Dil! Nuk dal?!
Fejton/Nga Hyskë Borobojka
Në derën e një “Shtëpie pa qira” u paraqit një grua, që mbante në duar një tortë të madhe sa një lëmë. Zonja kishte ardhur me goxha peshqesh, pasi atë mëngjes burri i saj, që ishte futur në “hapsanë”, përfitonte nga amnistia e kryetarit të shtetit e lirohej. Gruaja sa përmendi emrin dhe mbiemrin e të shoqit, policët sikur ta kishin prapa derës, ia nxorëm më njëherë.
-E ke marrë vesh? – e pyeti ajo të shoqin me një barrë gëzim..
-Çfarë të marr vesh? – iu përgjigj ai si i paditur.
-Amnistinë, që shpalli Presidenti ynë i nderuar!
-Dhe çfarë?
-Si çfarë?! Lirohesh nga burgu. Prandaj kam sjellë edhe këtë tortë që t’i gostitësh policët dhe gardianë, pasi të kanë mbajtur në pëllëmbë të dorës!
-Shumë mirë ke bërë! – i tha burri – E meritojnë, ta shijojnë e t’u bëhet gjak e dhjamë. I faleminderit kryetarit të shtetit për amnistinë, por unë kam vendosur të mos dal. Do qëndroj në burg vullnetarisht.
-Ç’thua kështu, mor katran me bojë! Je në vete?! Mezi po të presim në shtëpi!
-Mos më prisni fare, pasi e kam ndarë mendjen e do të qëndroj me dëshirë të madhe këtu ku jam!
-Mos ke lajthitur nga trutë e kokës. Të falin dënimin dhe s’do të dalësh nga burgu e të vijë në shtëpi!? – shfryri tërë inat e shoqja.
-Kam arsye!
-Mos fol kaluar, si e ëma e Zeqos në majë të thanës. Por shpejto, mblidhi sendet që ke dhe eja me mua.
-Unë moj zonja grua nuk jam në majë të thanës, por në mjediset e rehatshme të kësaj shtëpie të madhe. Si të dal, kur çdo mëngjes dëgjoi pasqyrën e shtypit, një u vra, një tjetër e vranë, i treti duke fluturuar me makinë përplaset me një plep dhe ndërroi jetë!
-Ata, i dashur burrë, paçin fatin e tyre. Ç’punë ke ti me ata që hanë kokën me kobure, kallashnikov e me tritol apo me ata që u ka marrë koka erë dhe përplasin makinat me pemët e bordurat e rrugës? – e këshilloi e shoqja.
-S’kam unë me ata, por kanë ata me mua!? Unë kaloj rrugës drejt, kur ç’të shohësh! Papritur e pakujtuar, kollitet koburja dhe kërcet me breshëri kallashnikovi dhe të vjen nga mos e pandehsh ndonjë plumb qorr e të dërgon në banesat e përjetshme. Apo kur vijnë makinat me shpejtësi si era, të marrin përpara dhe të çojnë në spital me një fije shpiti apo tek të shumtit e botës tjetër.
-Pse duhet të shkosh në mes të rrugës, ku kalojnë me shpejtësi makinat, sikur bëjnë garë me njëra -tjetrën, kur ke trotuaret e të kalosh i qetë e pa frikë!
-S’i ke parë zotrote si janë zënë e bllokuar trotuaret. Në një krah janë populluar me karrige, kolltukë e tavolina nga lokalet e zgjedhur. Në krahun tjetër janë shitësit ambulantë, që tregtojnë celularë, cigare, çamçakiza, rroba e këpucë të përdoruara. Në mes kalojnë me shpejtësi motorët, që shpërndajnë pica, kalorësit me biçikleta dhe lukunia e qeneve pa zap e pa stap! – vazhdonte të kundërshtonte ai.
-Është betuar për idealin e partisë Kryetari i Bashkisë së Tiranës se do t’i lirojë, që të kalojnë vetëm këmbësorët!
-Kryetari i gënjeshtrave, thuaj, – e ndërpreu ai. – Harrove premtimin e madh të tij, kur u zotua e u përgjërua: “Sa të jem unë kryetar i bashkisë të kryeqytetit, çmimi i transportit urban nuk do të rritet”. Por zotimi e premtimi i tij nuk mbushi as 48 orë e u harrua, si shumë zotime të tjera. Këtu jemi rehat fare, s’keni nevojë as për bileta e abone urbani e as të ecim rrugëve e trotuareve në këmbë. Kemi policët e gardianët që na mbajnë e na ruajnë si dritën e syve!?
Gruaja mbeti si e ngrirë përpara derës së burgut, duke u munduar, herë me të mirë, herë me të keq, herë me të lutur e herë me të egër që ta bindtë bashkëshortin të dilte e te vinte në shtëpi, por ai ishte kokë mushkë e i përgjigjej prerë:
-Nuk dua të dal dhe pikë!
-Dëgjoje gruan tënde të dashur. Eja se ka ardhur pranvera me blerim e lule, të dalim nga Parku i Madh i Tiranës, të shijomë natyrën në hijen e pemëve si ahere kur ishim të dashuruar! – i lutej ajo.
Por ai donte të dinte a mbaruan përleshjet ndërmjet policëve, shoqërisë civile e deputetëve. Ajo mundohej ta sqaronte, se ata kishin punën e tyre. Parku i Tiranës ishte i madh, pse të rrinin atje ku bëhej përleshja, shkonin më tej!
-Policët e bashkisë kanë kobure në brez? – pyeti ai.
-Ka urdhëruar ministri të mos i kenë me vete gjatë protestave! – e sqaroi ajo.
-S’kanë policët, por e ka me vete ndonjë deputet protestues e mund ta pësojmë. Prandaj janë mirë këtu, na mbrojnë e na ruajnë policët, që janë aq të mirë e hatërlinj, sikur t’i ketë tështitur nga hundët vetë ministri i tyre!
-Të lutem, mos ma thyej zemrën, dil!- vazhdonte kërkesa e gruas.
Por ai vazhdonte të kundërshtonte e të pyeste nëse uji për të pirë e për t’u larë a vinte rregullisht në shtëpi?
-Me hope, si nga herë!- i thoshte ajo.
-Po energjia elektrike a ndërpritet shpesh?
-Ndonjëherë harron të vijë, por kujtohet më vonë e vjen prapë!
-Ajo rruga te banesa jonë, që kur bie shi bëhet kënetë, është rregulluar sipas premtimit?
-Akoma jo, por “Rilindja e re” thotë se së shpejti do rregullohet. Këtë s’e them unë, por dy kryetare, si vëllezërit siamezë, ai i qeverisë e i bashkisë!
-Taksat janë ulur? Shëndetësia a u bë falas? – vazhdonte pyetja e tij.
-Taksat janë rritur. Mjekët nëpër klinikat e tyre private tregojnë “kulturën” e të rrjepin lëkurën! – i përgjigjej ajo.
-Kurse këtu taksat s’i njohim fare. Shërbimin shëndetësor e kemi badihava dhe me cilësi të lartë. Prandaj po s’u rregulluan këto e shumë premtime të tjera të “Rilindjes”, nuk dal sikur kushedi ç’të bëhet. Këtu i kemi të gjitha të mirat. Mjedisi llamburit nga ditët elektrike natë e ditë. Ujin e kemi pa kursim, si ta duam. Ujë për të pirë, ujë për t’u larë, ujë për të parë, si në pasqyrë sy edhe fytyrë. Jam si veshka në mes të dhjamit. Apo s’janë qejflinj gardianët e policët, s’na lënë të mërzitemi fare. Kudo na shoqërojnë. Në futboll, volejboll, basketboll, në shah, në domino e në sa e sa lodra të tjera
Me gjithë kërkesa me këmbëngulje që i bënte e shoqja të zbatonte amnistinë e presidentit, ai s’tundej nga istikami i tij e vazhdonin refrenin:
-Dil! – ajo.
-Nuk dal ai.
I burgosuri kur e pa se e shoqja s’po tundej nga vendi dhe lotët i qenë varur në qepallat e syve, i erdhi keq dhe, par ta qetësuar, i tha:
-Po të ketë marrë malli për dashuri, eja këtu kur të duash se kemi dhoma speciale dhe mund të bëjmë dashuri sa të lodhemi. S’na trazon e s’na bie në qafë njeri, na ruajnë policët e gardianët me përkushtim të madh.