Deutsche Welle: Shqipëria ndër vendet e para për dëbime nga Gjermania
Media e njohur gjermane Deutsche Welle, ka publikuar sot lajmin se nga Gjermania janë dëbuar afro se 11.500 vetë në gjysmën e parë të vitit 2019. Ndër vendet kryesore ku dërgohen të dëbuarit, Shqipëria zë vendin e parë dhe më pas vijnë vendet e tjera si Italia, Serbia, Gjeorgjia dhe Franca.
Një rritje e vogël kjo krahasuar me një vit më parë, pasi kjo është përgjigja që qeveria gjermane i dha në gusht kërkesës së bërë nga partia e Majta, lidhur me dëbimet e azilkërkuesve të refuzuar nga Gjermania. Sipas DW shtetasit që vijnë nga Ballkani mund të jetojnë në Gjermani vetëm në kuadër të qëndrimit me leje pune, por shanset për azil janë gati zero. Dëbimet vazhdojnë edhe gjatë muajit në shtator.
Në publikim shkruhet gjithashtu se këtë vit në kufirin gjerman janë kthyer ose nuk iu është lejuar hyrja 6.905 vetëve. Në Gjermani ndodhen më shumë se 246.000 vetë, të cilët duhet të largohen nga vendi. 191.117 prej tyre kanë statusin e “duldung”-ut që do të thotë, se për arsye ligjore ose praktike dëbimi nuk kryhet dot. Ndërkohë këtë vit nga Gjermania u larguan vullnetarisht 6.786 vetë duke shfrytëzuar ndihmën e kthimit. (DW)