Do lërë mandatin si deputete për garën në bashkinë Vlorë, Brunilda Mersini ka diçka për të thënë
Brunilda Mersini nuk do të jetë gjatë në Kuvendin e Shqipërisë si deputete e Vlorës, pasi sonte nga mbledhja e Kryesisë së PS, ajo doli të jetë kandidate për kryebashkiake në këtë qytet. Vetë Mersini në një reagim në Facebook, thekson se është një angazhim i thellë për të dëgjuar çdo zë, për të ndërtuar ura bashkëpunimi për një të ardhme më të mirë për qytetin.
Postimi i plotë
Të kandidoja për të përfaqësuar qytetin tim si deputete ishte një nga vendimet më të rëndësishme të jetës sime. Ishte një thirrje për t’i shërbyer komunitetit me ndershmëri, përkushtim dhe dashuri. Me mirënjohje dhe me ndjesinë e thellë të përgjegjësisë, sot më besohet kandidatura për Kryetare të Bashkisë së Vlorës. Ky nuk është një udhëtim ambicieje personale, por një angazhim i thellë për të dëgjuar çdo zë, për të ndërtuar ura bashkëpunimi për një të ardhme më të mirë qytetit tonë.
Çdo takim me ju, që më besuat në kandidaturën si deputete, çdo bisedë në rrugët e Vlorës, çdo dorë e shtrirë me mirësi, më ka dhënë forcën për të ecur përpara. Keni qenë pranë meje në çdo hap, me besim, me kurajo dhe me atë ndjenjë të thellë përkatësie që vetëm vlonjatët dinë ta japin. Të jesh përfaqësuese e këtij qyteti është më shumë se detyrë, është mision shpirtëror. Dhe sot, ky mision merr një përgjegjësi të re: të punoj me gjithë energjinë, përkushtimin dhe dashurinë time, për të patur një Vlorë që i ngjan njerëzve të saj të ndershëm, punëtorë, krenarë dhe plot dritë.
Faleminderit Kryeministrit Edi Rama për besimin e treguar. Faleminderit drejtuesit politik, Bledi Çuçit për besimin dhe vlerësimin! Faleminderit strukturave të Partisë Socialiste për mbështetjen e vazhdueshme, dhe mbi të gjitha, juve, qytetarëve të Vlorës, që më keni dhënë arsye çdo ditë për të besuar më shumë te forca e bashkimit dhe e dashurisë për qytetin tonë.
Ju premtoj se do të jem gjithmonë pranë jush, duke dëgjuar, duke punuar, dhe duke e vënë zemrën në çdo gjë, që të gjithë bashkë do të bëjmë. Për mua, kjo nuk është thjesht një garë politike, është një rrugëtim zemre për Vlorën. Me mirënjohje dhe vendosmëri të palëkundur! Së bashku për Vlorën tonë, qytetin që jeton në çdo zemër vlonjat
KOHA JONË SONDAZH

