Diplomacia shqiptare mblidhet në Dibër, ambasadori Meidani: Akademia urë bashkëpunimi rajonal
Në Dibër të Madhe u zhvillua retreat-i diplomatik i radhës, i organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Shkup nën kujdesin e ambasadorit Denion Meidani. Takimi mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, drejtues të universiteteve, personalitete të jetës publike dhe studentë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Në këtë aktivitet, Universiteti i Tiranës u përfaqësua nga rektori, Prof. Dr. Artan Hoxha, i cili mori pjesë në diskutimet me drejtues të institucioneve të arsimit të lartë të të dyja vendeve.
Bashkëpunimi akademik dhe zhvillimi i arsimit të lartë ishin në qendër të diskutimeve. Vëmendje e veçantë iu kushtua kërkimit shkencor, shkëmbimit të përvojave dhe krijimit të mundësive të reja për bashkëpunim ndërmjet universiteteve shqiptare dhe institucioneve të arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë takimit u nënvizua edhe roli i Universitetit të Tiranës në formimin akademik të të rinjve shqiptarë dhe kontributi i tij në zhvillimin e arsimit të lartë në rajon. Në këtë kuadër, u diskutua për mundësinë e hartimit të projekteve të përbashkëta, programeve akademike dhe nismave që mund të rrisin bashkëpunimin mes universiteteve.
Shkëmbimi i praktikave më të mira dhe përvojave institucionale u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të marrëdhënieve akademike dhe krijimit të partneriteteve të reja. Retreat-i në Dibër të Madhe u shndërrua kështu në një hapësirë të hapur dialogu, ku arsimi, kërkimi shkencor dhe bashkëpunimi rajonal u vendosën në funksion të forcimit të lidhjeve mes institucioneve shqiptare dhe atyre të Maqedonisë së Veriut.
KOHA JONË SONDAZH

