Ditët e fundit të diktaturës
…..Kështu, dalëngadalë po i afroheshim viteve ‘90, veçse pa kurrfarë perspektive. Këtë e ndjenin të gjithë; ndërsa ne që punonim në tregtinë e jashtme, e shihnim ndoshta edhe më qartë. Vendi po mbahej me premtimet e së ardhmes, me planet utopike të “arkëtimeve të pritshme” dhe me “ishallah”. Çdo vit propagandohej se ishte planifikuar një rritje 20 % më shumë se realizimi i vitit paraardhës, kur ky i fundit, në fakt, ishte vetëm në masën 60 % të planit; në një kohë kur popullsia rritej bashkë me kërkesa për mallrat më të domosdoshme të importit. Gjendja ishte e tendosur, për shkak të deficiteve të mëdha të krijuara në bilancin e eksport-importit. Kritika gjithandej dhe pritshmëri të parealizueshme, siç kishte treguar përvoja e gjithë viteve 80. Për pasojë, çdo vit më 31 Dhjetor, mjaft drejtues e specialistë në Ministri e në ndërmarrje të tregtisë së jashtme do ta”gdhinin” në zyrë; ata shkëputeshin vetëm disa orë për të festuar 1 Janarin dhe në në drekë do t’i gjeje sërish në zyrë, deri natën vonë. Dhe, problemi nuk ishte si do të zgjidhej situata, por si të dilje “pa u lagur” nga ajo mbledhje e radhës e Byrosë Politike! Me një fjalë “shtyje ta shtyjmë!” Ndërkohë, duhet thënë se kishte edhe njerëz dhe kuadro të ndershëm që kanë ngritur zërin për t’u parë e për t’u rregulluar disa gjëra, edhe pse natyrisht brenda kornizës socialiste. Elementë reformatorë, madje pse jo, edhe atje lart në parti në shtet, por sidomos në organet e prodhimit sugjeronim që të shihej problemi i kredive, i ndihmave, i vendosjes së marrëdhënieve me organizmat e huaja ndërkombëtare ekonomike dhe financiare, me SHBA dhe vende të tjera e sidomos me BE-në, apo qoftë dhe lejimi i pronës private në format e saj më të thjeshta, si para viteve 70. Ata argumentonin me të drejtë se Kushtetuta dhe parimet nuk kishte pse të ktheheshin në dogma dhe tabu! Madje, ishte propozuar të shihej dhe mundësia e dërgimit të organizuar e të kontrolluar të grupeve me punëtorë jashtë vendit. Propaganda për rritjen ekonomike dhe begatinë e vendit me lugë bosh vazhdonte surdinë e saj; Anekdota shkodrane mbi mirëqenien ekonomike, si diçka që “rritet e rritet por që kurrkush nuk e sheh” kishte marrë dhenë. Ironinë e gjendjes e shtoi edhe një “Çmim i Ushqimit” që iu dha Shqipërisë në Meksikë, i cili u pompua tej mase. U habitën njerëzit se si ka mundësi që ne që nuk kishim të hanim e që çoheshim në mes të natës të merrnin qumështin e racionuar, paskeshin qenë të parët për ushqim! Në fakt, vendi ynë ishte vlerësuar nga një “nobody” (askushi) në Meksikën e largët për zbatimin e parimit të vetëmjaftueshmërisë ushqimore, pra që nuk importonim produkte ushqimore, se demek i plotësonim vetë të gjithë nevojat tona! Ekspertët meksikanë nuk e dinin se tek ne bëhej fjalë thjesht për plotësimin e nevojave më minimale e të planifikuara, nga lart, por që ishin tej larg nevojave të vërteta njerëzore!
Pa rrugëdalje
Kështu, shqiptarët kuptuan, se regjimi dhe sistemi jo vetëm ishin të paaftë të na nxirrnin nga ajo gjendje pa shpresë, por tani dhe po talleshin me fatkeqësinë e njerëzve; Furnizimi me lëndë të para i ekonomisë, i prodhimit ishte bërë i pamundur, çka e detyroi qeverinë të paguante njerëzit pa punuar në masën 80 % dhe të prekte për herë të parë vitet e fundit rezervat valutore. Vijonte mungesa e theksuar në treg e pajisjeve të nevojshme, sidomos për frigoriferë e lavatriçe. Asnjë ndryshim me 20 vjet më parë, kur si shumë të tjerë, u detyrova të shkoja nga Tirana në Gjirokastër që të merrja me autorizim me mik televizorin e parë bardh e zi! Vendin po e mbulonte me gjithë zymtësinë e vet papunësia që deri atëherë pompohej si epërsi dhe arritje e rendit të ri socialist! Në atë kohë u bë e njohur dhe tregohej një barsoletë në Shkodër, kur gjatë zhvillimit të një forme të edukimit marksist, pasi u fol mbi procesin e shndërrimit të majmunit në njeri nëpërmjet punës, sipas teorisë së Engelsit, në fund pjesëmarrësit mund të bënin dhe ndonjë pyetje; kështu, një i papunë i bën drejtuesit të formës pyetjen e mëposhtme që shkaktoi aq shumë ilaritet: “Me të drejtë Engelsi thotë se puna e ktheu majmunin në njeri. Po unë që kam dy vjet pa punë, a mos ka rrezik të kthehem në majmun?” Mirëpo gjërat nuk mund të ecnin me një sforcim të tillë. Ingranazhet e ekonomisë po kërcisnin për mungesë “vaji” grasoje dhe nafte”. Në ato vite, tregtisë së jashtme i kërkohej të rishihte koston e prodhimit të mineralit të kromit, i cili jepte 25 për qind të të ardhurave valutore, me qëllim që të rriteshin fitimet prej tij. Por e njëjta histori me ulje të detyruar të kostove përsëritej edhe për shumë mallra të tjera. Kështu, në Gusht 1987, bashkë me 2-3 kolegë të Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shtetit shkuam në një shërbim tre ditor në Burrel dhe në Krastë të Bulqizës, për të analizuar në vend koston e prodhimit të kromit. Aty e ndjeva dhe më shumë gjendjen mjerane. I shqyrtuam një për një të gjitha zërat e kostos dhe ishte e pamundur të gjenim qoftë dhe rezervën më të vogël për uljen e saj. Për më tepër se dihej që me nxjerrjen e mineralit të kromit, sidomos ne Bulqizë merreshin kryesisht të burgosurit, puna e të cilave nuk kishte se si të” paguhej” më pak, ashtu si dhe trajtimi i tyre ushqimor. E ç’ti bëje më asaj kostoje? Por, edhe sikur të ulej pak këtu e pak aty, sërish kjo nuk mund të ishte zgjidhje, ca më pak afat-gjatë. Kësisoj, në vend që të merreshin masa reale për të lehtësuar sadopak gjendjen, vijonte sërish gjuetia e shtrigave edhe ndaj nismave të njerëzve që në kushtet e”urisë” për lekë, organizonin të ashtuquajturat “lotari kolektive” me 5 e më shumë vetë. Në këto lotari, çdo punonjës jepte periodikisht pjesën e tij të lekëve dhe pas një periudhe kohe merrte një shumë të madhe parash, të nevojshme për një gëzim, dasmë, apo mobilimin e shtëpisë; kjo sepse pavarësisht nga varfëria, ne donim ta mobilonim sa më bukur shtëpinë, duke e thyer sadopak uniformitetin shabllon të asaj kohe. Më e mira do të ishte që këto lotari t’i organizonte shteti, siç veprohej deri në vitet ‘70, kur ato u hoqën në kuadrin e nismave revolucionare apo dhe të jepte kredi për çiftet e reja të sapomartuara, çka do të ishte e dobishme edhe për vetë financat shtetërore. Por dhe kjo nismë konsiderohej si “luks” sepse njerëzit duhen të kaliteshin dhe vuanin “si revolucionarë”. Ishte koha kur në fuqi ishte “ideologjia e vuajtjes dhe mundimit”, siç shprehet Georges Duhamel në “Geographie corduale de l’Europe”.
Prag demokracie
Edhe reformimi i jetës së vendit pas vitit 1985 ishte tejet i ngadalshëm dhe i cunguar. Vërtet në fund të viteve ‘80 u morën disa masa në kuadrin e të ashtuquajturit “ mekanizëm i ri ekonomik”. Por ishte shumë pak dhe për më tepër nuk njihej as si “reformizëm”, pasi kjo konsiderohej “dukuri revizioniste”. U kujtuam të mësonim diçka prej tyre, ku ata vetë po i hidhnin poshtë praktikat e tyre të mëparshme dhe kur revolucionet demokratike po u trokisnin në derë. Ndërkohë, bota po lëvizte, por tek ne vazhdohej me të njëjtin ”avaz”. As hapeshim dhe as mbylleshim, as lindje as perëndim, as reformë as integrim, as andej, as këtej, as përpara dhe as mbrapa, as ashtu dhe as kështu! Dukej, se regjimi mundohej thjesht”të hidhte lumin e të dilte në breg, pa u lagur edhe këtë radhë” Për këtë qëllim, në Maj 1990, u shfrytëzua edhe vizita e ish-Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Peres de Kuelar. Kjo vizitë, e vetmja e një natyre të tillë në Shqipëri nga ana e Njëshit të OKB-së u konsiderua si një fitore e madhe e diplomacisë sonë. Por dhe vetë OKB-ja kishte qëllimet e veta me këtë vizitë, që t’u tërhiqte vëmendjen autoriteteve të Tiranës që të reflektonin ndaj asaj që po ndodhte në Europë dhe në botë. Ngjarjet e 2 Korrikut 199O e më pas ato të eksodit masiv të Marsit 1991 e dëshmuan qartë këtë fakt. Ato u kthyen në akt-akuzën më të rëndë ndaj sistemit të kaluar. Në atë kohë punoja i atashuar në Ministrinë e Jashtme. I përjetuam shumë keq gjithë ato ngjarje dhe episode të njohura. Ndërsa në Gusht të apo atij viti erdhi në Shqipëri delegacioni i Komisionit Amerikan të Helsinkit, i kryesuar nga dy ambasadorë. Bisedimet i kryesonte Foto Çami, Antar i Byrosë Politike dhe Sekretar i KQ të PPSH-së, ndër njerëzit më të ndriçuar dhe të shkolluar të rregjimit, tek i cili njerëzit kishin shumë besim. Kërkesat e tyre kryesore ishin lejimi i fesë, të drejtat e njeriut, opozita dhe zgjedhjet e lira e të ndershme. Pata mundësinë të isha i pranishëm në disa aktivitete me ta. Qëndrimi konservator dhe mohues i Çamit dhe autoriteteve të tjera ndaj këtij delegacioni ishte një zhgënjim i plotë për palën amerikane dhe këtë komision, më i rëndësishmi i Kongresit amerikan, sidomos në atë periudhë ndryshimesh. Në këto rrethana, më 25 Shtator ishim në Pritjen në Pallatin e Brigadave me rastin e përfundimit të takimit të Ministrave të Jashtëm të Ballkanit, takimi i parë i këtij lloji i organizuar në Tiranë, do thënë jo pa sukes, kur sa pa filluar aktiviteti, u mësua për azilin e Kadaresë në Paris. Kuptohet që klima dhe atmosfera festive u zymtësuan menjëherë. Ishte ky paralajmërimi i fundit serioz për rregjimin. Edhe Plenumi i KQ i Nëntorit 199O, në përgjithësi eci nëpër të njëjtat linja, çka dëshmonte se udhëheqja e asaj kohe, madje dhe ata që mendoheshin si më të reformuarit, pasi për përfaqësuesit e vijës së ashpër as që nuk bëhej fjalë, ishin tërësisht” out of touch” me realitetin shqiptar në agoninë e tij fatale. Megjithatë, u desh shembja e Murit të Berlinit më 1959 dhe dhjetori ynë më 199O që të vuloste fundin e sistemit absurd të vetërrethimit dhe ardhjen e demokracisë pluraliste në Shqipëri.
Shënim:Ky fragment është marrë me shkurtime nga libri “Në Vetrrethim”, botimet” Toena” të autorit Jorgji Kote, diplomat dhe publicist i njohur. Aty autori shkruan përngjarje dhe reflektime nga jeta gjatë periudhës së viteve të monizmit deri në agimin e demokracisë pluraliste.