Doganierët grekë në grevë, pika kufitare Kakavijë të hënën e pakalueshme nga ora 07:00 deri në 11:00
Policia e Shtetit ka njoftuar se më 27 korrik 2026, në disa pika të kalimit kufitar me Greqinë do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të automjeteve, për shkak të një greve të punonjësve të doganës greke.
Sipas informacionit të përcjellë nga Qendra e Bashkëpunimit Policor në Kakavijë, greva do të zhvillohet:
Nga ora 07:00 deri në 11:00 (me orën shqiptare) në PKK Kakavijë dhe Tre Urat (Përmet);
Nga ora 05:00 deri në 09:00 (me orën shqiptare) në PKK Kapshticë (Korçë) dhe Qafë Botë (Sarandë).
Gjatë këtyre intervaleve kohore do të pezullohet lëvizja e automjeteve në këto pika kufitare. Ndërkohë, sipas Policisë Kufitare të Janinës, do të lejohen të kalojnë vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe rastet emergjente shëndetësore (ambulancat).
Policia Kufitare u bën thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të automjeteve që kanë planifikuar të udhëtojnë drejt Greqisë, të shtyjnë udhëtimin deri në përfundimin e grevës, për të shmangur pritjet dhe grumbullimet në pikat e kalimit kufitar.
KOHA JONË SONDAZH

