Domosdoshmëria e auditimit të brendshëm
Nga Nikoleta Piranjani*
Auditimi i brendshëm përcaktohet si një veprimtari e pavarur, që jep siguri objektive dhe këshilla për menaxhimin. Auditimi i brendshëm në subjektet publike shërben si një vlerë e shtuar në drejtim të përmirësimit të funksioneve të subjektit publik dhe frytshmërinë e drejtimit apo menaxhimit duke eliminuar risqet nëpërmjet kontrollit të proceseve, për të arritur me efektivitet objektivat e veprimtarisë.
Në mënyrë që auditimi i brendshëm të funksionojë objektivisht, nga Ministria e Financave referuar Standardeve Ndërkombëtare të auditimit, ligjit të miratuar “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik” të përmirësuar në vite, akteve nënligjore në zbatim të tij, janë hartuar dokumentet si Manuali i Auditimit të Brendshëm, Karta e Auditimit të Brendshëm dhe Kodit etik, të cilat janë dokumente të rëndësishme profesionale në fushën e auditimit të brendshëm, janë instrumente në duart e auditorëve dhe që kontribuojnë në përsosjen profesionale dhe në etikën e punës së të gjithë audituesve të brendshëm.
Ndërkohë që infrastruktura ligjore, rregullative, si dhe trajnimet e organizuara vazhdojnë të përmirësohen nga dita në ditë nga struktura përgjegjëse me kryerjen e këtyre funksioneve, puna e realizuar nga strukturat e auditimit të brendshëm nuk ndjek ritmin e ndryshimeve dhe përmirësimeve ligjore ose e përkthyer ndryshe nuk shoqërohet me përmirësime në drejtim të përdorimit ligjor dhe me efektivitet të fondeve publike. Nga viti në vit Kontrolli i Lartë i Shtetit raporton, si një detyrim ligjor në parlament mbi buxhetin faktik të vitit të mbyllur. Raporti është një përmbledhje e veprimtarisë audituese të të gjithë departamenteve për veprimtaritë ekonomiko financiare të qeverisë së përgjithshme (institucioneve qendrore e njësive vartëse,si dhe qeverisjes vendore), në drejtim të realizimit të të ardhurave dhe përdorimit ligjor të shpenzimeve. Nga këto auditime kanë rezultuar shkelje të zbatimit të procedurave ligjore, shkelje në drejtim të justifikimit ligjor apo dokumentar të shpenzimeve, shpesh herë këto të shoqëruara me dëm ekonomik dhe pa dëm, por që kërkojnë marrjen e masave organizative për përmirësim të gjendjes për shmangien e abuzimeve apo keq përdorimeve të burimeve materiale dhe monetare. Nga këto raporte të përvitshme, nuk rezulton që dëmet ekonomike të jenë pakësuar apo të mos ekzistojnë dhe në logjikën e thjeshtë të lind pyetja: A kanë këto subjekte publike auditim të brendshëm dhe a është funksional ai? Megjithëse këto struktura janë në vartësi të titullarit apo organeve drejtuese të shoqërive publike, a janë të interesuar titullarët apo organet drejtuese për veprimtarinë efektive të strukturave të auditimit të brendshëm dhe a janë të aftë për të kuptuar efektivitetin apo jo të auditimit të brendshëm të subjektit ku ato drejtojnë?
Kontrolli i Lartë i Shtetit përveç auditimit të përdorimit me efektivitet e ligjor të fondeve publike, në drejtimet e auditimit të një subjekti publik, auditon dhe veprimtarinë e auditimit të brendshëm të subjektit, si në drejtim të procesit të auditimit, zbatimit të standardeve të auditimit të brendshëm, ashtu dhe gjithpërfshirjes në auditim të të gjithë procesit dhe veprimtarisë së subjektit.
Një aspekt i rëndësishëm në këtë drejtim është dhe lenia e rekomandimeve, zbatimi i tyre dhe marrja në analizë e veprimtarisë së auditimit të brendshëm nga drejtimi, qoftë i institucioneve apo i shoqërive publike, sidomos mbas auditimeve të kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe ku nga krahasueshmëria rezulton se ka mospërputhje të konsiderueshme të gjetjeve midis raporteve dhe rekomandimeve midis dy strukturave. Referuar eksperiencës së rezultuar nga veprimtaria audituese e KLSH, subjektet publike të audituara nuk marrin në analizë punën e kryer nga strukturat e auditimit të brendshme si dhe efektshmerine e tyre dhe kjo praktikë nuk aplikohet gjithashtu në analizat vjetore të rezultateve te tyre të përvitshme. Titullarët dhe organet drejtuese të subjekteve publike, referuar kompetencave të dhëna nga ligji, marrin masa në drejtim të rekomandimeve të lëna nga KLSH, ku dhe niveli i realizimit të tyre është në vartësi të përgjegjshmërisë menaxheriale të drejtimit të këtyre subjekteve, por në asnjë rast në mënyrë të pavarur, nuk ka rezultuar marrja në analizë e eficencës së strukturave të auditimit të brendshëm në një subjekt publik apo kthimi i saj hap pas hapi në një strukturë të tillë.
Ky fenomen është theksuar dhe në raportin “ Mbi zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2016” që KLSH ka paraqitur në Kuvend, ku ndër të tjera citohet: “Auditimi i brendshëm ka njohur zhvillime të rëndësishme, por që mbeten akoma në nivelin e përgatitjes të dokumenteve bazë dhe ngritjes dhe zhvillimit të kapaciteteve profesionale audituese, larg marrjes së rezultateve konkrete të përmirësuara dhe të
pritshme nga funksioni i auditimit të brendshëm në njësitë e sektorit publik” si dhe : “Niveli i ulët apo, niveli zero i zbatimit të rekomandimeve në disa subjekte, tregon se nga Titullarët e Institucioneve akoma nuk është kuptuar rëndësia e zbatimit të rekomandimeve të Auditimit të Brendshëm. Neglizhenca e konstatuar tregon
akoma varësinë që këto struktura kanë nga titullarët dhe pamundësinë në këto kushte për të shtuar presionin
për zbatimin e rekomandimeve”.
Fenomeni i mungesës së analizës së punës së auditimit të brendshëm, referuar auditimeve të realizuara nga KLSH është i theksuar sidomos në shoqëritë publike, ku dhe dëmet ekonomike rezultojnë të konsiderueshme dhe ku në legjislacionin e miratuar dhe në fuqi, një nga kompetencat e organeve drejtuese është miratimi i programeve të auditimit të brendshëm dhe marrja në analizë e çdo raporti auditimi si dhe vetë veprimtaria e auditimit të brendshëm të këtyre shoqërive publike.
Këto detyrime në shumicën e rasteve kryhen formalisht dhe në të gjitha rastet e auditimeve të kryera nga KLSH, mungon marrja në analizë, e kryerjes konform ligjit, e detyrimeve të funksioneve të strukturave të auditimit të brendshëm.
Ka ardhur koha që ky fenomen duhet të ndryshojë domosdoshmërish dhe kjo ndodh me rritjen e integritetit, përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit të vetë strukturave të auditimit të brendshëm, rritjen e përgjegjshmërisë së drejtimit dhe organeve drejtuese, për rëndësinë e funksionimit të auditimit të brendshëm në mbarëvajtjen dhe mirë funksionimin e shoqërive, funksionimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm dhe për rrjedhojë realizimin e objektivave të shoqërisë me mjetet financiare, materiale dhe njerëzore në dispozicion.
Eficenca e funksionimit të strukturave të auditimit të brendshëm, për rrjedhojë dhe fuqizimi i sistemeve të kontrollit të brendshëm, referuar objektivave dhe strategjive të mirë përcaktuara, e bëjnë subjektin publik funksional dhe me performancë pozitive në menaxhimin e fondeve publike. Kontrolli i Lartë i Shtetit gjithnjë e më shumë i ka kërkuar subjekteve të audituara, nëpërmjet masave të rekomanduara, përmirësimin e strukturave të auditimit të brendshëm nga pikëpamja strukturore dhe profesionale si dhe rritjen e kërkesës së llogarisë në drejtim të realizimit të funksioneve të tyre, kjo me qëllimin që këto struktura të shndërrohen në partner real në realizimin e misionit të auditimit të fondeve publike me qëllimin e vetëm të përdorimit me efektivitet dhe dobi të tyre në shërbim të popullsisë.
*Audituese KLSH