasaktësitë dhe shtrembërimin e realitetit për Kishën Ortdokse Autoqefale të Shqipërisë.
Këtë rast “Fake News-i”, ende të pazgjidhur nga Deutsche Welle në shqip, e bëra prezent gjatë diskutimit. Për t’u treguar pjesmarrësve në debat se nga “Fake News-“i mund të preket dhe një strukturë meditiake prestigjoze. Është normale. Aty ku punohet dhe gabohet. Por, në ndryshim nga media me profil të ulët, media profesionale dallohet nga aftësia energjike për të korrigjuar përmbajtjet e pasakta apo tendecioze, për t’u rikthyer tek fakti, realiteti. Një theks që me të drejtë e përmendi në ndërhyrjet e saj kryeredaktorja e Deustche Welle-s, Ines Pohl, duke iu referuar mediave prominente amerikane. Korrigjimi është më i lehtë kur kemi të bëjmë me publikim teksti online, ndryshe nga përmbajtjet në print apo të emetuara audiovizualisht.
Unë vijoj të besoj fort, se rasti i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë do të trajtohet me seriozitet dhe përgjegjësi nga Deutsche Welle në shqip. Duke korrektuar pjesën e pasaktë dhe të shtrembëruar të fakteve, por dhe duke i kërkuar dhe ndjesë publike Kishës, për papërgjegjshmërinë dhe vonesën e pajustifikuar të reagimit ndaj ankesës. Ky është një standard i shenjtë për aktivitetin e transmetuesit publik ndërkombëtar Deutsche Welle, të cilin besoj se programi në shqip do ta respektojë.
Gjatë diskutimit “Gazetaria cilësore versus ‘Fake News’”, u nënvizua gjithashtu se po jetojmë në kohët kur gazetarinë amatore dhe partizane nga ajo e pavaruar dhe profesionale i ndan një fill i hollë, që lidhet në radhë të parë me kujdesin për të zbatuar standardet. Cedimi nga standardet është rrezik permanent dhe për kompanitë elitare mediatike që kanë investuar për dekada për besueshmërinë tek ndjekësit. Për të ilustruar këtë tezë që e trajtoi në hapje të diskutimit drejtori i BIRN Albania, Besart Likmeta, unë iu tragova pjesëmarrësve një shembull të freskët nga mbulimi i fushatës së fundit elektorale në Shqipëri nga Deutsche Welle në shqip.
Katër studentëve të mi, të cilët tani kanë filluar Master-in në Gazetari më treguan se një ditë më parë ju kishin bërë përshtypje tri intervista që ishin publikuar njëpasnjë me video në website-n e Deutsche Welle-s në shqip. Jo vetëm si pedagog i tyre, por dhe nga lidhja ime e gjatë me Deutsche Welle-n i pashë menjëherë. Vërtet jam ndjerë keq. Të trija ishin rreth 4-5 minuta secila dhe ishin regjistruar në qendër të Tiranës.
Intervista e parë ishte me një përfaqësues të komunitetit egjipitian, e dyta me një aktivist të komunitetit rom. Të veshur ashtu bukur dhe në atë sfond luksi, të dy egjiptiani dhe romi binin “në kundërshtim” më ankesat e tyre shumë të drejta dhe njerëzore kundër autoriteteve. Intervista e tretë, publikuar një ditë më pas, më 24 qershor 2017 ishte me një vajzë me aftësi të kufizuara. Kushedi çfarë sikleti ka hequr me karrocën e saj për të ngjitur dhe zbritur trotuaret pa rampa, dhe bordurat, derisa të arrinte aty ku e kishte fiksim gazetari i Deutsche Welle-s në shqip që të bëhej intervista: në mes të lulishtes, në qendër të kryeqytetit. Studentët e mi kishin të drejtë që ishin të pakënaqur me këto tre produkte video në kuadër të fushatës elektorale.
Nga kjo m’u kujtua formati i gazetarëve shqiptarë të ashquajtur “bq”, (akronimi i etiketimit të përhapur në radhët e gazetarëve: “buzëqumësht”), të cilët, si përtacë, shterpë në ide, por kokoroshë, preferojnë të bëjnë më të kollajtën në trajtimin e temave sociale, edhe kur ato janë të mprehta dhe me ndjeshmëri për publikun. Në mediat shqiptare tashmë gjen më pak “bq”, të cilët për të bërë punën nuk ju shkojnë njerëzve aty ku jetojnë, punojnë apo përballen me problemet e tyre të mbijetesës. Por pa u lodhur fare, pa bërë asnjë kërkim paraprak, i ftojnë për intervistë te oborri i redaksisë, ose në mjedise estetike të mirëarreduara, plot ndriçim artificial apo natyral, në qendër të qytetit, ose ngjitur me kafeterinë e tyre të preferuar.
Vërtet, nuk e kisha menduar që në 25 vjetorin e Deutsche Welle-s në shqip të shikoja në faqen zyrtare online të saj, kësi produktesh “me shumicë”, në mes të rrugës, sa për adet, apo për të justifikuar vajtje – ardhjet Tiranë – Bonn. Të paktën ata katër studentët e mi të gazetarisë të mos kishin rinisur debatin bezdisës mbi “bq”-të e medias, nga ndjekja e atyre tri videointervistave në qendër të Tiranës.