Dita Ndërkombëtare e Romëve dhe edukimi…

Nga Entela Binjaku/Kjo datë simbolizon njehsimin e përpjekjeve që bëjnë shoqëritë në mbarë botën për drejtësi, qëndrime larg stigmës dhe kundër diskriminimit ndaj popullsisë rome. Edhe Shqipëria nuk bën përjashtim nga aktivitetet që theksojnë rëndësinë e kësaj date. Si rezultat i angazhimeve që lindën me anëtarësimin e Shqipërisë në Konventat Ndërkombëtare, për shkak të monitorimit nga Këshilli i Evropës të respektimit të tyre si kritere që janë kusht për anëtarësim në BE dhe pjesëmarrjes së vendit që prej vitit 2008 në “Dekadën e Përfshirjes së Romëve”, presupozohet që minoriteti rom në vendin tonë të marrë kujdes dhe vëmendje, jo thjesht në këtë datë por në mënyrë të vazhdueshme. Aktivitetet që paraprijnë 8 Prillin si dhe ato që zhvillohen gjatë saj, bashkojnë në një pamje të vetme mozaikun e përpjekjeve të qeverisjes vendore, qendrore dhe sektorit të organizatave jofitimprurëse ku diversiteti festohet dhe shkëmbimet janë burim gëzimi. Sipas censusit të fundit të përgjithshëm të popullsisë të kryer në vitin 011 në Shqipëri banojnë 8 301 Romë, ose 0,3% e popullsisë të vendit. Sipas një burimi tjetër që lidhet me organizatat rome apo ato që punojnë me këtë komunitet numri i tyre varijon deri në 120 mijë banorë (open.data.al/). Romët përbëjnë një pakicë etnike kulturore që jeton prej shekujsh në Shqipëri, me gjuhë dhe kulturë të veçantë të cilët kanë bashkëjetuar me shumicën duke ruajtur specifikat e tyre kulturore.  Në këtë ditë flamuri, himni, gjuha dhe traditat rome vendosen në qendër të vëmendjes së opinionit. Tabloja e jetës së romëve në vendin tonë ka ngjyra të tjera, larg atyre të gëzueshme specifike për këtë pakicë. Në vendin tonë popullsia rome është më e varfra dhe kjo në kushtet ku sipas Banka Botërore më shumë se gjysma (45.5 për qind) e popullsisë shqiptare jeton në kufirin e varfërisë me 5 dollarë në ditë. Kjo tablo është e ndryshme edhe nga ajo që jetonin romët para viteve ‘90 duke mbetur njëkohësisht lineare në varfërinë e saj përgjatë këtyre dy dekadave të fundit. Nëse para viteve ‘90 punësimi, strehimi dhe arsimimi i romëve ishin çështje të zgjidhura, pas këtij kufiri vitesh popullsia rome në shumicën e saj është e pastrehë, mjaft fëmijë romë braktisin shkollën dhe punojnë, një pjesë punojnë e tyre janë tashmë rritur në tregun e zi duke mbledhur mbeturinat, në shitje rrobash të përdorura, një pjesë lypin në rrugë, lajnë xhamat e makinave në semafor, punojnë në sektorët e vështirë të ngarkim-shkarkimit apo thithin pluhurin e rrugëve që vazhdojnë t’i fshijnë me fshesë shqope etj. Shumë prej fëmijëve të këtij komuniteti martohen pa mbushur moshën 18 vjeç duke përfaqësuar numrin më të lartë të martesave mes minoreneve në vend duke bartur edhe problematika që lidhen me lindshmërinë, sëmundshmërinë, braktisjen e shkollës etj., të tjerë bien pre e trafikimit apo shfrytëzimit ekonomik dhe seksual dhe shoqëria nuk ka mundësinë t’i ndihmojë.

Një numër i madh i romëve nuk përftojnë sigurime shëndetësore dhe për shkak të punëve që kryejnë dhe kushteve në të cilat jetojnë, një pjesë e tyre vuajnë aftësinë e kufizuar ose nga sëmundje të rënda për të cilat kërkohen kushte më të mira jetese dhe banimi, ushqimi etj. Gjendja e vështirë ekonomike e kësaj pakice është shoqëruar edhe me stigmën, e cila ka bërë që romët të ndjehen të përjashtuar nga mundësia për të përmirësuar gjendjen e tyre. Qasja e pabarabartë e romëve në tregun e punës flet qartësisht për këtë. Megjithatë hapa përpara janë bërë dhe kjo kryesisht falë edukimit. Dihet që shkolla është institucioni kryesor për edukimin e shoqërisë. Falë aktiviteteve ekstra-kurrikulare dhe klasave të ndërtuara me fëmijë nga pakica rome dhe shumica janë bërë hapa përpara për integrimin e tyre. Vetë klima miqësore e shkollës bën që prindërit romë t’i drejtohen shkollës dhe të bashkëpunojnë me mësuesit. Një ndër shkollat e vendit në të cilën edukohen mjaft fëmijë nga ky komunitet është shkolla “100-Vjetori i Pavarësisë” Zhupan në qytetin e Fierit. Sipas drejtoreshës së kësaj shkolle znj. Mirela Pashollari “Numri i nxënësve romë që frekuentojnë shkollën është 84 ose 1/3 e nxënësve të shkollës. Fëmijët romë janë mjaft të integruar, ata ndjehen të përkrahur nga bashkëmoshatarët dhe mësuesit”.

Paraditen e 8 prillit ne mjediset e kësaj shkolle u zhvillua një veprimtari social-kulturor me rastin ” Ditës Ndërkombëtare të Romëve”. Veprimtaria u realizua nën kujdesin e mësueses Enkeleda Shkëmbi, mësuese përgjegjëse për veprimtaritë në kuadër të shkollës- qendër komunitare.  Nxënësit e kësaj shkolle interpretuan krijime të tyre, lexuan ese të krijuara posaçërisht për integrimin dhe gëzimin e të drejtave, interpretuan himnin rom në gjuhën shqipe, kërcyen valle tradicionale rome, paraqiten një historik të shkurtër të kësaj pakice duke ndarë së bashku emocione dhe mesazhe qe tregojnë mbështetjen e fëmijëve tek njëri-tjetri pavarësisht së cilës kulturë i përkasin. Nxënësit nga pakica rome kishin bërë vizatime dhe shkruar mesazhe me dashuri për njëri-tjetrin, shprehnin lirshëm dëshirat e tyre për të studiuar në të ardhmen mjekësi, pohonin pëlqimin për lëndët e gjuhës shqipe dhe shkencave natyrore duke bashkuar dëshirat për një shoqëri më të mirë ku të gjithë kanë të drejta dhe nuk ka diskriminim. 8 Prilli është dita kur romët i drejtojnë thirrje shtetit dhe shoqërisë për më shumë të drejta ekonomike, për më shumë mundësi punësimi dhe arsimimi, për strehim e për përkujdesje shëndetësore. Përmirësimi i gjendjes social-ekonomike të tyre kërkon një punë këmbëngulëse në drejtim të respektimit të të drejtave të kësaj pakice.  Kjo nis dhe mund të realizohet përmes edukimit, këtij korpusi të rëndësishëm të veprimeve shoqërore që transmetojnë e prodhojnë kulturë dhe orientojnë procesin e të mësuarit. Shkolla është në gjendje të kryejë edukimin formal përmes këtij procesi të përditshëm që ka për objektiv një shoqëri shqiptare demokratike. Media, raportet ndërpersonale, sjelljet shoqërore në rrugë etj., realizojnë edukimin informal, por kjo tablo edukimit të shoqërisë me vlerat e integrimit, larg stigmës dhe diskriminimit, ku çdo pjesëtar gëzon mundësi të barabarta pavarësisht se i përket një pakice kulturore apo shumicës, vjen e plotësohet edhe përmes edukimit joformal. Ky realizohet përmes veprimeve edukuese dhe udhëzimeve që vijnë nga qeliza funksionale jashtë sistemit arsimor, që veprojnë si përgjigje ndaj kërkesave që ka shoqëria dhe individi për ta bërë të mësuarin një proces të përhershëm e bashkëkohor.

SHKARKO APP