Dita e 57-të e reagimit qytetar, protestuesit të vendosur për të vazhduar deri në largimin e Edi Ramës

Protesta kundër qeverisë hyn sot në ditën e saj të 57-të, ndërsa qytetarët pritet të mblidhen sërish në mbrëmje para godinës së Kryeministrisë për të vijuar tubimet e përditshme.
Shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Edi Rama.
Në protestat e mbajtura më herët, aktivistë dhe qytetarë reaguan ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste më 24 korrik, ku prezantoi platformën “Besa”, duke e cilësuar atë si një nismë për një marrëdhënie të re me qytetarët.
Nga podiumi i ngritur para Kryeministrisë, protestuesit deklaruan se nuk e pranojnë këtë mesazh, duke argumentuar se qeveria ka humbur besimin e qytetarëve.
Gjatë fjalimeve, aktivistët akuzuan kryeministrin se po përpiqet të zbusë reagimin qytetar përmes iniciativave të reja, ndërsa theksuan se protesta nuk ka ndryshuar qëllimin e saj.
Ambientalisti Sazan Guri deklaroi se protesta qytetare do të vazhdojë përpara Kryeministrisë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Ai tha se përveç dorëheqjes së kryeministrit Edi Rama, do të qëndrojnë në shesh derisa të kthejnë çdo pasuri të vjedhur publike.
“Nuk do t’i ndalemi kësaj kauze. Kjo nuk është thjesht protestë e qytetarëve, e një populli hyjnor, por është një proces historik dhe do të rrimë këtu derisa ata të kthejnë pasurinë publike.”, tha ai.
Sipas tij, me ndryshimet në Kushtetutë në vitin 2008, ai tha se politikanët bënë që toka shqiptare të shitet.
“Me kushtetutën dhe ndryshimet e vitit 2008 këta kanë vënë që kufijtë shtetërorë mund të tjetërsohen.”, tha ai.
Më pas ai përsëriti se duhet të krijohet një qeveri teknike apolitike.
“Ne do të vendosim 12 shtylla të një shteti. Toka e shqiptarëve nuk shitet. Zona e mbrojtur nuk jepet. Zona publike nuk preket. Toka bujqësore nuk ka për t’u dhënë kurrë. “, tha ai.
Një qytetar akuzoi se në ditën e protestës u përballën me një represion të tipit serb nga ana e Policisë së Shtetit. Sipas tij, efektivët u sollën kundër protestuesve sikur të ishin çetnikë serbë dhe jo policë shqiptarë.
“Ne para disa ditësh u ndodhëm para një represioni të tipit serb. Para parlamentit ishin çetnikët serbë, jo policët shqiptarë. Na hodhën helm. Familjarëve të këtyre policëve a do të ushqeheni me lekët e helmit që hodhën mbi fëmijët, mbi gjakun që derdhën të rinjtë në shesh. Nuk ishte ujë me spraj apo piper, por acid. A do të ushqeheni me këtë helm. A nuk iu vjen turp o familjarë.”, tha ai duke i bëjë thirrje SPAK që të hetojë.
Më pas, ai përcolli edhe një mesazh për ndërkombëtarët duke thënë se nëse ata heshtin, do të jenë bashkëfajtorë me qeverinë. Ai theksoi se partneritetin e vërtetë e kanë në shesh, ku qëndrojnë ata.
“Zotërinj diplomatë, nëse heshtni jeni bashkëfajtorë. Nëse na konsideroni partnerë, partnerin e vetëm e keni në shesh jo në zyra.”, shtoi ai.
Një tjetër protestues i drejtoi disa pyetje kryeministrit Edi Rama teksa ky i fundit nxorri një dokument me titullin “Besa”, si reflektim ndaj protestës.
Ai theksoi se nuk mund t’ia japën besën një kryeministri që merr pastrues në Greqi, e bën zëvendës kryeministre dhe më pas kapet duke vjedhur, duke iu referuar Belinda Ballukut, e cila është nën akuzë zyrtarisht nga SPAK.
Më pas ai e ironizoi Ramën duke thënë se do t’ia japën besën vetëm për një gjë: do të qëndrojnë në shesh deri në largimin e tij.
“Si mund të ta japim besën zoti kryeministër kur ti merr pastrues në Greqi dhe i bën oligarkë, zv kryeministër që kapen në mes të ditës duke vjedhur dhe nuk i fut në burg. Si mund të të japim besën kur Erion Braçe na prek dhe na bën me qarë me fermerët dhe ditën e votimeve del edhe vjedh me kamera.
Kur biznesmenët rrëmbehen mes të ditësh me video dhe qeveria nuk merr asnjë masë, kur me 90% përqind të qeverisë në burg. Ne do të të japim besën se nuk kemi me ik prej sheshi derisa të të largojmë ty. “, tha ai.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?