Donald Lu, 93 deputetë, 1.2 milionë zgjedhës

 

Nga Eduard Zaloshnja

Dje në Konferencën Gjyqësore Kombëtare, Donald Lu, ambasadori amerikan në Tiranë, bëri deklaratën më të drejtpërdrejtë rreth mbëështetjes së SHBA-së dhe BE-së për projekt-reformën në drejtësi. Ai tha për të: “Ju lutem mësoni se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë qenë hartues aktivë të çdo pjese të reformës dhe se ne e mbështesim plotësisht paketën aktuale të reformave.  Ne dimë gjithashtu se pas 19 tryezave të rrumbullakëta dhe informacionit këtë muaj prej Komisionit të Venecias, kjo projekt-reforme do të ndryshohet për t’u siguruar që  të pasqyrojë idetë më të mira të shoqërisë dhe të standardeve ndërkombëtare.”

Tani mbetet të shihet nëse kjo projekt-reformë, e hartur dhe e mbështetur nga SHBA-ja e BE-ja dhe e çertifikuar nga Komisioni i Venecias, do të përkthehet në ndryshime të kushtetutës shqiptare. Për të ndryshuar kushtetuta, duhet që të paktën 93 deputetë të votojnë për ndryshimet, ose ndryshimet të miratohen nga një referndum popullor.

Që të bëhen të paktën 93 vota në kuvend pro ndryshimeve kushtetuese, duhet që dy partitë kryesore të bien dakord me to. Sepse asnjë kombinim i votave të njërës prej partive të mëdha me të të voglave nuk e plotëson numrin 93.

Dhe ç’ndodh në qoftë se nuk plotësohet numri magjik i 93 votave në kuvend? Të paktën 28 deputetë mund të kërkojnë referendum popullor për ndryshimet në kushtetutë.

Dhe ç’ndodh në qoftë se nuk bëhen bashkë 28 deputetë për të kërkuar referendumin? Të paktën 50 mijë qytetarë mund të bëjnë peticion për referendumin, i cili do të quhej i vlefshëm në qoftë se 1/3 e zgjedhësve në lista merr pjesë në të. Gjë që do të thotë se rreth 1.2 milionë zgjedhës duhet të marrin pjesë në referendum që ai të jetë vlefshëm. (Në zgjedhjet e fundit parlamentare votuan 1.75 milionë zgjedhës). Në qoftë se 1.2 milion zgjedhës marrin pjesë në referendum, ndryshimet kushtetuese mund të miratohen me votat e gjysmës së tyre (600 mijë). (respublica.al)

SHKARKO APP