Dokumenti, Feçor Shehu lyente flokët si gratë, përdhunoi polaken

 

Në qelitë e burgjeve të komunizmit, femrat shpesh shndërroheshin në viktima të dhunës seksuale nga zyrtarët që i mbanin në ruajtje, por jo vetëm.

Shfaqja perverse, e sjellë së fundi në vëmendjen e opinionit me dëshminë tronditëse të Alida Hiskut, këngëtares së mirënjohur që guxoi të denoncojë publikisht, ka ngjallur debate të shumta duke vënë përballë njëri-tjetrit ata që pranojnë ekzistencën e fenomenit dhe të tjerë që nuk e besojnë.

Çuditërisht, në grupin e këtyre të fundit, përveç pinjollëve të regjimit famëkeq, është bashkuar ndonjë ishi përndjekur që ka vuajtur jo pak në ferrin e burgjeve të komunizmit, por garanton se në asnjë rast marrëzia e diktaturës s’ka arritur deri te përdhunimi.

E vërteta që vjen nga arkivat, nuk lë vend për dilema rreth ekzistencës së fenomenit monstruoz.

Në librin më të fundit, “Kampet dhe burgjet e komunizmit”, historiani Kastriot Dervishi, ish-drejtor i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, sjell një mori faktesh që provojnë sjelljen bastarde të njerëzve të regjimit me gratë dhe vajzat që popullonin vendet e dënimit.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai rrëfen me gjuhën e dokumenteve rastet pa fund kur femrat binin viktima të dhunës seksuale të hetuesve, gardianëve, prokurorëve, gjykatësve e deri te drejtuesit e kampeve çnjerëzore.

I habitur me diskutimet pro dhe kundër ekzistencës së fenomenit, Dervishi i kundërvihet pjesës që e përjashton aktin e dhunës seksuale, ndër të tjera edhe me një raport të qeverisë së SHBA-ve të vitit 1955, ku denoncohen me shembuj konkretë rastet e përdhunimit, madje edhe nga drejtuesit e kampeve dhe burgjeve të regjimit…

“Më ka bërë përshtypje historia e polakes me emrin Barbara. Në moshën 18-vjeçare, në vitin 1960, ajo vjen në Durrës së bashku me bashkëshortin e saj me të ciline pat studiuar në Poloni. Më 1964-n, vihet nën presionet e Degës së Brendshme të Durrësit, drejtuesi i së cilës e ka përdhunuar. Në vitin 1966 ajo njofton Ambasadën Polake për sa i kishte ndodhur. Në vitin 1969, arrestohet dhe dënohet me 17 vjet burg. Pasi vuan 3 vjet e katër muaj në Kuçovë, shkon në Durrës. Bashkëshorti i parë e kishte braktisur. Në këto kushte pranon një martesë të dytë, ndërsa punon me tri turne në plastikën e Durrësit. Në vitin 1973 i bën një letër Enver Hoxhës për jetën e saj. Në raportin përmbledhës në lidhje me këtë letër, thuhet: “Pretendon se në tetor 1964, kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, K.N., e merr me Gaz dhe bashkërisht shkojnë në një vilë në plazhin e Durrësit, ku do të vinin për takim me të dërguar nga Ministria e Brendshme. Tha se me të hyrë në vilë, ku nuk kish asnjë njeri, K. N. kyçi derën, vendosi pistoletën mbi tryezë dhe gjysmë i zhveshur tentoi ta nënshtronte, por ajo u mbrojt. U paralajmërua prej tij të mos i thoshte kurrkujt mbi këtë ngjarje”. Por, po ashtu, në këtë histori përfshihet edhe emri i Feçor Shehut, të cilin një kuadër tjetër e akuzonte për stilin e punës, imoralitetin e tij, si dhe për një përdhunim që kishte kryer ndaj Barbaras. Për këtë kuadër, Feçori “ishte feminist, se i lyente flokët si gratë etj.””, thote Dervishi.

SHKARKO APP