Disa problematika në menaxhimin e shoqërive Ujësjellës-Kanalizime dhe roli i KLSH

Nga Artan Topjana/ Shoqëritë publike të ujësjellës kanalizimeve në vendin tonë gjenden në vështirësi ekonomike, e cila vjen si  nga niveli i ulët i arkëtimit të ujit të faturuar dhe problematikave të tjera, por edhe si pasojë e menaxhimit të dobët të tyre. Humbjet teknike në nivele të larta bëjnë që shpesh këto shoqëri të kërkojnë rritje të çmimit të ujit për konsum të popullatës si rrugën më të shkurtër për rritjen e të ardhurave, por nuk bëjnë sa duhet në  lidhje me uljen e humbjeve teknike veprim i cili do të rriste dukshëm performancën e shoqërive, rritjen e të ardhurave, investimeve dhe cilësinë e furnizimit me ujë dhe shërbimit në tërësi. Lidhur sa më sipër, investimet që këto shoqëri realizojnë për përmirësimin e treguesve të tyre janë në nivel të dobët, madje edhe ato që realizohen nuk arrijnë siç duhet objektivat. Mungesa e efektivitetit vjen që në fazën e programimit të tyre të cilat bëhen pa përcaktime të prioriteteve, por edhe në faza të tjera siç është faza e tenderimit, apo e zbatimit. Lidhen kontrata me vlera relativisht të larta, vlera e të cilave vjen në rritje gjatë fazës së zbatimit si për arsye të ndryshimeve të shumta të projektit, ashtu edhe për vonesa të vënies në operim të tyre. Mungesa e investimeve dhe realizimi pa efektivitetin e duhur ka bërë të vështirë reduktimin e lidhjeve të paligjshme dhe futjen e konsumatorëve si abonentë të shoqërive. Për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme nuk ka ndikuar vetëm mungesa e investimit që është elementi kryesor, por edhe vështirësitë që hasen si në aspektin social, ashtu edhe në aspektin organizativ, pasi ndërprerja e lidhjeve të paligjshme të ujit, nuk është një proces i lehtë siç mund të krahasohet me ndërprerjet e energjisë elektrike. Mos faturimi i ujit të prodhuar që pothuajse për të gjitha shoqëritë është mbi normën mesatare të konsumit, ka bërë që një pjesë e abonentëve të paguajnë fatura me çmim më të lartë, duke paguar edhe për konsumuesit e ujit të cilët nuk paguajnë për të.

Teknologjia që disponojnë këto shoqëri është e vjetruar dhe ka kosto të lartë kryesisht sa i takon shpenzimit të energjisë elektrike, e theksuar tek shoqëritë që prodhojnë ujin e pijshëm me ngritje mekanike, ose thëne me thjeshtë me sistem pompimi. Rrjeti i tubacioneve dhe ujit të pijshëm dhe kanalizimeve në përgjithësi është amortizuar, si pasojë kërkohen shpenzime të larta mirëmbajtjeje.

Jo vetëm sasia e ujit të faturuar e cila është shumë më e vogël se uji i prodhuar, por edhe arkëtimi i sasisë së ujit të faturuar është në nivele të ulëta, problematikë e cila është e njëjtë në pjesën më të madhe të shoqërive. Shoqëritë ujësjellës-kanalizime duhet të bëjnë përpjekjet e duhura për rritjen e arkëtimeve, si nëpërmjet sensibilizimit, ashtu edhe në krijimin e lehtësirave për abonentët në lidhje me numrin e pikave të pagesës, si shkurtimin e kohës së nevojshme për realizimin e tyre.

Nëse flasim për detyrimet që abonentët kanë për pagimin e ujit të konsumuar dhe shërbimin përkatës, nuk mund të lëmë pa përmendur detyrimet që shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve kanë për furnizimin me ujë dhe shërbimet e tjera për popullatën në tërësi. Oraret e furnizimit me ujë janë në nivele të ulëta po ashtu dhe presioni i ujit në tubacione është i ulët, si pasojë e të cilit krijohen kosto shtesë për qytetarët si për ngritjen e ujit në lartësi, kryesisht ndërtesat e larta, po ashtu edhe shpenzime të tjera të mirëmbajtjes së depozitave, tubacioneve e të tjera. Një problem tjetër është mbifaturimi i cili krijon probleme sociale dhe vështirësi për popullatën. Një rast kritik ishte mbifaturimi për rreth 2715 klientë nga Shoqëria Ujësjellës-Kanalizime Tiranë në muajin janar 2016, veprim i cili shkaktoi kosto për klientët dhe vështirësi në menaxhimin e ankesave për vetë shoqërinë. Ky veprim në mungesë të përgjegjësisë, shkaktuar nga Drejtori dhe stafi i IT i asja periudhe, duhet të bëhet shembull edhe për shoqëritë e tjera. KLSH për këtë rast ka kërkuar marrjen e masave të nevojshme për funksionimin e një sistemi të plotë kontrolli në drejtim të faturimit të abonentëve, për të parandaluar mbi faturimin e klientëve dhe hartimin e rregullave të qarta për të minimizuar risqet e mashtrimit lidhur me procesin e faturimit për klientët. Për rastin në fjalë, është kërkuar që të ndiqen procedurat për hetimin deri në fund të ngjarjes së ndodhur në mënyrë që personat përgjegjës të përgjigjen përpara ligjit. I është kërkuar Këshillit Mbikëqyrës të UKT SHA, të ndjekë hap pas hapi ecurinë e këtij hetimi përmes informimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit me organin e hetimit, duke mos u mjaftuar me shkarkimin e drejtorit ekzekutiv. Shoqëritë herë pas here bëjnë riorganizime, ristrukturime të cilat nuk japin efektet e duhura, madje dëmtojnë interesat e shoqërisë, krijojnë probleme sociale, si dhe kosto të mëdha financiare. Rast konkret mund të përmendim largimin masiv nga puna në muajin dhjetor 2015, të 436 punonjësve nga Shoqëria Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, me argumentin se administrata është e mbingarkuar me burime njerëzore dhe në shumë sektorë vendet e punës janë të dubluar. Por në fakt, rezulton se është ulur numri i faturuesve, numrit i hidraulikëve, shoferëve, teknikëve të ndryshëm si pompist, klorinues, saldator, mekanik, teknik bilanci, inxhinier matje, etj. Ky veprim ka sjellë pasojë për shoqërinë jo vetëm në uljen e cilësisë së shërbimit që shoqëria kryen por edhe një faturë financiare me vlerë rreth  68 milion lekë, si pasojë e proceseve gjyqësore të fituara nga ish-punonjësit e shoqërisë, faturë e cila i përket vetëm vitit 2016. Po të marrim në konsideratë proceset gjyqësore të pa përfunduara, kjo faturë do të rritet më tej. KLSH ka rekomanduar ndërprerjen e praktikave të ristrukturimit të vazhdueshëm dhe ndërhyrjen në strukturat organike të shoqërisë, me synim shmangien e pasojave sociale dhe financiare të këtyre vendimeve, që mund t’i shtoheshin shoqërisë si pasojë e humbjeve të proceseve gjyqësore.

Për përmirësimin e situatës së shoqërive përkatëse, por edhe rritje të shërbimit që këto shoqëri realizojnë, KLSH përmes vendimeve të Kryetarit ka rekomanduar dhe kërkuar marrjen e masave që kanë të bëjnë kryesisht me: Hartimin e politikave të menaxhimit të shoqërive me synim rritjen e efektivitetit të investimeve, nëpërmjet priorizimit dhe hartimin e planeve afatgjata për ndërhyrje. Përmirësim të teknologjisë qa sa është e mundur referuar nivelit të të ardhurave. Rritjen e menaxhimit nëpërmjet forcimit të kontrollit të brendshëm, apo strukturave të auditit të brendshëm. Shoqërive i’u është kërkuar të marrin masa rritjen e shfrytëzimit të kapaciteteve tekniko-ekonomike për rritjen e të ardhurave nga faturimi i ujit, uljen e humbjeve në rrjet, lidhjen e kontratave të reja, reduktimin e ujit pa të ardhura dhe ndjekjen e arkëtimeve, me qëllim rritjen e të ardhurave nga aktiviteti kryesor dhe realizimin e objektivave të zhvillimit të shoqërisë.

Në auditimet që KLSH ka zhvilluar në disa shoqëri të ujësjellës-kanalizimeve, ka rekomanduar një sërë masash me karakter organizativ, ka kërkuar marrjen e masave administrative dhe disiplinore për personat përgjegjës. Janë rekomanduar masa shpërblim dëmi, si për rastet kur mangësitë janë konstatuar në punën e stafit të shoqërive, ashtu edhe në realizimin e punëve publike, furnizimin e mallrave apo realizimin e shërbimeve nga operatorë ekonomikë të ndryshëm.

*Auditues

SHKARKO APP