Dogana dhe Posta Shqiptare, marrëveshje për pagesat online
Ditën e sotme në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit mes Doganës Shqiptare dhe Postës Shqiptare për “Pagesat Online të Detyrimeve të Akcizës dhe detyrimeve të tjera të pagueshme në Doganë”. Kjo marrëveshje është firmosur nga dy Drejtorët e Përgjithshëm, znj. Elisa Spiropali Drejtore e Përgjithshme e Doganave dhe z. Majlind Lazimi Drejtor i Përgjithshëm i Postës Shqiptare.
Dogana Shqiptare dhe Posta Shqiptare kanë vendosur që të lidhin këtë marrëveshje në fushat si më poshtë:
1. Çdo person fizik, juridik ose dhe persona fizik natyrorë mund të paguajnë pranë Postës detyrimet doganore, të akcizes dhe detyrime të tjera të pagueshme në doganë nëpërmjet shërbimit online e-payment.
2. Për sa më sipër, Posta dhe DPD kanë vendosur të bashkëpunojnë në mënyrë që të bëhen pagesat e detyrueshme të Klienteve nëpërmjet Postës në degët e saj nëpërmjet shërbimit të pagesave online.
Kjo Marrëveshje Bashkëpunimi ka për qëllim:
1. Kryerjen e pagesave elektronike (e- payment) përmes Postës nga klientët e saj, personat juridikë ose Operatorët Ekonomikë, personat fizikë si dhe personat fizikë natyrorë, individët, për qëllim të shlyerjes së detyrimeve doganore, detyrimeve të akcizës si dhe detyrimeve të tjera të pagueshme në doganë sipas legjislacionit në fuqi.
2. Përshpejtimin dhe informatizimin e proçedurave të shkëmbimit elektronik të të dhënave midis Postës (përfshirë degët e saj) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave (përfshirë Degët dhe Zyrat Doganore të saj), lidhur me këto pagesa.
Pas nënshkrimit, Drejtorja e Përgjithshme e Doganave znj. Elisa Spiropali u shpreh e kënaqur për finalizimin e kësaj marrëveshjeje.
“Fjala kyçe e këtij bashkëpunimi, që është vendosur si prioritet edhe nga Qeveria Shqiptare, është modernizimi i sistemit, ofrimi i një shërbimi sa më të mirë, duke rritur transparencën dhe duke ulur burokracinë dhe korrupsionin. Kjo marrëveshje i përmbahet kësaj moto dhe këtij plani aksioni të shpallur nga Qeveria Shqiptare. Ofrimi i pagesave online, apo e-payment, ofrimi i pagesave doganore për detyrimet e akcizës apo detyrimeve të tjera që burojnë nga ligji dhe Kodi Doganor, tashmë edhe përmes Postës Shqiptare, është një shërbim i shtuar. Ne kemi sistemin e-payment me bankat dhe tashmë e ofron këtë shërbim edhe nga Posta Shqiptare. Kjo rrit cilësinë e shërbimit duke shtuar fleksibilitetin, ul koston e biznesit. Në pikat e largëta doganore, ku shërbimi bankar mund të mos jetë i pranishëm, tashmë do të kenë Postën Shqiptare për ta mbuluar këtë shërbim për klientët, për qytetarët dhe bizneset”, tha ajo.
“Kjo marrëveshje hap një rrugë të re bashkëpunimi duke qenë se Dogana Shqiptare ka hyrë në rrugën e Proçedurave të Thjeshtuara me biznesin. Ne pilotuam rastin e parë në një nga Operatorët Ekonomikë pranë mjediseve të tyre, do të proçedojmë në Janar 2015 edhe me e-signature, me firmën elektronike me bizneset. Unë jam e sigurt se në drejtimin e z. Lazimi dhe në frymën e re të Postës Shqiptare do të kemi mundësi për ta zgjeruar këtë bashkëpunim edhe në sfidat e reja që do marrim përsipër”,- deklaroi Drejtorja e Përgjithshme e Doganave znj. Elisa Spiropali.
Ndërkohë që Drejtori i Përgjithshëm i Postët Shqiptare Majlind Lazimi u shpreh se kjo marrëveshje e rëndësishme është një vlerë e shtuar për Postën Shqiptare.
“Jam i kënaqur që kemi arritur këtë marrëveshje shumë të rëndësishme me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, që ka të bëjë me pagesat e ndryshme, por tashmë përmes një sistemi online, që ka të bëjë më atë që quhet e-payment. Ne përmes kësaj marrëveshje të re konfirmojmë marrëdhënien shumë të mirë që kemi me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, nga ana tjetër besojmë që kjo krijon një vlerë të shtuar për Postën Shqiptare, për të bërë pagesa të ndryshme doganore, përfshirë edhe akcizën, gjë që më parë nuk ishte e mundur. Ky sistem i ri i përgjigjet në kohë reale nevoja të qytetarëve por kryesisht biznesit. E falënderoj znj. Spiropali për gatishmërinë e saj për të avancuar me këtë marrëveshje në një kohë të shpejtë, sikurse besojmë që në të ardhmen të kemi marrëveshje të tjera për shërbime të tjera. Ne do të modernizojmë infrastrukturën për të qenë sa më pranë qytetarëve dhe sa më pranë komunitetit të biznesit”, tha në deklaratën e tij Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Z. Majlind Lazimi.