Donald Trump kërcënon se do të padisë BBC-në për një miliard dollarë!
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka dërguar një letër kërcënuese ndaj BBC-së, duke paralajmëruar veprime ligjore kundër transmetuesit publik britanik, pas polemikave që shpërthyen për redaktimin e një fjalimi të tij në dokumentarin investigativ të programit “Panorama”. Shifra shkon në 1 miliard dollarë dëmshpërblim.
Sipas mediave britanike, Trump pretendon se BBC ka manipuluar qëllimisht përmbajtjen e fjalimit të tij, duke hequr pjesën ku ai u bënte thirrje mbështetësve të protestonin paqësisht. Dokumentari, i transmetuar një javë para zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar në SHBA, është cilësuar nga kampi i Trump si “i njëanshëm dhe mashtrues”.
Një zëdhënës i BBC-së deklaroi se korporata “po shqyrton me kujdes letrën” dhe se “do të përgjigjet në kohën e duhur”.
Kryetari i BBC-së, Samir Shah, konfirmoi se korporata kishte marrë një komunikim nga Trump në lidhje me mënyrën se si ishte redaktuar dokumentari, por nuk dha detaje mbi përmbajtjen konkrete të letrës.
“Ne e kemi marrë komunikimin nga zoti Trump dhe po e shqyrtojmë. Aktualisht po vendosim se si t’i përgjigjemi,” tha Shah, pa sqaruar nëse ka një kërcënim zyrtar për padi.
Sipas kritikëve dhe përfaqësuesve të kampit të Trump, BBC ka lënë jashtë versionit përfundimtar të dokumentarit segmentin ku presidenti u bënte thirrje mbështetësve të tij të “protestonin paqësisht dhe të respektonin ligjin” gjatë tubimeve para Kongresit amerikan.
Ata pretendojnë se heqja e këtij pasazhi e ka paraqitur fjalimin e Trump si nxitje të dhunës, duke manipuluar perceptimin publik për ngjarjet e asaj periudhe të tensionuar.
BBC, nga ana tjetër, nuk ka pranuar akuzat për tjetërsim, duke thënë se “programi është përgatitur në përputhje me standardet editoriale dhe me verifikim të pavarur të burimeve”.
Letra ndaj BBC-së është vazhdim i përplasjes së gjatë të Donald Trump me mediat ndërkombëtare.
Presidenti ka qenë i përfshirë në një sërë procesesh ligjore ndaj mediave amerikane, përfshirë ABC News, CBS News, The New York Times, dhe The Wall Street Journal.
Në rastin e ABC News, Trump arriti një marrëveshje jashtë gjykate pasi moderatori George Stephanopoulos e kishte përshkruar gabimisht si “të shpallur fajtor për përdhunim”.
Ndërkohë, me CBS News ai kishte një përplasje ligjore për një intervistë në emisionin “60 Minutes”, ndërsa aktualisht ndodhet në procese gjyqësore me dy nga gazetat më të mëdha amerikane, The New York Times dhe The Wall Street Journal.
Madje, Trump ka ndërmarrë veprime edhe ndaj Associated Press, pasi agjencia kishte refuzuar të përdorte termin që ai preferonte për Gjirin e Meksikës – “Gulf of America”.
KOHA JONË SONDAZH

