Donald Lu zbulon vendin më të preferuar në Shqipëri! (FOTO)
Për herë të parë Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë rafting në Kanionet e Osumit, Skrapar me Albania Rafting Group. Pasi mori për rreth 30 min instruksionet nga guida profesionale e Federatës së Rafting, nisi zbritjen me gomone në lumë.
Ai u befasua nga bukuria e rrallë e kanioneve 2 milion vjeçare, shpateve të larta dhe plot gjelbërim, ujvarave ekzotike dhe vendeve mistike si Katedralja, Ishulli i Kanionit, Koka e Krokodilit, Ujvara e Artë etj.
Kanionet e Osumit i vuri në krye të listës mes destinacioneve të vizituara në Shqipëri, duke e vlerësuar rafting si një sport argëtues dhe me emocion, shumë i preferuar dhe nga fëmijët. Ambasadori i Sh.B.A Donald Lu: “Kanioni i Osumit është shumë i veçantë. Shumë shpesh më pyesin kush është vendi më i preferuar në Shqipëri. Unë kam një vend të ri më të preferuar. Faleminderit shumë për eksperiencën. Më pëlqen shumë që është eksperiencë, që është një aventurë, që mund të kalohet me fëmijët gjithashtu. Është më shumë emocion, është shumë bukur, por për fëmijët është gjithashtu shumë shumë mirë”.
Gjithashtu Ambasadori Lu vizitoi në terren fazën e parë të zhvillimit të qendrës ekologjike të sporteve në natyrë Albanian Adventure Resort, një nismë e Federatës Shqiptare të Rafting dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. “AAR” shtrihet në hapësirën e një ishreparti ushtarak të amortizuar, mes natyrës së paprekur dhe fare pranë kanioneve të Osumit.
Lokacioni i propozuar ofron një gamë mundësish për mbi 15 aktivitete aventurë, duke përfshirë rafting në afërsi te kanioneve te Osumit, hiking, kajak, hidrospid, kalërim, çiklizëm malor, kacavjerrje dhe sporte te tjera të shumta në natyrë. Gjenerimi i të ardhurave përmes aktiviteteve komerciale do të ndihmojë për të rritur standardet e të gjitha sporteve aventurë në Shqipëri dhe do të rrisin profilin e Shqipërisë si një destinacion i turizmit aventurë në Europë.
Ambasadori i Sh.B.A Donald Lu: “ Më pëlqen shumë që është një projekt edhe me mbështetjen e qeverisë edhe më investim privat. Në të ardhmen do të jetë një projekt shumë shumë i mirë, jo vetëm për Shqipërinë por për gjithë Europën”. Blerina Ago, përfaqësuese e Albanian Adventure Resort u shpreh se vizita e Ambasadorit rritprofilin e Kanioneve të Osumit si destinacion i rëndësishëm turistik në Shqipëri dhe më gjerë.
Ajo tha se zbatimi i projekteve të turizmit të aventurës si Albanian Adventure Resort sjell përfitime për gjithë komunitetin, përfshirë zhvillimin e produkteve të reja turistike për Shqipërinë, trajnimin dhe zhvillimin e guidave të aventurës, mbështetje për inkubacionin dhe rritjen e ndërmarrjeve rurale dhe krijimin e vendeve të punës, duke përfshirë gratë dhe të rinjtë./Dita/