Zbardhet vrasja në Shkodër, drejtori i Policisë Proda: Punë profesionale dhe koordinim efikas
Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda përgëzoi policinë e Shkodrës për zbardhjen e vrasjes të 67- vjeçarit Hysni Ymeri me lëndë eksplozive të komanduar në distancë dhe për bashkëpunimin dhe koordinimin mjaft efikas me Prokurorinë e Shkodrës.
“Falënderoj dhe përgëzoj publikisht Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, strukturat hetimore dhe të gjitha forcat e angazhuara, si dhe Prokurorinë, për bashkëpunimin e ngushtë dhe profesional që çoi në zbardhjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale, të kryer me përdorimin e lëndës eksplozive të komanduar në distance”, shkruan Proda.
Policia e Shkodrës zbardhi vrasjen me lëndë eksplozive të 67-vjeçarit Hysni Ymeri në Shkodër, të ndodhur më 29 dhjetor 2025, në lagjen “Manush Alimani”. Në operacionin policor të koduar “SHADOWS”, janë arrestuar katër shtetas të dyshuar si autorë të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale. Në pranga kanë rënë shtetasit Gerti Bushati (27 vjeç), Ergys Ibrahimi (27 vjeç), Edison Hasaj (25 vjeç) dhe Gjergji Zefi (24 vjeç).
Postimi i plotë nga Proda
Falënderoj dhe përgëzoj publikisht Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, strukturat hetimore dhe të gjitha forcat e angazhuara, si dhe Prokurorinë, për bashkëpunimin e ngushtë dhe profesional që çoi në zbardhjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale, të kryer me përdorimin e lëndës eksplozive të komanduar në distancë.
Ky është një nga rastet ku pasqyrohet puna serioze dhe profesionale, e koordinuar dhe këmbëngulëse e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim të plotë me organin e akuzës.
Këto rezultate dekurajojnë veprimtarinë kriminale dhe forcojnë më tej besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit, e cila do të vijojë të jetë e vendosur në misionin e saj për garantimin e rendit, sigurisë, jetës, dhe pronës së qytetarëve.
Ngjarja
Sipas hetimeve të policisë, dyshohet se ata kanë vepruar në bashkëpunim dhe kundrejt pagesës, duke përdorur lëndë eksplozive të komanduar në distancë, e cila është vendosur në panelin elektrik të pallatit ku banonte viktima. Operacioni u zhvillua me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësisë “Shqiponja”, Komisariatit të Policisë Shkodër dhe DVP Shkodër. Gjatë kontrolleve u sekuestruan 28 celularë, një automjet “Mercedes-Benz”, municion luftarak, sasi parash në lekë dhe euro, lëndë narkotike, pajisje GPS, kamera sigurie dhe një laptop. Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të implikuar dhe zbardhjen e plotë të motiveve të krimit.
KOHA JONË SONDAZH

