Drafti, si të shpëtosh shtëpinë nga sekuestrimi kur s’paguan dot kredinë
Lehtësira për familjet në vështirësi ekonomike, të cilave u krijohet mundësia të mbajnë shtëpinë e parë dhe një pezullim kredie për dy vjet apo edhe rinegocim të kësteve dhe lehtësira tatimore kur nuk mund të paguajnë.
Një draft-ligj i Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentit do të marrë për herë të parë në mbrojtje familjet që, për shkak të kushteve ekonomike rrezikojnë të humbin shtëpitë në pamundësi pagese të kredive. Ligji i ri do të mbrojë individët që kanë kredi në banka nga sekuestrimi i shtëpisë së parë. “Ke mundësi ta mbash atë shtëpi dhe mos të të ekzekutohet me përmbarim nga kreditori i siguruar.
Po si mund ta mbash atë shtëpi? Të rinegociosh, ligji ta ka dhënë mundësinë, në gjykatë. Nëse gjykata e sheh të arsyeshme, e vendos gjykata dhe jo kreditori i siguruar, për të mbajtur një apartament, nuk po them dy. I dyti quhet biznes, jo mjet jetese. Një apartament lejohet”, – thotë Klajdi Mati, drejtor i Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentit. Sipas këtij projektligji, qytetarët do kenë një shans për “ngrirje” të kredisë apo rinegocim të kësteve nëse nuk do e kenë të mundur pagesën e tyre.
Sipas Matit, për individët në vështirësi, të cilët aplikojnë për faliment, drafti parashikon pezullimin e pagesës së kredisë për një periudhë të caktuar kohe dhe rinegocimin e këstit të saj. Po kështu, ata do të çlirohen edhe nga disa detyrime. Ai tha se ende nuk është bërë e qartë se cilat do të jenë detyrimet për të cilat do të krijohen lehtësi.
“Kompanive nuk u shkarkohen, individëve mendohet t’u shkarkohen si në të gjithë botën kartat e kreditit. Nuk është vendosur akoma, faturat mjekësore, mbase faturat e utilitetit”, – thotë Mati.
Por ata individë, të cilët përfitojnë nga falja e detyrimeve nuk do të lejohet më që për 9 vjet të marrin kredi në banka. Veç individëve, drafti i ri lehtëson procedurat e falimentit edhe për bizneset, duke e vënë theksin jo tek mbyllja, por riorganizimi i tyre.
“Kemi ndryshuar procedurën e kërkesave, kemi ndryshuar procedurën e pagesave. Më përpara ndodheshim në ngërç të madh se kush paguante shpenzimet administrative. Sot me kërkesën për procedurë falimenti, që kjo kërkesë mund të jetë për likuidim, për riorganizim, pagesat do të jenë drejtpërdrejt me dorëzimin e formularëve, që procedura mos të ngelë në ngërç për shpenzimet administrative”, – vijon Mati. Sipas Matit, drafti është hartuar sipas modelit amerikan dhe favorizon debitorët për t’u dhënë atyre mundësi të dalin nga vështirësitë financiare në mënyrë ligjore.