”Doctor Honoris Causa” për Nicolas dhe Olivier Berggruen, Rama ndan një kujtim: Galeria nuk ishte vend lojërash për fëmijë
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë ku filantropët Nicolas Berggruen dhe Olivier Berggruen u nderuan me titullin “Doctor Honoris Causa” në Universiteti ”Aleksandër Moisiu” i Durrësit. Ata janë nipër të aktorit të njohur Aleksandër Moisiu.
Në fjalën e tij, Rama tha se ishte i nderuar të merrte pjesë në një ceremoni që feston trashëgiminë e Moisiut. ”Ndjehem vërtet i nderuar që jam këtu, jo thjesht sepse duhet t’i them këto fjalë, por sepse kemi ardhur për të festuar trashëgiminë e një personi shumë të veçantë, shumë special”, tha ai.
Kryeministri ndau edhe një kujtim nga fëmijëria e tij, duke e lidhur me historinë e familjes Berggruen. Ai tregoi se kishte lexuar një rrëfim të Olivier Berggruen, sipas të cilit ai dhe vëllai i tij nuk lejoheshin të vizitonin galerinë e babait të tyre kur ishin fëmijë, pasi ai besonte se galeria nuk ishte vend lojërash për fëmijë. ”Fëmijëria ime në një farë mënyre ka qenë shumë e ngjashme, sepse babai im besonte se atelieri i tij nuk ishte një vend lojërash për fëmijët”,-u shpreh Rama.
Ai tregoi se e kishte pasur të rrallë mundësinë të hynte në studion e të atit dhe se një nga ato momente i kishte mbetur i gdhendur në kujtesë. “Pikërisht në një nga këto raste, kur unë kam qenë vërtet fëmijë shumë i vogël, u përballa për herë të parë me fytyrën e gjyshit tuaj të madh, Aleksandër Moisiut”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH


