‘Diploma’ ime nga shërbimi sekret tregon ç’është bërë Maqedonia
Dosja që mora, e cila përmbante bisedat e mia të përgjuara, nuk tregon vetëm se dikush po ngatërrohet me jetët tona; tregon se ne po shihemi si armiq të shtetit në vendin tonë
Nga Meri Jordanovska
Dje për herë të parë, ne reporterët patëm shansin të dimë më përpara kur do të ndodhë konferenca e ardhshme për shtyp e opozitës mbi të ashtuquajturën ‘bombë politike’. Më parë na duhej të nxisnim qendrën e shtypit të Social-Demokratëve, SDSM, për të na thënë kur do të zbulohen regjistrimet e ardhshme audio, për të cilën përgjigjja ishte ‘ju do të njoftoheni”.
Celulari im ra rreth 11 të mëngjesit. “Po ju telefonojmë nga Qendra për Komunikim e SDSM. Ju lutem qëndroni pas konferencës për shtyp të ditës së sotme sepse duam t’ju dorëzojmë një dosje me bisedat tuaja të përgjuara,” tha një zë femre në anën tjetër të linjës. Një koleg i imi më mori menjëherë. “Të telefonuan për dosjen?” “Po. Po ty?” “Edhe mua. Më përzihet”.
Fillimisht, u përpoqa të kujtoj çdo gjë që kam thënë në bisedat e mia telefonike. Nuk jam nga ata njerëz që janë të kujdesshëm kur flasin në celular ‘sepse ata po dëgjojnë çdo gjë’.
Në kokën time, ngjarjet filluan të shfaqeshin – ngjarje personale, privat dhe bisedat profesionale… Një mik më telefonoi dhe bëri shaka: “Besoj është e njëjta gjë nëse t’i them ty problemet e mia në telefon apo ia them të gjithë botës!” Fola me kolegët e mi të tjerë që kishin marrë gjithashtu një telefonatë për ‘diplomat’ e tyre, siç ua vumë emrin më vonë bisedave të përgjuara. “Do të jetë një CD apo një transkript?” “Do të ketë biseda private, ha ha? Shpresoj të mos i bien në dorë gruas.” “duhet t’i djegim apo t’i mbajmë materialet?”
Një ton pyetjesh, një ton kujtimesh kaluan në kokën time në ato tri orë derisa filloi konferenca për shtyp e SDSM. Kur hyra në korridor, kisha një ndjenjë se këta njerëz dinin çdo gjë për mua. Mendoj se ne mezi u përqendruam në regjistrimet e zbuluara në konferencën për shtyp sepse ne të gjithë po prisnim për dosjet tona. Dhjetëra nga ne gazetarët qëndruam pas konferencës për shtyp derisa Petre Shilegov, nëpunësi për shtyp i partisë, na solli dosjet të titulluara “Liri dhe Demokraci për Maqedoninë”. Leximi i emrave filloi. “Mladen Chadikovski,” bërtiti Shilegov. Pati duartrokitje dhe një shtrëngim dore ndërsa Chadikovski mori ‘diplomën’ e tij. “Irena Mulachka?” pyeti Shilegov. Gazetari tjetër që do merrte diplomën ishte Goran Petreski, kryeredaktor i televizionit shtetëror maqedonas. Shilegov thirri emrin e tij. Heshtje. Shilegov bërtiti përsëri “Goran Petreski!” Ai nuk ishte atje. Dosja u vu mënjanë. Dhe kështu me radhë, derisa ‘diploma’ e fundit u dorëzua.
Mora dosjen time dhe e hapa. Nuk kishte CD brenda. Disa letra ishin kapur së bashku. Ato ngjanin të sapoprintuara, ndonëse SDSM pretendon se dokumentet janë origjinale. Në anën e sipërme të faqes kishte tituj, një datë dhe emri i institucionit, “Shërbimi i sigurisë dhe kundërinteligjencës” në italik të theksuar. Këta djemtë nga shërbimi sekret dukeshin goxha të zotët. Ata kishin futur numrin e shtojcës dhe numrin e dokumentit. Por nuk kishte numër arkive ose vulë. Thjesht një letër e zakonshme e printuar. Nuk e di se çfarë kisha pritur të shihja por raportet më kujtuan se takimet e kohës së vjetër me burimet e mia, bisedat me redaktorët rreth përgatitjeve të historive të caktuara, kërkesat për deklarata zyrtare nga 2011 dhe 2012. Kur kuptuam se ‘diplomat’ tona nuk përmbanin biseda personale apo private, ne filluam të hidhnim sytë te dosjet e njëri-tjetrit. “Çfarë ke ti? Çfarë ke ti?” Kureshtja ishte zgjuar. Ne kishim të njëjtat lloje raportesh: mesazhe SMS me kolegët, përgatitjet e historisë, kërkesa për deklarata. Ne u ulëm në një stol që të lexonim me detaje. Çdo raport në një nga bisedat e mia të përgjuara ishte i vërtetë: data, historia që po punoja dhe burimet nga kisha marrë informacion. Gjithçka ishte e saktë. Nuk jam e sigurt nëse do marr ‘diplomë’ tjetër. Kjo dosje ishte më shumë se mjaftueshëm për mua për të më qartësuar se çfarë po ndodh në vendin tim. Mund të shoh qartë se dikush e dinte më parë se çfarë historie po punoja. Mjaftueshëm për mua për të arritur në përfundim se burimet e mia të informacionit ishin në rrezik. Mjaftueshëm për qendrat e pushtetit për të qenë në gjendje të vepronin paraprakisht më herët sesa historia të botohej. Mjaftueshëm për të qenë vigjilente, edhe pse e kisha dyshuar gjithnjë këtë, që disa njerëz dinin problemet e më të afërmve të mi – njerëz që kishin ndarë çështjet e tyre personale me mua në telefon. Pas gjithë kësaj, në këtë çast, nuk më intereson se kush saktësisht i përgjoi bisedat e mia apo të kolegëve të mi. Çfarë ka më shumë rëndësi është se dikush ndërhyri në jetët tona sikur ne të ishim armiq të shtetit dhe vuri informacion në një pjatë. Besoj se partitë më të mëdha politike në Maqedoni tani kanë ato pjata. Dhe ajo pjatë mund të bëhet gjithnjë publike nëse dikush mendon se ti po sillesh ‘në mënyrë jo të përshtatshme’. Nuk mundem dhe nuk do të pajtohem me këtë. Kryeministri Nikola Gruevski nuk mund të më bindë me shpjegimin e tij se ‘kjo ka ndodhur në shumë vende’. Kryeministri Gruevski, meqenëse ju thatë se kishit vendosur të flisnit në emër të ministrisë së brendshme dhe institucioneve të tjera hetimore, jua adresoj juve këtë: shërbimet tuaja kanë detyrë të gjejnë ‘shërbimet e huaja’ që ju thoni se janë përgjegjës për të gjithë këtë. Shërbimet sekrete maqedonase lejuan përgjimin për vite. Nëse nuk mendoni se njerëzit drejtues të këtyre shërbimeve janë përgjegjës, atëherë unë filloj të dyshoj në ekzistencën e shërbimit maqedonas të sigurisë dhe kundërinteligjencës. Cili është në fakt roli i këtij shërbimi, kryeministër? Të na mbrojë nga armiqtë e mundshëm? Apo është aty për të gjetur një armik në çdo qytetar që nuk ka të njëjta mendime me ju? Marrë nga Reporter.al