Drejtuesit e institucioneve duhet të mbajnë përgjegjësi financiare për shkarkimet
Nga Alush Zaçe*
Për qytetarët, administrata publike është faqja e dukshme dhe e prekshme e vet shtetit. Një qeverisje demokratike bazohet në një administratë efikase, transparente dhe më afër qytetarëve. Qeveritë e vendeve demokratike i japin një rëndësi gjithmonë e më të madhe modernizimit të administratës publike, pasi ajo luan një rol kyç në mbarëvajtjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit, duke lehtësuar veprimtarinë e përditshme në shërbim maksimal të qytetarit.
Organizimi dhe funksionimi i administratës publike rregullohet me ligjin 90/2012, datë 27.09.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, megjithëse objekt i këtij ligji është vetëm një pjesë e administratës publike, kryesisht asaj qendrore. Mungesa e përcaktimit ligjor të arsimit përkatës në strukturat organizative të shumë institucioneve shtetërore, organeve të vartësisë ose vendore, ka bërë që emërimet e drejtuesve të tyre të mos jenë në përputhje me veprimtarinë e institucionit. Në shumë raste vitet e fundit, jemi ndeshur me emërime të gabuara ku në shumë institucione drejtuesit janë emëruar jo sipas profesionit që kërkon vendi i punës, por sipas “marrëveshjeve” që kanë me shtetarët e lartë.
Administrata publike është një nga sektorët më të kritikuara në të gjithë raportet e Komisionit Europian. Kritika kryesore qëndron në drejtim të zbatimit në praktikë të ligjit të shërbimit civil. Zbatimi në praktikë i këtij ligji injorohet nga drejtuesit e institucioneve. Proceset e rekrutimit bëhen në mënyrë fiktive dhe emërimet nuk bëhen në bazë të meritës.
Për mbrojtjen e punonjësve të administratës shtetërore, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar ligjin “Për nëpunësin civil” dhe Kodin e Punës, të cilët kanë për qëllim krijimin e një administrate shtetërore të qëndrueshme, profesionale, të bazuar në meritë, integritet moral, paanësi politike. Njëkohësisht këto ligje rregullojnë marrëdhënien juridike ndërmjet shtetit dhe punonjësve, si dhe përcaktojnë rregullat për administrimin e shërbimit civil. Ligji i nëpunësit civil përcakton qartë se përfundimi i marrëdhënieve në shërbimin civil, për shkak të ristrukturimit apo mbylljes së një institucioni, nuk lejohet, me përjashtim të rastit kur, si pasojë e këtyre procedurave, ka shkurtim të numrit të përgjithshëm të nëpunësve civilë dhe transferimi, sipas këtij ligji është i pamundur.
Nga praktika e deri tanishme, këto ligje nuk zbatohen në praktikë dhe sidomos me ndërrimin e pushteteve. Në kushtet e papërgjegjshmërisë së drejtuesve të institucioneve, janë larguar nga puna personat që kanë fituar statusin e nëpunësit civil ose mbrohen nga Kodi i Punës, nëpunësit e kualifikuar, të trajnuar, për të cilin taksapaguesit kanë “investuar” për të marrë një shërbim më cilësor prej tyre. Faktet e deritanishme tregojnë se shkaku kryesor i lëvizjeve të shpeshta të nëpunësve civilë është bindja politike, pavarësisht nivelit të kualifikimit të punonjësve. Vitet e fundit janë larguar nga puna mjaft punonjës, për shkak të “mbylljes” apo “ristrukturimit” të institucioneve. Nga auditimet e bëra nga KLSH, është konstatuar se fatura financiare për të paguar detyrimet e krijuara nga vendimet e gjykatave për largimet e pa drejta nga puna, zë një peshë të konsiderueshme në Buxhetin e Shtetit.
Përgjegjësia juridike për dëmin e shkaktuar nga nëpunësit shtetërorë
Drejtuesit e institucioneve, e kanë të vështirë të pranojnë se nga pikëpamja administrative duhet të ngarkohen me përgjegjësi për dëmin e shkaktuar për largimet pa të drejtë nga puna. Nga praktika e deritanishme rezulton se në asnjë institucion nuk është mbajtur përgjegjësi për dëmet ekonomike në përmasa të mëdha, duke krijuar edhe bindjen tek qytetarët se drejtuesit e organeve shtetërore janë “të privilegjuar” dhe mund ta përdorin institucionin që drejtojnë si “pronën e tyre”. Institucionet shtetërore nuk kanë zbatuar ligjin Nr. 8510, date 15. 7. 1999 “Për përgjegjësinë jashtëkontraktore të organeve të administratës shtetërore”, i cili përcakton qartë se “…organet e administratës shtetërore përgjigjen për dëmet pasurore dhe jopasurore jashtëkontraktore, që u shkaktojnë personave fizike a juridike, private, vendas a të huaj”. Përgjegjësia jashtëkontraktore e organeve të administratës shtetërore rregullohet me dispozitat e këtij ligji dhe të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë. Përgjegjësia jashtëkontraktore e organeve të administratës shtetërore, kupton detyrimin për të shpërblyer dëmin, që këto të fundit i kanë shkaktuar interesave të personave private në ushtrim e sipër të funksioneve të tyre publike.
Për dëmet e krijuara nga drejtuesit e institucioneve, ka ardhura koha për të miratuar një ligj “Për përgjegjësinë materiale të zyrtarëve të lartë publikë”, të cilin KLSH-ja e ka rekomanduar që në vitin 2013 (dhe rirekomanduar edhe publikisht në aktivitetet e saj periodike), në të cilin të trajtohet përgjegjësia financiare e titullarëve të papërgjegjshëm në drejtim të zhdëmtimit të dëmeve ekonomike të krijuara edhe si pasojë e largimeve të padrejta nga puna.
Kontrolli i Lartë i Shtetit vitet e fundit i ka kushtuar një vëmendje të veçantë çështjeve të administrimit të marrëdhënieve të punës në të gjitha njësitë dhe institucionet publike, duke audituar në mënyrë të detajuar menaxhimin e administratës publike. KLSH ka evidentuar gjithashtu se institucionet eprore dhe organet drejtuese, nuk zbatojnë rekomandimet e dhëna për largimet nga puna të zyrtarëve shtetërorë të nivelit të lartë, edhe pse janë të argumentuara dhe të bazuara ligjërisht. Me veprimtarinë e saj KLSH, insiston për zbatimin e plotë të të gjitha rekomandimeve të saj, përfshirë edhe ato të fushës së administrimit të marrëdhënieve të punës, për të luftuar klimën e mosndëshkueshmërisë së abuzuesve me fondet publike.
*Kontrolli i Lartë i Shtetit