Djegia e mandateve, Nishani: Si e ndihmuan ndërkombëtarët opozitën
I ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” me Nisida Tufën, kreu i këshillit kombëtar në PD, Bujar Nishani komentoi vendimin e opozitës për djegien e mandateve, për të cilin tha se erdhi si rrjedhojë e një rrugëtimi ku jo vetëm opozita, por në tërësi shoqëria ka hyrë në një ngecje totale.
“Kemi një krizë shumëdimensionale. Kemi një krizë politike, një krizë institucionale, kushtetuese dhe jo vetëm pse mungon gjykata kushtetuese, kemi një krizë të thellë ekonomike, por mbi të gjitha është një krizë sociale dhe shoqërore, që shprehet te mungesa e besimit e shoqërisë sonë. Rrezikon atë që nuk është parashikuar të ndodhte kurrë, zhbërja e një shoqërie e një shteti në një perspektivë afat mesme.” theksoi Nishani.
Për të arritur në një vendim të tillë, Nishani tha se ka pasur diskutime të shumta mes politikes, por edhe me qytetarët. Lidhur me deklaratat e ndërkombëtarëve të cilët janë shprehur kundër vendimit ekstrem politik të opozitës, Nishani ndaj një tjetër këndvështrim:
“Unë mendoj që faktori ndërkombëtar ka ndikuar pozitivisht, në marrjen e këtij vendimi. Duhet të kemi parasysh faktori ndërkombëtar paraqitet në anën formale dhe jo formale të tij, pra ka kode të shkruara dhe të pashkruara. Që do të thotë një qëndrim dhe një deklaratë diplomatike është më se i kuptueshëm. Janë disa kode që duhet t’i respektojmë por ka edhe disa qasje, që komunikojnë drejtpërsëdrejti me opinion publik, jo vetëm me institucionet. Do të nënvizoj vetëm dy faktorë të rëndësishëm, së pari Parlamenti Europian ngarkoi një mekanizëm pas zgjedhjeve në Shqipëri, dhe ky mekanizëm ofroi një investigim të thelluar me konkluzionin që në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë blerë zgjedhjet, po nëse në disa vende të tjera ky manipulim varionte nga 3 deri 5 %, në Shqipëri gjetja e tyre ishte 20% e votave janë blerë. Pra, ky ishte një proces i identifikuar nga një investigim i Bashkimit Europian. Pas një periudhe kohe të caktuar kishin një aktor tjetër shumë të rëndësishëm që ishte Zëri i Amerikës. Ata që nuk e dinë duhet ta mësojnë që Zëri i Amerikës nuk është një radio apo një televizion privat. Zëri Amerikës është Kongresi Amerikan, financohet nga Kongresi Amerikan, përçon mendimin frymën dhe qëndrimin e Kongresit. Zëri Amerikës bëri me dije që këtë 20% të votave e kanë blerë grupet kriminale të cilët janë financuar me para kesh, apo licencë trafiku droge nga qeveria në bashkëpunim më aktorë të rëndësishëm të qeverisë për të marrë pushtetin. Pra, faktori ndërkombëtar e ka ndihmuar pozitivisht opozitën për t’u qartësuar nga njëra anë dhe për të bindur opinionin publik në drejtësinë e qëndrimit politik të opozitës për të ardhur në këtë moment. Tashmë është momenti që opozita ta jetësojë në aktivitet politik këtë ndihmë që i dha faktori ndërkombëtar”, tha Nishani.