Dosjet e sigurimit, shoqëria civile dhe media
Nga Luan Shtëpani
Tashmë kemi një ligj për hapjen e dosjeve. Pavarësisht se me vonesë u bë realitet një kërkesë e kahershme për të larguar nga politika bashkëpunëtorët e ish sigurimit të shtetit. Sipas informacioneve të dala nga institucioni që merret me hapjen e dosjeve numri i kërkesave është i vogël kahasuar me interesimin e madhe të demonstruar në vite. Se përse ka ndodhur kështu ja vlen të thellohesh për të kuptuar se nuk është rastësi një neglizhencë e tillë. Po ta analizosh ligjin ndoshta do të ishte më i arrirë sikur në të përfshiheshin OJF dhe media. Sipas ligjit Autoriteti ka detyrimin t’i përgjigjet çdo kërkese të institucioneve kushtetuese dhe autoriteteve publike lidhur me ekzistencën e informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet në kuadër të vlerësimit, sipas legjislacionit përkatës, të cilësive etike, morale dhe profesionale të kandidatëve për t’u emëruar ose ngritur në detyra si: President i Republikës; anëtarë të Këshillit të Ministrave, zëvendësministra, funksionarë politikë, anëtarë të Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues në administratën shtetërore dhe pozicione të barasvlefshme me to; anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarë e prokurorë në gjykatat e prokuroritë e të gjitha niveleve;ç) anëtarë të Gjykatës Kushtetuese; funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, Gardën e Republikës, oficerë me gradën “Gjeneral” dhe “Kolonel”;dh) prefektë; drejtues dhe punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror, Shërbimit Informativ Ushtarak dhe çdo njësie tjetër të inteligjencës;ë) drejtues në Policinë e Shtetit deri në nivel qarku dhe komisariati; f) drejtues të përfaqësive diplomatike; g) guvernatorë dhe zëvendësguvernatorë të Bankës së Shqipërisë; gj) anëtarë të Akademisë së Shkencave, rektorë, zëvendësrektorë, dekanë, zëvendësdekanë në universitetet publike; drejtor i Përgjithshëm dhe zëvendësdrejtorë të RadiotelevizionitPublik Shqiptar; drejtor dhe zëvendësdrejtor i Agjencisë Telegrafike Shqiptare; çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti apo i zgjedhur nga Kuvendi. Autoriteti i përgjigjet institucioneve kushtetuese dhe autoriteteve publike për zyrtarin që emërohet ose ngrihet në detyrë, përkatësisht nëse: ka qenë, ose jo person në ndjekje për spiunazh apo terrorizëm; ka qenë ose jo bashkëpunëtor aktiv i ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, figuron ose jo në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Autoriteti nuk administron kërkesat për informacion për zyrtarët që propozohen të emërohen ose ngrihen në detyrë në institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike kur ata kanë marrë certifikatën e pastërtisë së figurës nga institucionet përgjegjëse sipas ligjit nr.8001, date 22.09.1995, “Për Genocidin dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare” si dhe ligjit nr.8043, datë 30.11.1995 “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik. Bazuar në deklarimet e drejtuesve të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit objekti i punës do të jetë administrimi i 212.000 dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, 250.000 kartelave individuale, rreth 15.000 dosjesh hetimore gjyqësore, 21.000 dosjesh të personave të përndjekur nga sigurimi, disa mijëra regjistrave, procesverbalesh e aktesh normative. Rreth 32 milionë faqe dokumente te hartuara nga ish–Sigurimi i Shtetit në një Shqipëri që asokohe nuk i kalonte 3 milionët. Pra janë këto statistika që flasin vetë për ekzistencën e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, të krijuara në periudhën 29 nëntor 1944 deri më 2 korrik 1991. Për sa më lart gjykoj se për t’u analizuar mbetet formimi i rrjetit të bashkëpunëtorëve dhe pozicioni i drejtuesve të sigurimit karshi tyre dhe qytetarit të investiguar. Në radhët e sigurimit ka patur drejtues që me veprimet e tyre profesionale dhe të drejta kanë shpëtuar jetë njerëzish. Po aq e vërtetë është se të tjerë të verbuar nga karriera, të frymëzuar nga ideologjia e kohës bërë krime, duke zbuluar kështu anën më të errët të këtij organi, megjithëse është pranuar se në Shqipëri kanë dështuar shumë shërbime inteligjente të huaja. Vlen të theksohet se në ballë të luftës kundër elementit të cilësuar armik, ishin sigurimsat dhe bashkëpunëtorët të cilët për të plotësuar planin ditor, thurnin komplote kundër njerëzve të pafajshëm dhe pa përkrahje. Shfrytëzohej elementi i pakënaqur nga regjimi për tu marrë në hetuesi dhe nën presion për t’u hedhur më pas në aktivit për të zbuluar të tjerë “agjentë”. Duke u ndalur tek rrjeti i bashkëpunëtorëve informatorë ato mund të klasifikohet, “të dashuruar pas këtij profesioni”, “të bindur”, “ nën presion”,etj. Me porosi nga lart, bëheshin armiq njerëz pa asnjë të metë, ndërshkoheshin të tjerë për mendime përparimtare, përbuzeshin dhe nuk u jepej asnjë e drejtë fëmijëve të “armiqve të popullit” etj. Sot çdokush prej nesh e ka mëse të qartë se të betuarit e regjimit të vjetër kanë uzurpuar ekonominë dhe se do të lëviznin çdo gurë vetëm e vetëm që të mos lakohen në media. Te gjithë jemi dëshmitarë se si ka evoluar situate pas viteve ‘90. Një pjesë nga ky kontingjent emigroi jashtë, të tjerë ulën kokën duke pohuar se kanë qenë të detyruar nga regjimi të vepronin kështu apo ashtu dhe se kush shkelte rregullat e pësonte. Më të lehtën e mundshme e gjetën ata të cilët u radhitur në shoqërinë civile, apo në media. Harresa ndaj këtyre institucioneve dëmton sepse i jep dore të lirë këtij kontingjenti bashkëpunëtorësh të injektojnë sjellje dhe metodat e dikurshme, bëhen pengesë për të vërtetën. Si njohës të mirë të intrigës dhe konfliktit arrijnë të bindin dhe rekrutojnë të tjerë. Ndaj për ta patur secili ndërgjegjen pastër, çdo individ, OJF, media, vullnetarisht mund të kërkojë hapjen e dosjeve për punonjësit e tyre. Kjo është më minimalja. Megjithëse kanë kaluar 27 vjet përsëri diskutohet dhe thuhet se ai ka qenë spiun; mua më ka spiunuar; unë të kam paditur; t’i më ke denigruar; t’i më ke thënë kështu apo ashtu; unë të kam thënë se si duhet të kishe vepruar; e të tjera si këto. Për sa më lart, për shumë e shumë arsye të tjera të pathëna, mendoj se është momenti i duhur që secili të marrë vendin e merituar. Para disa viteve Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka vlerësuar se ish bashkëpunëtorët e regjimit paraqesin dy rreziqe potenciale. Ata mund të jenë moralisht të konvertuar, ose mund të jenë pre e shantazhit për shkak të veprimeve të tyre në të shkuarën. Prandaj duhet informacioni që siguron lustracioni. Për më tepër, lustracioni paraqet një mënyrë për të testuar integritetin dhe kredibilitetin moral.